Nishani-Hahn: Përmbushja e standardeve evropiane, detyrim për Shqipërinë

361
TIRANE – Presidenti Nishani është takuar sot me Komisionerin për Politikën e Fqinjësisë Evropiane dhe Negociatat e Zgjerimit, Johannes Hahn.
Presidenti Nishani i uroi mirëseardhjen zotit Hahn gjatë vizitës së tij të parë në Tiranë si Komisioner, duke shprehur bindjen në suksesin e mandatit të tij si për misionin që ai dhe Komisioni Evropian kanë parashtruar me fillimin e punës, ashtu edhe në dobi të procesit të integrimit evropian të Shqipërisë. Pasi e njohu Komisionerin Hahn rreth mënyrës realiste se si perceptohet në Shqipëri procesi i integrimit si dhe mbi mbështetjen e gjerë e solide që ai gëzon tek shoqëria shqiptare, Kreu i Shtetit theksoi domosdoshmërinë e përmbushjes së standardeve evropiane, si një detyrim në radhë të parë e mbi të gjitha ndaj qytetarëve shqiptarë, e jo duke i konsideruar ato një formalitet evropian.
Presidenti Nishani vuri në dukje se kryefjala e këtij procesi mbetet reforma e gjithanshme dhe e mbështetur në vullnet të fortë e të palëkundur politik për zbatimin e saj në frymën evropiane. Presidenti u ndal më gjerësisht tek reforma në fushën e drejtësisë, që përbën një prej pesë prioriteteve kyçe nga suksesi e të cilave ndërvaret dhe hapja e negociatave të anëtarësimit. Duke vlerësuar mbështetjen dhe ndihmën e partnerëve evropianë; Komisionit, Parlamentit Evropian, Delegacionit të BE-së në Tiranë, EURALIUS, etj, Kreu i Shtetit evidentoi se partneriteti evropian është veçanërisht i domosdoshëm në reformën në drejtësi, duke nënvizuar domosdoshmërinë e përfshirjes së të gjithë aktorëve dhe operatorëve të sistemit të drejtësisë, dhe posaçërisht edhe të Komisionit të Venecias, në hartimin dhe certifikimin e kësaj reforme kyç për vendin. Kjo reformë, u shpreh më tej Presidenti, duhet të ecë me vendosmëri krah për krah me luftën e pa kompromis ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, duke e garantuar Komisionerin Hahn se do të mbështesë plotësisht dhe pa ndërprerje çdo përpjekje dhe hap që shkon në këtë drejtim.
Komisioneri Hahn theksoi se reforma në drejtësi është një element kyç i demokracisë, dhe se në këtë kontekst vlerëson se respekti i ndërsjellë i aktorëve të përfshirë është shumë i rëndësishëm për të shënuar sukses të qëndrueshëm. Zoti Hahn u shpreh se edhe pse konsensusi nuk duhet të jetë qëllim në vetvete, respekti ndaj Kushtetutës dhe pronësia e procesit të reformave janë domosdoshmëri dhe ajo çka të gjithë presin nga Shqipëria. Duke iu referuar ambicies për hapjen e negociatave për anëtarësim në BE, Komisioneri Hahn u shpreh se Ballkani Perëndimor e ka vendin në Bashkimin Evropian, por se standardet janë të panegociueshme dhe se në këtë kontekst, nuk e sheh me vend diskutimin e afateve kohore, por se kjo do të varet nga performanca e çdo vendi.
Në fund të takimit u diskutua edhe mbi projektet e përbashkëta rajonale dhe fokusin e shtuar që vendet e Ballkanit Perëndimor po i kushtojnë bashkëpunimit konkret rajonal. Në këtë kuadër u propozua krijimi i forumit të Krerëve të Shteteve të Ballkanit Perëndimor për të avancuar më tej këto projekte. 
Sigal