Nikolla uron mësuesit: Do largojmë politikën nga shkolla

517
Me rastin e festës së 7 Marsit, Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, ka uruar gjithë mësuesit. Ajo shpreh mirënjohje për mësuesit, duke nënvizuar kthesat e bëra në sistemin arsimor.
“Jam shumë e vendosur për të luftuar korrupsionin dhe larguar politikën nga shkolla, por më duhet edhe ndihma jote”, thuhet nder te tjera ne letren ne fjale.
I/E dashur
Sot është dita që të sjell urimet e festës nga nxënës, prindër e kolegë, nëse ende nuk e ke marrë nga një ish kolege, atëherë unë jam e para që të uroj:
Gëzuar 7 Marsin! Gëzuar festën e mësuesit dhe shkollës shqipe!  Unë e di pasionin, dashurinë dhe përkushtimin që ti ndan çdo ditë me nxënësit e tu. 
Ëndrra për çdo nxënës fillon nga një mësues. Kështu ka qenë edhe për mua. Nuk e ke filluar edhe ti ëndrrën tënde nga mësuesja jote? Unë po. Njoh mësuesen, mësuesit që i dhanë krah dhe jetësuan edhe ëndrrën e sime bije. Shpesh pyes veten nëse në 16 vitet e mia të mësimdhënies u shërbeva dhe unë nxënësve të mi, siç u kërkova dhe mësuesve të sime bije. Nuk di a ia dola që përmes punës së pandalur dhe të vërtetave të përbotshme të kultivoja dijen, po aq sa edhe sjelljen e qytetarisë demokratike.
Sa nxënës ndihmova të mësonin ndryshe përmes bashkëpunimit, debatit e të të ushtruarit?  Sa arrita të ngjall dëshirën për të ndryshuar edhe tek të tjerë, që në të kundërtën do të ishin në rrugë e problematikë për shoqërinë? Përgjigjet përpiqem t’i gjej duke punuar së bashku me çdo mësues për kurrikulat dhe tekstet e reja, për programet e ndihmës për nxënësit e talentuar dhe me nevoja të veçanta, te klasat inteligjente, te shkolla qendër komunitare etj. 
Mirënjohje edhe për kontributin tënd. 
Si drejtuese e arsimit, e di se ti meriton edhe më shumë mbështetje. Vendosja e sistemit të ri të emërimit përmes portalit “Mësues për Shqipërinë”, është një pikë e rëndësishme kthese, por ende kemi shumë për të bërë. Vijojmë me një skemë të re kualifikimi, pasi, siç ti e di, vlerësuam nevojat e secilit prej jush me një testim kombëtar.
Jam shumë e vendosur për të luftuar korrupsionin dhe larguar politikën nga shkolla, por më duhet edhe ndihma jote. Nëse shkolla është vendi ku e ardhmja hedh rrënjë, atëherë po shkolla është vendi ku e tashmja kërkon përfshirjen e të gjithëve. Ndjesë për emocionet e mia, por dhe më shumë ndjesë nëse diku nuk ia kam dalë të jem edhe zëri yt.
Sigal