Nishani-Çiçek: Politika e jashtme e Shqipërisë mbetet e pandryshuar

433
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani priti sot në një takim të veçantë Kryetarin e Parlamentit të Republikës së Turqisë, Cemil Çiçek, i cili ndodhet në Shqipëri për të marrë pjesë në takimin e Kryeparlamentarëve të organizatës së Procesit të Bashkëpunim të Evropës Juglindore (SEECP).
Presidenti Nishani vlerësoi marrëdhëniet dhe ndjenjat miqësore e tradicionale që ekzistojnë mes dy vendeve dhe dy popujve si dhe shprehu mirënjohjen për ndihmën e gjithëanshme që Turqia i ka dhënë Shqipërisë që nga shpallja e pavarësisë, dhe veçanërisht në mbështetjen e anëtarësimit të vendit në NATO.
Kreu i Shtetit vlerësoi se të dy vendet bashkëndajnë interesa strategjike dhe, në këtë kuadër, shprehu bindjen se vizita që zhvilloi së fundmi në Tiranë Presidenti Erdogan do t’i japë një impuls të ri marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Turqisë, veçanërisht në fushën ekonomike.
Një falenderim të veçantë Presidenti Nishani shprehu edhe për mbështetjen e madhe që Turqia i ka dhënë pavarësisë së Kosovës dhe njohjes së mëtejshme ndërkombëtare të saj.
Presidenti Nishani përshëndeti gjithashtu kontributin dhe pjesëmarrjen aktive të Turqisë në aktivitetet e Kryesisë shqiptare të SEECP-së, përfshirë dimensionit të saj parlamentar, si dhe evidentoi rëndësinë që Shqipëria i kushton kësaj organizate rajonale.
Të dy bashkëbiseduesit u ndalën edhe në çështjet e sigurisë rajonale dhe ato globale, ku një vend të veçantë zunë edhe zhvillimet më të fundit në Ballkanin Perëndimor. Presidenti Nishani theksoi se politika e jashtme e Shqipërisë mbetet e pandryshuar sa i përket politikës së fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit rajonal duke vlerësuar se edhe kontributi i Turqisë është i mirëpritur dhe mbetet shumë i rëndësishëm në këtë kontekst.
Sigal