Nishani-Ambasadorit Koçi: Qëndro në detyrë dhe mos u bind urdhrave të ministrit

420
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, i është përgjigjur sfidës së ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati, duke urdhëruar ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në OSBE, Spiro Koçi, të qëndrojë në detyrë dhe të mos i bindet urdhrave të ministrit. Mediat kanë zbuluar shkresën që Nishani i ka dërguar ambasadorit tonë në Vjenë, të cilit i ka saktësuar se ndaj tij nuk ka nisur asnjë procedurë lirimi dhe se vetë Presidenti nuk ka firmosur asnjë dekret për ta liruar nga detyra. Për këtë arsye, kreu i shtetit i kërkon ambasadorit Koçi që njoftimet e Ministrisë së Jashtme për kthim në atdhe brenda datës 1 tetor të vitit 2015, duhet t’i konsiderojë të pavlefshme. Në letrën e tij, kreu i shtetit sqaron se është vënë në dijeni për shkresën e ministrit të Jashtëm nga media dhe se i vetmi që ka tagër ligjor që të lirojë ambasadorin është kreu i shtetit dhe jo Ministria e Jashtme.

Në shkresën e Presidentit Nishani, të firmosur nga shefi i kabinetit Ols Lafe, theksohet se lirimi nga detyra e ambasadorit në OSBE mund të ndërmerret vetëm me dekretin e Presidentit. Letra është dërguar në datën 21 shtator me numër protokolli nr.1679.

SHKRESA E BUSHATIT
Disa ditë më parë mediat publikuan skandalin e ministrit Bushati, i cili pa marrë aprovimin e Presidentit, urdhëroi kthimin në atdhe të ambasadorit tonë në OSBE, Spiro Koçi. Në shkresën zyrtare të datës 10.09.2015, me numër protokolli 15476, sekretari i Përgjithshëm i MPJ¬së, Qirjako Qirko, i kërkon ambasadorit tonë në OSBE që të bëjë takimet e lamtumirës, ndërkohë që i kërkon që të marrë masa për kthimin në atdhe. “Sikurse kam pasur rastin t’ju informoj edhe më parë, procedura e lirimit tuaj nga detyra është duke u realizuar në përputhje të plotë me kërkesat e ligjit nr. 23/ 2015 për Shërbimin e Jashtëm të Republikës së Shqipërisë. Dëshiroj t’ju informoj se me kthimin tuaj në atdhe, jeni propozuar të merrni detyrë të rëndësishme në këtë ministri, e cila do t’ju bëhet me dije në një moment të dytë. Merrni masa për të kryer takimet e lamtumirës, si dhe për të organizuar kthimin në atdhe brenda datës 1 tetor 2015. Në momentin e largimit tuaj deri në emërimin e pasardhësit, misioni do të drejtohet nga i ngarkuari me punë”, thekson letra e Ministrisë së Jashtme.
Sigal