Nis punën komisioni për Zgjedhoren, Damian Gjiknuri: Duam, s’duam do duhet të biem dakord, kërkojmë ekspertizë nga OSBE

124
Sigal

Komisioni i Posaçëm i Reformës Zgjedhore zhvilloi mbledhjen e parë. I pranishëm në mbledhje është edhe ambasadori i OSBE-së në vendin tonë, Vincenzo del Monaco. Komisioni bipartizan përbëhet nga dy bashkëkryetarë Damian Gjiknuri dhe Enkelejd Alibeaj. Bashkëkryetari i Komisionit Parlamentar për Reformën Zgjedhore, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri sugjeroi që debatet politike t’iu lihen partive politike teksa ka prezantuar dhe rendin e ditës. Në fjalën e tij, ai tha se është mirë që palët të merren vesh që të dalin me një përfundim, duke marrë edhe ndihmë nga OSBE-ODHIR. Më pas, shtoi se pas rekomandimeve dhe programit të punës së bërë nga ndërkombëtarët, do të nisë edhe puna në Komision. “Nga prezenca këtu në sallë, shumica e komisionit është dhe mbledhja është e vlefshme. Komisioni i merr vendimet me shumicë, por vendimet këtu janë konsensuale, çdo vendim duhet që të dakordësohet, do të thotë që duam apo nuk duam jemi të detyruar që të bashkëpunojmë me njëri-tjetrin në funksion të objektivave. Kanë lidhje me adresimet e OSBE. Nuk kemi mundur që t’i adresojmë rekomandimet. Kemi rekomandime të reja, pastaj palët diskutojnë edhe për çështjet e tjera, gjatë debatit të Refomës Zgjedhore. Nuk dua të ndalemi në rekomandimet, do të kërkojmë asistencën e OSBE me ekspertizë, sepse na kanë dhënë shtabin për të gjetur dakordësi. Me vendimin e Kuvendit, do i drejtohemi me një letër zyrtare për asistencë. Le t’i lëmë debatet politike jashtë kësaj salle. Ligji zgjedhor reflekton probleme politike. Gjithçka tjetër reflekton palët. Prandaj kërkojmë ekspertizën e ODHIR dhe OSBE. Unë propozoj si rend dite që të kërkojmë zyrtarisht asistencë. Dhe përcaktimin e numrit të ekspertëve, ata do të na sjellin rekomandimet dhe një program pune. Do nisim dhe nga puna për të përmbushur objektivat një nga një,“-tha ndër të tjera Damian Gjiknuri. Bashkëkryetari i Komisionit të Reformës Zgjedhore, Enkelejd Alibeaj ka rënë dakord për ftesën që do u bëhet ekspertëve ndërkombëtarë për të asistuar në ndryshimet e Kodit Zgjedhor. Në fjalën e tij në mbledhjen e Komisionit, Alibeaj tha se zakonisht është vijuar me nga 4 ekspertë, por kërkon të shtohet me 2 numri i tyre. E gjitha për ta çuar në 6 totalin. E fundit, që doja të thoja lidhur me përmbajtjen, është e vërtetë që shtylla kryesore e trajtimit nuk është vetëm puna e lënë përgjysmë 2 vite e gjysmë më parë. Përveç kësaj është shumë e rëndësishme mënyra sesi do të respektohet,”-tha Enkelejd Alibeaj. Dy bashkëkryetarët kane rënë dakord paraprakisht që t’i dërgohet një letër OSBE, KiE, SHBA, BE dhe partnerëve të tjerë ndërkombëtarë për të asistuar në përgatitjen e reformës zgjedhore. Në përfundim të mbledhjes, e cila u konsiderua mjaft e frytshme, e cila pati një frymë pozitive konsensusi siç u shpreh edhe Gjiknuri, janë përzgjedhur edhe 2 sekretarët e Komisionit. Dy sekretarët e Komisionit hetimor për Reformën Zgjedhore janë Klevis Xhoxhi nga PS dhe Dashnor Sula nga demokratët.