Nikolin Jaka:Politika përballë biznesit

598
Sigal

*Kryetar i Dhomës së Tregtisë

Fushata e elektorale e 23 Qershorit fokuson në debatin politik ekonominë dhe punësimin, aq sa politika fiskale po kthehet në një ring politik. Kryetari i Dhomës së Tregtisë, Nikolin Jaka, në intervistën për “Telegraf” pranon se kriza politike e keqëson edhe më tepër klimën e të bërit biznes, sesa kriza ekonomike globale. Sipas zoti Jaka,  në debatin e fundit PS-ja  hoqi dorë nga  taksa progresive dhe që të jetë optimist në premtimet elektorale të Ramës, pikësëpari PS-ja duhet të votojë ligjin për organizimin e  Gjykatës së Lartë, që mundëson funksionimin e Gjykatës Administrative, pasi kjo do të ndihmonte  drejtpërdrejt edhe të bërit biznes në Shqipëri. Zoti Jaka ngre edhe një problem, sikurse është ngritja e një banke të zhvillimi ekonomik, e cila  krijon marrëdhënie relaksuese me të drejta të barabarta mes kredidhënies e kredimarrjes. Ndërsa krijimi i bursës së aksioneve, është një domosdoshmëri, sepse, sipas zotit Jaka, paratë e shqiptarëve do të ishin më efiçente në përfshirjen e tyre në bursa, sesa depozitimet në banka.

– Zoti Jaka, si është sot klima e biznesit në Shqipëri?

– Në momentet parazgjedhore klima e të bërit biznes në Shqipëri është vënë në dyshim, pasi vetë fushata zgjedhore nuk favorizon një klimë të ngrohtë për të bërë biznes. Ajo çka dua të them është  se kriza ekonomike globale ka patur efektet negative në  klimën e të bërit biznes në Shqipëri. Por, ajo që evidentohet në vendet në tranzicion, veçanërisht në Shqipëri, ndikimi i  krizës politike  ka patur dhe vazhdon të ketë efektet të  shumëfishta  në negativitetin e të bërit biznes në Shqipëri.

Mund të na përmendni, cilat janë problemet që e vështirësojnë klimën e të bërit biznes dhe shkaqet?

Problemet më kryesore që shqetësojnë sot biznesin janë: E para është shlyerja e detyrimeve që qeveria shqiptare i ka biznesit në sipërmarrjet private dhe është një detyrim që ka prekur të gjitha fushat e biznesit. Problemi i dytë mbetet ai i arbitraritetit të gjobave dhe ajo çka evidentojmë, është mungesa e gjykatës  administrative.

Dhe e treta, është kolapsi që ka futur sipërmarrjet private sistemi i kredive të këqija.

Në takimin që zhvillua me Kryetarin e PS-së, ai u zotua se, nëse fiton brenda 2013-s do të shlyejë të gjitha detyrimet e shtetit ndaj biznesit. Ju i besoni, apo është një premtim elektoral?

Është hera e parë që komuniteti i biznesit dhe Dhoma e Tregtisë kanë ngritur profilin e tyre, duke materializuar kërkesat dhe shqetësimet e tyre, të cilat janë reale dhe iu janë paraqitur forcave politike. Forcat politike kanë reaguar, edhe pse në kryefjalët e tyre është biznesi dhe qytetari, por ajo e vërteta është, që pas zgjedhjeve, këtë kryefjalë “ biznesi” dhe “qytetari” shuhen dhe nuk janë më në axhendën politike. Ne, si sipërmarrës, si Dhomë Tregtie, nuk jemi kaq optimistë për t’ju besuar premtimeve elektorale. Qeveria ka në dorë që të krijojë një klimë të përshtatshme për të bërë biznes dhe, njëkohësisht, edhe të shlyejë të gjitha detyrimet që i ka biznesit dhe, nga ana tjetër, për të besuar premtimet e PS-së, pasi realisht, prezantimi i zotit Rama ishte i thelluar, i detajuar dhe që ne ta besojmë, zoti Rama duhet të japë prova.

– Sipas jush, cila është prova e parë që duhet të japë Kryetari i PS-së?

– Prova e parë është që PS-ja të bëjë të mundur funksionimin e Gjykatës Administrative, duke votuar ligjin “Për organizimin e Gjykatës së Lartë”.

– Po nga PD-ja a u është premtuar shlyerja e detyrimeve që shteti i ka biznesit?

– PS-ja organizoi tryezën e parë lidhur me kërkesat që ka biznesi. Presim që edhe PD-ja të organizojë një tryezë të posaçme për kërkesat që ka biznesi, duke marrë reagimet e shqetësimet e biznesit. Qeveria organizoi para pak kohësh një tryezë për biznesin, për Task-Forcën Rregullatore, por nuk mund të themi që PD-ja ka reaguar ndaj kërkesave tona, që i kemi adresuar. Është shumë e rëndësishme që të kuptohet e të reflektohet për kërkesat që ka sot biznesi dhe sipërmarrja private dhe jo t’i hidhet biznesit në tryezë  axhenda e forcave  politike.

Kryetari i PS-së, kërkesës tuaj, që të votohet sa më parë, Gjykata Administrative, u përgjigj se ajo do të jetë “akoma një thertore në duart e qeverisë”. Ju shpresoni se pas 23 Qershorit, do të votohet kjo gjykatë?

Unë besoj se, Kryetari i PS-së ka këshilltarë jo të duhur për çështjen e Gjykatës Administrative, pasi funksionimi i kësaj gjykate ka një rëndësi të madhe për mbarë-ecurinë e biznesit. Dhe unë mendoj se, kreu i socialistëve mbase është këshilluar jo mirë lidhur me funksionimin e Gjykatës Administrative, duke e lidhur atë me një gjykatë jo efiçente e që nuk i shërben  biznesit, pasi në të vërtetë, është e kundërta.

– Ju keni ngritur edhe një kërkesë për ngritjen e bursës së aksioneve në Tiranë. Përse mbahet peng akoma?

– Dhoma e Tregtisë ka kërkuar me ngulm ligjin për amnistinë fiskale, duke e trajtuar atë jo si një ligj faljesh, por si një reformë e domosdoshme  për ekonominë e vendit. Me një qëllim e objekt të qartë që të kemi një formalizim të ekonomisë së vendit, të kemi një formalizim të sipërmarrjes shqiptare. Duke patur parasysh këtë formalizim, ne shkonim drejt shtrimit të rrugës e infrastrukturës të krijimit të bursës, gjë e cila kërkon nja formalizim e deklarim të saktë të sipërmarrjeve, të aksioneve e të kapitaleve të tyre. Vetëm kjo do ta bëjë të mundur krijimin e bursës dhe funksionimin e saj, në mënyrë që edhe paratë e shqiptarëve të mos flenë në depozita të pasigurta, por të kalojnë në aksione efiçente, ku t’i shërbejnë jo vetëm vetes së tyre, por edhe zhvillimit ekonomik, duke qenë gjeneruese të investimeve dhe nismave të reja.

– Cilat do të jenë politikat fiskale që do të nxitin biznesin në Shqipëri?

– Dhoma Tregtare i ka kërkuar qeverisë dhe politikës në përgjithësi, duke paraqitur studime dhe duke parashikuar se cilët janë sektorët prioritarë të zhvillimit të ekonomisë. Është detyrë e qeverisë për të parashikuar një menaxhim të saktë territorial, duke përcaktuar sektorët prioritarë, për të bërë të mundur edhe orientimin e sipërmarrjeve dhe të mjeteve financiare, se ku duhen orientuar këto mjete financiare. Shqipëria është një vend i bekuar nga Perëndia për burimet e saj, në klimën e saj, në resurset turistike, në  bujqësi, industri minerare, një infrastrukturë rrugore portuale, detare, fizibël dhe me interes për investitorët, burime hidrike të mjaftueshme. Por, nga ana tjetër, Perëndia e ka mallkuar në kontestin e administrimit të asaj që i ka dhuruar.

–  Ju besoni se heqja dhe ulja e taksave është ajo që ju, si përfaqësues të biznesit,  keni kërkuar, pasi tani, partitë politike kërkojnë atësinë e kësaj politike ekonomike?

– Ne nuk kemi kërkuar ulje taksash. Ne kemi kërkuar përjashtim nga fitim-tatimi të sipërmarrjeve të reja, na ato sektorë, ku duhet  të stimulohet sipërmarrja private, sikurse janë bujqësia, turizmi, energjia. Normalisht, taksat e ulëta formalizojnë ekonominë, nëse qeveria alternon me sukses taksën e ulët dhe taksën e sheshtë. Nëse ne pretendojmë në sensin pozitiv, të aplikojmë taksën e ulët, duhet të jemi rigorozë ndaj zbatimit të ligjit, të zgjerojmë bazën e tatim paguesve dhe, njëkohësisht, të jemi të kujdesshëm edhe ndaj evazionit fiskal dhe të kujdesshëm ndaj kontrabandës.

Pakënaqësia, që shprehu përfaqësuesja e biznesit amerikan në Shqipëri, Floreta Luli- Faber Kryeministrit Berisha për politikat qeveritare ndaj biznesit, është një veçanti, apo përbën tërësinë e klimës që ndjejnë të gjithë investitorët e huaj?

– Investitorët shqiptarë akoma janë në proces maturimi dhe të pa sensibilizuar siç duhet, për të drejtat që u takojnë. Ndërsa, investitorët e huaj janë shumë më të ndjeshëm ndaj çdo lloj padrejtësie, apo burokracie që i shoqëron në punën e tyre. Të gjithë përfaqësitë e biznesit e kanë ngritur zërin lidhur me shqetësimet që i krijon sistemi fiskal sipërmarrjes private.

A keni konsultim real të biznesit për ndryshimet ligjore? Ekzistojnë Këshilli Konsultativ i Biznesit, Këshilli Tatimor, por a funksionojnë me efiçencë?

– Mungesa e dialogut dhe e partneritetit, mungesa e vullnetit pozitiv për të dëgjuar kërkesat e biznesit, i kanë karakterizuar marrëdhëniet biznes me qeverisjen qendrore e lokale. Funksionimi i Këshillit Tatimor, pothuajse është jo real, sepse që nga krijimi i tij, para 3 vjetësh, është mbledhur 2 herë, ndërsa kemi Këshillin Konsultativ të Biznesit, që duhet të jetë një instrument më energjik, më  dinamik, qoftë me dialog, qoftë me shqyrtimin e nismave. Megjithëse, ky Këshill ka karakter konsultativ dhe jo fuqi vendimmarrëse, gjë e cila është e domosdoshme për një dialog konstruktiv dhe vendimmarrje efiçente.

– A ka ruajtur Shqipëria stabilitetin e saj makroekonomik?

– Vetë shifrat e rënies të rritjes ekonomike, ku ka qenë 8 % në 2008-n, e sot jemi në 2-3 %, rrezikojnë ekonominë, duke e bërë ekonominë akoma më të brishtë dhe sot i mungojnë edhe resurset e ato mundësitë reale, që kishte deri në 2008-të. Nëse deri në 2008-n ekonomia shqiptare është bazuar tek remitancat e emigrantëve, tek investimet e huaja, apo privatizimet, sot këto 3 burime mungojnë  dhe kërkohet një model i ri i zhvillimit ekonomik i vendit, të cilën qeveria shqiptare akoma nuk na e ka paraqitur.

– A ka ardhur momenti që shteti të ndihmojë drejtpërdrejt kreditimin e biznesit me krijimin e  të banke shtetërore?

– Dhoma e Tregtisë e ka ngritur që në 2010-n problemin e kredive të këqija, ku shifra sot është dyfishuar në 24 %, e i kemi kërkuar BSH-së, qeverisë, që të kemi ndërhyrje efektive, për të zbutur, për të krijuar një marrëdhënie tjetër në sistemin e kredimarrjes. Por, fatkeqësisht, nuk u bë asnjë lloj ndërhyrjeje për të ndihmuar, nuk u vu re asnjë lloj mekanizmi për të patur efektet pozitive lidhur me kreditë e këqija. Sot përballemi me shifra të frikshme të kredive të këqija, që arrin deri në 1 miliard euro, që përmban 33 % të Buxhetit të Shtetit. Ndërsa nevoja e një banke, që ne e kemi kërkuar, me këmbëngulje, është precedenca më e mirë që kanë vendet në tranzicion, por edhe vendet e zhvilluara, është bankë, e cila nuk prish konkurrencën, por  ruan disa vlera, disa norma, si edhe i shërben konkurrencës së  ndershme në treg dhe krijon marrëdhënie relaksuese me të drejta të barabarta mes kredidhënies e kredimarrjes. Kryeministri e ka përshëndetur si ide, por kemi hasur pengesë te ministri i Financave (zoti Bode), i cili mendon që kjo bankë mund të prishë konkurrencën apo ekuilibrin e tregut bankar. Megjithëse kemi   portofolin  e  kredive të këqija 24 %,  bankat e nivelit të dytë nxjerrin  bilance me fitime të larta. Kjo do të thotë, që këto marrëdhënie, jo vetëm që nuk kanë qenë relaksuese, partneriteti, por kanë qenë në marrëdhënie diskriminuese, në disfavor të biznesit që është kredimarrësi.

– Jemi në fushatë elektorale dhe palët politike e përdorin biznesin si prapavijë financiare. Kur dhe si mund të çlirohet biznesi nga tutela politike?

– Unë mendoj se biznesi dhe qytetarët do të çlirohen nga kjo agoni para/paszgjedhore, kur të botohen edhe listat e sponsorizuesve dhe kur do kemi edhe një ligj që do bëjë të mundshme edhe transparencën e financimit e çdo qytetari, të çdo sipërmarrjeje për forcat politike. Pra, kur të kemi një transparencë të buxheteve të partive politike dhe kur të kemi edhe heqjen e frikës të sipërmarrësit ndaj politikës. Kjo kërkon domosdoshmërisht funksionimin e demokracisë e të shtetit ligjor. Tendenca e çdo force politike, që të mbështetet  te sipërmarrja, është mëse normale,  në mënyrë që të ketë edhe përfitime financiare. Është shumë e rëndësishme që këto përfitime financiare të jenë të deklaruara.

– Duke ngjyrosur edhe bizneset si përkrahës militantë, kjo përbën edhe bazën e mungesës së konkurrencës së ndershme në fushën e biznesit në Shqipëri?

– Mëse normale është se do të mbërrijmë këtu, derisa forcat politike e përdorin biznesin për mbështetje financiare të tyre. Në Shqipëri nuk konsumohen politikanë, por sipërmarrjet dhe bizneset e tyre. Sipërmarrësit konsumohen me paratë e tyre, duke qenë prezent në ndihmat financiare dhe duke u fokusuar  më shumë se sa duhet në mbështetjen e forcave politike.

Shikojmë një tendencë. Që vetë biznesmenët po bëhen aktorë të politikës, duke u vendosur në listat për deputetë. Kjo e ndihmon politikën dhe biznesin?

– Deri tani sipërmarrja private ka qenë e përfshirë  në politikë, mbase në përqindje shumë të vogël dhe duke bërë analizën e veprimtarisë së tyre, del qartë se ata nuk kanë patur asnjë lloj efekti për të ndihmuar sipërmarrjen  private, apo qytetarët, pasi kanë qenë disa ushtarë më shumë, të radhitur në ushtrinë e partive të mëdha. Është për të ardhur keq, kur shikon një tendencë të sipërmarrësve të mëdhenj, të kërkojnë me ngulm të rreshtohen në radhët e ushtrisë të forcave politike, duke mos kuptuar edhe rolin që ata kanë. Në qoftë se politika shqiptare biznesin e përdor si një lopë për t’u mjelë, e në disa raste si një tigër për t’u goditur, biznesmenët, edhe kur kanë qenë në Parlament, por edhe në qeveri, kanë shërbyer si një lopë për t’u shtrydhur. Dhe kemi të shumta rastet kur Kuvendi e ka shfryrë mllefin në kolegët e tyre biznesmenë.

– Ju faleminderit!

Është për të ardhur keq, kur shikon një tendencë të sipërmarrësve të mëdhenj, të kërkojnë me ngulm të rreshtohen në radhët e ushtrisë të forcave politike, duke mos kuptuar edhe rolin që ata kanë. Biznesmenët, edhe kur kanë qenë në Parlament, por edhe në qeveri, kanë shërbyer si një lopë, jo vetëm për t’u mjelë, por hera- herës, si limon për t’u shtrydhur

PS-ja u tërhoq nga  taksa progresive

– Ju e keni kuptuar sesi do të zbatohet konkretisht taksa progresive, që është baza e programit ekonomik të PS-së?

–  Në debatin e organizuar nga PS-ja, kryetari i saj, shpjegoi qartë heqjen dorë nga taksa progresive e korporatave.

– Përse ju keni këtë gjykim?

– Pasi PS-ja e ka të pamundur që të shpjegojë  dhe argumentojë vendosjen e taksës progresive në Shqipëri, duke e parë jo si një vend në tranzicion, por edhe si një vend që mungon sistemi demokratik, mungon qeverisja e mirë, mungon zhvillimi dhe rritja ekonomike. Specialistët e paraqitur nga PS-ja kanë parashikuar dhe trajtuar me hollësi, që në vendet me zhvillim është e pamundur të zbatohet taksa progresive, sidomos, kur kemi të bëjmë me thithjen e investitorëve të huaj për të investuar në Shqipëri. Në rastin konkret, është një ogur i mirë që zoti Rama, në takimin që pati me biznesin, tërhoqi idenë e taksës progresive, të paktën në taksën e korporatave, duke e lënë të hapur dhe duke i premtuar sipërmarrjeve se do të jetë në një dialog të hapur e konstruktiv dhe vendimmarrës në bashkëpunim me biznesin, nga fundi i 2013-s, nëse ai do të jetë në pushtet. Është ogur i mirë që zoti Rama dhe PS-ja e kanë kuptuar që taksa progresive është e parakohshme, për  t’u përfshirë në ekonominë tonë.

– Mund të njehsohet taksa e ndershme me taksën progresive, apo kemi të bëjmë me spekulim termash?

– Zoti Rama paraqiti në programin e tij që do kishte në planin e tij taksën progresive në të ardhurat personale, gjë që mund të jetë edhe e drejtë në parim. Ndërsa, taksa e ndershme, në dallim me taksën progresive, është taksa që paguhet në vendet e zhvilluara, demokracitë e konsoliduara, qeveri funksionale dhe qeveri që kanë përparësi zbatimin e ligjit. Të kemi taksë të ndershme do të thotë të zbatosh me përpikmëri ligjin, të trajtohen të gjithë të barabartë dhe kjo në Shqipëri duket shumë larg, pasi po të shikosh  trendin e forcave politike, ato shikojnë më shumë xhepin e tyre, sesa mirëqenien e qytetarëve.

Legjislacioni dhe biznesi

 – Si i përgjigjet legjislacioni ynë nevojës së bërjes biznes në Shqipëri?

– Kemi shumë mospërputhje, pasi vihet re se kemi një legjislacion të përshtatur dhe të  kombinuar  mirë, por më shumë, kemi të bëjmë me mosfunksionimin dhe moszbatimin e ligjit. Ajo që kemi evidentuar, këto ligje, më shumë janë bërë për të përmbushur  detyrimet  ndaj BE-së, sesa nga dëshira dhe vullneti për t’i zbatuar më së miri këto ligje për biznesin. Prandaj, ka shumë për të bërë, sidomos në drejtim të partneritetit e dialogut, pasi sistemi fiskal është kthyer në një bumerang për sipërmarrësit tanë, sidomos në vendosjen e gjobave, apo edhe të kontrolleve  tendencioze, që rëndojnë sipërmarrjet në Shqipëri.