Niazi Jaho/ Dënimi dhe Rehabilitimi

2258
1. Dënimi

Siç dihet, fajësinë dhe dënimin e personit që ka kryer një vepër penale, e vendos gjykata kompetente. Por që të quhesh i dënuar, duhet që fajësia të jetë provuar me vendim të formës së prerë të gjykatës. Kur i pandehuri shpallet fajtor për veprën penale që ai akuzohet, gjykata cakton gjithashtu llojin dhe masën e dënimit. Për kryerjen e krimeve dënimet kryesore që zbatohen janë: a) burgim i përjetshëm, b) burgim, c) gjobë. Ndërsa për kundërvajtje penale jepet: a) burgim, b) gjobë. Sipas Kodit Penal, burgim i përjetshëm jepet për kryerjen e një krimi mjaft të rëndë. Megjithatë ai nuk zbatohet (dmth nuk jepet) ndaj personave që në kohën e kryerjes së krimit nuk kanë mbushur moshën 18 vjeç si dhe për gratë. Dënimi për krimet jepet për një kohë nga 5 ditë deri në 35 vjet. Vendimi i gjykatës vihet në ekzekutim menjëherë pasi ai të ketë marrë formë të prerë. Urdhrin e ekzekutimit e nxjerr prokurori.

2. Institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale

Në ligje janë parashikuar: a) Burgu i sigurisë së lartë ku ekzekutohen vendimet me burgim për autorë të krimit të organizuar si dhe të dënuar të tjerë të cilët në kryerjen e veprës penale ose gjatë vuajtjes së dënimit janë karakterizuar nga qëndrime dhe sjellje që e bëjnë të pamundur ose tepër të vështirë qëndrimin në burgje të kategorive të tjera b) Burgu i zakonshëm, c) Burgu i sigurisë së ulët, ç) Institute të veçanta dhe institucione paraburgimi (në këto të fundit vendosen persona me masë sigurimi “arrest me burg” ndaj të cilëve nuk është dhënë ndonjë vendim fajësie i formës së prerë). Të gjithë të dënuarit kanë të drejtat që u garanton ligji. Me ligje dhe rregulloret përkatëse, parashikohen edhe disa kufizime të këtyre të drejtave për ata që vendosen në burgjet e sigurisë së lartë. Burgjet e sigurisë së ulët janë institucione të veçanta ku vuajnë dënimin ata që kanë kryer kundërvajtje penale, vepra nga pakujdesia si dhe vepra të tjera penale, dënimi i të cilave nuk i kalon 5 vjet burgim. Institucionet mjekësore të posaçme dhe seksionet mjekësore të posaçme, shërbejnë për mjekimin e të paraburgosurve dhe të dënuarve me çrregullime të shëndetit mendor. 

3. Trajtimi i të dënuarve dhe të paraburgosurve

Mbështetur në Kushtetutën tonë dhe në dokumentet ndërkombëtare, Shqipëria ka miratuar ligjin Nr. 8328. datë 16.04.1998 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve” ndryshuar në vitet 2008, 2009 dhe 2014. Rregullorja e përgjithshme e burgjeve është miratuar me vendimin e Këshillit të Ministrave Nr.437, datë 20.05.2015. Kjo rregullore, në krahasim me rregulloret e mëparshme, paraqitet më e plotë dhe më e detajuar. Kjo vërehet sidomos në ato dispozita ku bëhet fjalë për të drejtat dhe trajtimin e personave të mësipërm. Si ligji si rregullorja kërkojnë trajtimin me dinjitet të të dënuarve dhe të paraburgosurve duke respektuar të drejtat njerëzore të tyre. Trajtimi duhet të jetë i barabartë. Por për kategori të veçanta, ligji lejon të bëhen përjashtime të përligjura, kështu p.sh ndaj grave, të miturve, të moshuarve, atyre që u përkasin pakicave etnike, ata që kanë orientim seksual të ndryshëm, të sëmurët, të paaftët mendorë etj. Rregullorja e përgjithshme që përmendëm më lart, garanton jo vetëm respektimin e të drejtave, por përcakton edhe përmbushjen e detyrimeve të të paraburgosurve dhe të dënuarve, organizimin e jetës së tyre, mënyrën e kushteve dhe funksionimin e regjimit të brendshëm, zhvillimin e aktiviteteve të ndryshme (përfshi edhe ato të punës dhe shpërblimit të punës së kryer) etj. Të gjitha këto në zbatimin kompleks së tyre i shërbejnë rehabilitimit gradual të dënuarve si dhe ri-integrimit të tyre në shoqëri. Natyrisht, jo çdo gjë shkon si në vaj. Ka patur dhe ka raste që shkelet ligji dhe rregullorja e brendshme. Mjafton të përmendim mbipopullimin. Shkaqet janë të ndryshme dhe të shumta. Ky problem do të kërkonte jo vetëm trajtim të veçantë, por edhe masa të tjera konkrete dhe të efektshme që mund të diktojnë dhe ndryshime në legjislacion. Në kushtet e mbipopullimit, është e vështirë të garantohen plotësisht të drejtat që ligji u njeh të dënuarve dhe të paraburgosurve. Ka patur dhe ka raste që gjykatat ngurojnë të japin masa dënimi alternative që parashikohen në Kodin Penal. Raste të tilla ndikojnë negativisht edhe në mbipopullimin.

4. Rehabilitimi dhe personeli i burgjeve

Në rehabilitimin e të dënuarve një rol mjaft të rëndësishëm luan personeli i burgjeve, sidomos ata që ngarkohen me zbatimin e programeve për edukimin, arsimimin dhe aktivitete të tjera që parashikohen në ligj. Në preambulën e Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut, theksohet parimi i njohjes dhe respektimit të qenësishëm të dinjitetit dhe të drejtave të barabarta të familjes njerëzore. Ky parim duhet pasur parasysh edhe në kushtet e burgimit ku të drejtat e të dënuarve janë relativisht më të kufizuara. Nuk mund të pretendohet për rehabilitimin e të dënuarve, kur personeli i burgut nuk ka koncepte të drejta se synimi kryesor mbas heqjes së lirisë, është rehabilitimi i tyre. Por këto detyra sa të rëndësishme aq edhe të vështira nuk mund ti realizojnë persona pa integritet ose të përlyer, të paarsimuar dhe pa njohuri minimale profesionale. Në burgjet tona herë pas here punonjës të veçantë janë shkarkuar nga detyra apo proceduar për korrupsion ose shpërdorim të detyrës. Rëndësinë e rehabilitimit dhe si pasojë edhe zbatimin e programeve që synojnë realizimin e tij, mund ta konceptojnë vetëm ata punonjës që me ndërgjegje angazhohen për të zvogëluar vuajtjen e dënimit, normalizimin e jetës në kushtet e burgut, inkurajimin e shpresës për jetën pas burgut etj.

A kemi në personelin e burgjeve të aftë dhe të përshtatshëm për të zbatuar standardet që kërkohen?

Kam mendimin se me të gjitha hapat përpara që janë hedhur, mbetet ende shumë për të bëre. Mendoj se është e nevojshme të kihen parasysh dhe të zbatohen rregullat e standardeve minimale të OKB në trajtimin e të burgosurve. Nuk e di nëse zbatohen tek ne disa kërkesa që përmenden në rregulloren e mësipërme siç janë p.sh para marrjes në punë personeli duhet të ketë kryer një kurs kualifikimi për detyrat e përgjithshme dhe specifike. A ka njohuri ai për të drejtën kushtetuese, penale dhe proceduralo-penale që aplikohen në burgje? A i nënshtrohet personeli i burgut testimit për të verifikuar ecurinë e tij? A ka ai njohuri të përgjithshme lidhur me çështje që ndihmojnë në zbatimin me sukses të detyrës, siç mund të jetë fusha e kriminologjisë, e metodologjisë për krijimin e raporteve të drejta me të dënuarit në tërësi dhe me të dënuar të veçantë? A është i përgatitur ai mbi mënyrat dhe format e që do të kontribuonin në parandalimin e vetëvrasjeve, konflikteve të brendshme midis të burgosurve të veçantë, apo grupeve të veçanta?

5. Rehabilitimi dhe legjislacioni penal

Kur shteti (organet përkatëse të tij) vendos heqjen e lirisë së personit, ai merr përsipër detyrën që të kujdeset për të, për sigurinë dhe mirëqenien e tij. Mjafton të përmendim se kur ka dyshime të arsyeshme se ndaj të dënuarit është ushtruar dhunë e çfarëdo lloji por sidomos në formën e trajtimit çnjerëzor, barra e provës i takon shtetit (institucionit ku ai vuan dënimin). Rehabilitimi është i lidhur më faktin se sa punohet për të zvogëluar dallimin midis jetës së burgut dhe jetës së lirë. Rëndimi i kushteve të jetës në burg që sjell pasojën e cenimit të drejtave të të dënuarit, nuk i shërben riedukimit, rehabilitimit dhe më vonë riasocimit mbas mbarimit të dënimit ose lirimit të tij. Në përputhje me ligjin edhe i dënuari me burgim të rëndë madje edhe ai me burgim të përjetshëm duhet të ketë shpresë se një ditë do të kthehet në shoqëri. Në një masë të madhe kjo varet vet nga ai, por një ndikim pozitiv mund, dhe duhet të luaj dhe trajtimi i tij njerëzor, respektimi i të drejtave që garanton ligji. Riedukimi nuk është një proces i lehtë. Në këtë vështrim edhe shpresa e integrimit në shoqëri pas lirimit kalon në një proces jo të lehtë madje dhe mund të zgjasë. Në rehabilitimin e të dënuarve duhen pasur parasysh gjithashtu edhe parimet e përmendura në rekomandimet 2006/2 të Këshillit të Ministrave të Europës mbi rregullat europiane të burgjeve ku veç të tjerave përmenden: “ të dënuarve që u është hequr liria, gëzojnë të gjitha të drejtat që nuk u janë hequr atyre në mënyrë të ligjshme në vendimet që ata janë shpallur fajtorë”.

 Kufizimet e të drejtave të tyre në kushtet e burgut, nuk duhet të justifikohen me mungesën e burimeve. Kjo do të thotë se atë që u garanton ligji, nuk mund t’ua kufizosh dhe aq me keq t’ua mohosh me të ashtuquajturat shkaqe “objektive” me pretendimin se “këto janë kushtet” etj. Efektet e rehabilitimit dhe riasocimit janë relativisht të pakta në rastet e faljeve apo të amnistive. Ato siç dihet, përmbajnë si kufizimet edhe përjashtimet përkatëse. Ato janë më tepër të natyrës humane dhe që ndjekin qëllime të caktuara,në kushte të caktuara. Ligji jonë penal njeh edhe institucionin e lirimit para kohe me kusht (neni 64 i Kodit Penal). Sipas këtij neni i dënuari me burgim mund të lirohet me kusht nga vuajtja e dënimit, vetëm për arsye të veçanta nëse me sjelljen dhe punën e tij ka treguar se dënimi i dhënë kundër tij ja ka arritur qëllimit të riedukimit. Për krime veçanërisht të rënda nuk lejohet lirimi para kohe me kusht. Në këtë aspekt të parët që mund të humbasin shpresën e lirimit nga burgu, janë të dënuarit me burgim të përjetshëm. Ky fakt deri në një fare mase mund të ndikoje negativisht edhe në punën e personelit të burgjeve, megjithëse edhe për këta të dënuar sipas nenit 65 të kodit penal, mund të vendoset lirimi para kohe me kusht kur ai ka vuajtur jo më pak se 25 vjet burgim dhe “se gjatë vuajtjes së dënimit ka patur sjellje shembullore dhe çmohet se është arritur qëllimit të dënimit”. Kuptohet se kur personi dënohet me burgim të përjetshëm, krimi duhet të jetë tepër i rëndë ose mizor. Edhe pasojat mund të jenë gjithashtu të rënda. 

Praktika ka vërtetuar se, veprat të tilla mund të kryhen nga persona me moshë të ndryshme: të rinj, të moshave mesatare ose tepër të moshuar. Le të marrim p.sh moshat 60-70 vjeç. Ata mund të kërkojnë lirimin para kohe me kusht në moshën 85 apo 95 vjeç nëse gjatë 25 vjetëve, do të kenë patur sjellje shembullore dhe do të arrihet në përfundimin se i është arritur qëllimit të dënimit. Në librin e përkthyer në shqip në vitin 2016 “Jurisprudenca Kushtetuese e Republikës Federale të Gjermanisë” me autor Donal P. Kommers, trajtohet edhe dënimi me burgim të përjetshëm. Në të përmendet çështja War Criminal, që lidhej me një ish anëtar të SS, i dënuar me burgim të përjetshëm në moshën 66 vjeç për vdekjen e 50 personave duke përfshirë fëmijë gra shtatzëna në dhomën e gazit të Auschwitz-it dhe Birkenaut-it. Kur ishte 88 vjeç gjyqtarët e burgut, aprovuan kërkesën e tij për lirimi (faqe 416) Gjykata Supreme e Frankfurtit, nuk e lejoi lirimin për shkak të rrezikshmërisë së krimit të të dënuarit. Gjykata Kushtetuese, vërente: “E drejta e dinjitetit njerëzor nuk mund ti mohohet një të dënuari pavarësisht nga rrezikshmëria dhe barbaria e krimit të tij, në qoftë se duhet të mbrojmë rendin e vlerave Kushtetuese”, ndërsa Senati i dytë përfundonte vendimin e tij unanim duke vërejtur se në çdo procedurë të mëvonshme që kishte të bënte me lirimin e të dënuarit në rastin në shqyrtim “pasi ai ka arritur moshën 89 vjeç, gjykata duhet të ishte e detyruar ti jepte një peshë shumë më të madhe se më parë, personalitetit, moshës dhe dosjes personale të vuajtjes së dënimit nga i dënuari. Me këtë vendim Senati i Dytë vendosi parimin se çdo i dënuar me burgim të përjetshëm, cilado qoftë natyra e krimit të tij duhet të lejohet të jetojë me shpresën të rifitimit të lirisë së tij” (faqe 417). Në Kodin tonë penal që në kuadrin e reformës në drejtësi do të bëhen ndryshimet përkatëse mund të rishikohet dhe neni 64 dhe 65 të K.P ku bëhet fjalë për lirimin para kohe me kusht dhe në mënyrë të veçantë koha që të dënuarit i lind e drejta për të kërkuar lirimin para kohe me kusht duke respektuar paragrafin e parë të nenit 64 të K.P.
Sigal