Nishani dhe Zonja e Parë priten nga Mbreti dhe Mbretëresha e Jordanisë

535
Sigal

Gazeta Telegraf/


Presidenti Nishani dhe Zonja e Parë, Odeta Nishani priten
nga Mbreti i Jordanisë, Madhëria e Tij Abdullah II Ibn Al Hussein dhe
Mbretëresha Rania Al Abdullah

 

5 tetor 2016

Amman, Jordani

 

Presidenti i Republikës,
Sh.T.Z. Bujar Nishani, dhe Zonja e Parë, Odeta Nishani, në kuadrin e vizitës
shtetërore në Mbretërinë Hashemite të Jordanisë u pritën sot me të gjitha
nderet dhe ceremonitë përkatëse nga Madhëria e Tij, Mbreti Abudllah II Ibn Al
Hussein dhe Mbretëresha Rania Al Abdullah. Pas nderimeve dhe ceremonive të
rastit, Presidenti Nishani zhvilloi një takim të veçantë kokë më kokë me
Madhërinë e Tij dhe më pas, krerët e të dy vendeve kryesuan takimin e zgjeruar
mes dy delegacioneve.

 

Presidenti Nishani vuri në
dukje kënaqësinë për realizimin e kësaj vizite të parë zyrtare në nivel Kreu
Shteti në Jordani, si dhe shprehu vlerësimin pozitiv për vullnetin e përbashkët
për të intensifikuar marrëdhëniet politike mes dy vendeve në vitet e fundit.
Duke iu referuar edhe vizitës së Mbretit të Jordanisë një vit më parë në
Shqipëri, Presidenti Nishani, theksoi se shkëmbimi i vizitave në këto nivele jo
vetëm që shpreh dëshirën dhe vullnetin politik për t’i forcuar dhe zgjeruar më
tej marrëdhëniet e bashkëpunimit mes dy vendeve, por ka ndikuar ndjeshëm në
nxitjen e institucioneve të të dy vendeve për të vlerësuar dhe eksploruar më
mirë mundësitë e bashkëpunimit, veçanërisht në sektorë të veçantë të ekonomisë
dhe të sistemit shëndetësor. “Marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve po
mbyllin dekadën e tretë të lidhjes së tyre, por intensifikimi i shkëmbimit të
vizitave në nivele të larta politike gjatë viteve të fundit po ndikon ndjeshëm
në forcimin e miqësisë dhe të bashkëpunimit mes dy vendeve dhe dy popujve.” – u
shpreh Presidenti Nishani.

 

Kreu i Shtetit vlerësoi
gjithashtu se bashkëpunimi ekonomik e tregtar nuk i përgjigjet nivelit aktual
të bashkëpunimit politik, duke shprehur bindjen se nga institucionet e të dy
vendeve do të bëhet më shumë për të nxitur nivelin e bashkëpunimit ekonomik e
tregtar, si dhe për të përmirësuar kuadrin e përbashkët ligjor, që do të
inkurajonte më shumë këtë bashkëpunim.

 

Kreu i Shtetit vlerësoi
iniciativat më të fundit të ndërmarra nga institucionet e të dy vendeve në këtë
drejtim, duke theksuar se asgjë nuk mund ta pengojë veçanërisht konkretizimin e
bashkëpunimit në fushën e turizmit, energjisë, bujqësisë, arsimit e shkencës
dhe në fusha të tjera me interes për të dy vendet. Të dy Krerët e Shteteve ranë
dakord për të inkurajuar strukturat qeveritare, por edhe ato parlamentare për
të eksploruar sa më mirë të gjitha mundësitë e bashkëpunimit mes dy vendeve dhe
vijuar me ide e projekte konkrete.

 

Presidenti Nishani shprehu
gjithashtu mirënjohjen për interesin e treguar nga Mbreti Abdullah II Ibn Al
Hussein për zhvillimet në rajonin e Ballkanit Perëndimor, veçanërisht në këto
momente kur rajoni dhe Evropa janë të kërcënuara nga terrorizmi dhe ekstremizmi
i dhunshëm. Kreu i Shtetit shqiptare falënderoi Mbretin e Jordanisë për
mbështetjen e dhënë për pavarësinë e Kosovës, si përmes njohjes direkte në
vitin 2009 si vendi i parë i Lindjes së Mesme që ndërmori këtë akt, ashtu edhe
në kuadrin e organizatave ndërkombëtare, duke theksuar se faktet sot tregojnë
qartë se, Pavarësia e Kosovës i ka shërbyer paqes, stabilitetit dhe sigurisë në
rajonin e Evropës Juglindore, por jo vetëm.

 

Mes dy Kryetarëve të Shteteve u
bisedua edhe për çështjet e ndryshme të sigurisë dhe të bashkëpunimit në këtë
kuadër, ku ndër të tjera u vlerësua bashkëpunimi mes institucioneve të
specializuara në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.
Presidenti Nishani vlerësoi rolin dhe kontributin e jashtëzakonshëm që Mbreti
Abdullah II dhe Jordania kanë dhënë për ruajtjen e paqes dhe forcimin e
sigurisë në rajonin e Lindjes së Mesme, por edhe në nivel global.

 

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bujar
Nishani, në kuadrin e vizitës shtetërore në Mbretërinë Hashemite të Jordanisë,
u takua sot edhe me Kryeministrin e Vendit Dr. Hani Al Mulki, si dhe me
Presidentin e ri të Senatit, Feisal Al Fayez.

 

Presidenti Nishani edhe në takimin me
autoritetet e larta jordaneze evidentoi kënaqësinë e realizimit të kësaj vizite
në Jordani, si dhe theksoi nevojën e ngushtimit të diferencës mes bashkëpunimit
ekonomik e tregtar dhe atij shumë të mirë politik mes dy vendeve.

 

Ashtu si edhe në takimin me Mbretin e
Jordanisë, Presidenti Nishani edhe në takimin me Kryeministrin Al Mulki,
vlerësoi iniciativat më të fundit të ndërmarra nga institucionet e të dy
vendeve për forcimin e bashkëpunimit në fusha konkrete, si dhe për vullnetin
dhe interesimin e shprehur për përmirësimin e kuadrit të përbashkët ligjor në
funksion të këtij bashkëpunimi.

 

Ndërsa në takimin me Presidentin e
Senatit Al Fayez, Presidenti Nishani u shpreh se përtej vullnetit politik që
tashmë është i shprehur qartë, ekzistojnë të gjitha mundësitë që shkëmbimet
parlamentare të rriten e forcohen. “Iniciativat parlamentare kanë një rol të
dorës së parë në forcimin e miqësisë dhe të bashkëpunimit mes dy vendeve e të
dy popujve.” – u shpreh Presidenti Nishani.

 

Çështjet e bashkëpunimit
rajonal, të sigurisë dhe të luftës kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të
dhunshëm u bënë pjesë e bisedave edhe me dy autoritete e larta jordaneze, ku
Presidenti Nishani theksoi vendosmërinë e Shqipërisë dhe institucioneve të saj
për të qenë pjesë aktive e luftës kundër terrorizmit, si dhe vijuar me programe
të veçanta edukimi për komunitetet e prekura nga fenomeni i ekstremizmit të
dhunshëm.