Ngjela zbulon takimin Merkel-Rama

672
Avokati i njohur deklaron se kancelarja ia ka bërë të ditur më parë kryeministrit shqiptar akuzat e ambasadorit Lu
Avokati dhe politikani, Spartak Ngjela, vijon të denoncojë atë që e cilëson si një marrëveshje Rama-Basha-Berisha për t’i shpëtuar ndëshkimit nga reforma në drejtësi. Sipas tij, të tre këta politikanë po veprojnë kundër politikës amerikane dhe asaj gjermane. Për Ngjelën, që Rama të shpëtojë Partinë Socialiste, duhet të japë dorëheqjen menjëherë.

Komenti i plotë i Ngjelës
Politika e lartë gjermane deklaron: Kryeministri shqiptar Rama dhe të tjerët në Shqipëri nuk e dëshirojnë këtë sistem dhe nuk duan ta ndërtojnë. Të gjithë ato që tha ambasadori Donald Lu para tre ditësh, ia ka thënë Ramës me ton të rreptë kancelarja gjermane Angela Merkel herën e fundit kur ky ishte në Berlin. Po pse rrinë ende në drejtim këta ordinerë që e vetmja gjë që bëjnë është përvetësimi i vlerave monetare dhe materiale të Shqipërisë dhe të shqiptarëve? Dëgjuan dhe zv/ndihmëssekretarin e Departamentit të Shtetit: Foli njëlloj si Donald Lu.

I.
E shihni si janë katandisur trimat që kanë vjedhur shqiptarët? Rama, Berisha dhe Basha kanë frikë të shfaqin hapur një marrëveshje të fëlligësht(!) Pyetja është: nga kush kanë frikë? Sigurisht nga politika amerikane. Po, pse janë kaq të lehtë nga mendja: Derisa kanë frikë nga amerikanët që të shpallin një marrëveshje; nuk e mendojnë dot që e kanë edhe më të frikshme që të ndërmarrin bashkë një akt antiamerikan? Po nuk është vetëm politika amerikane e hedhur në sulm moral me fakte kundër tyre, por edhe politika gjermane. “Ku shkoni o të mjerë? Pse rendni me vrap për t’u vrarë?” – Kështu do t’iu këndonte Homeri; sepse janë duke shkuar vetë drejt vetasgjësimit.

II.
Po, ku t’i gjejë mendtë Ramë ziu! Në treg nuk ka. Kurse Saliu nuk para beson, po i ka hipur vagonit të Ramës që ta nxjerrë diku jashtë rrezikut; se ka hallin e fëmijëve. E shihni si iu është katandisur Saliu, kampioni falso i antikomunizmit! Një i korruptuar ordiner që, pasi ka dashur të shkatërrojë Shqipërinë dhe shqiptarët, e gjeti veten në vetëshkatërrim me gjithë familjen e tij. Dhe tani Saliu na e paska shpresën të Rama. Hajde Sali, hajde! Po pse, o derëzi, me atletët e Ramës do kalosh male dhe dete ti? Po Rama? Është i humbur. Do vazhdojë të fryhet edhe më në fytyrë, se e ka nga frika, dhe pastaj do qetësohet e do të shtrohet. Nëse do që ta shpëtojë partinë që drejton, duhet të japë dorëheqjen sa më parë.
Afati i ri: Lu deri në gusht 2018
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Donald Lu, do të jetë në detyrë deri në gusht të vitit 2018. Lajmin e konfirmojnë burime të “Top Channel” pranë Departamentit amerikan të Shtetit. Atij i përfundon mandati në janar, por diplomati Lu do të jetë përfaqësuesi i Uashingtonit në Tiranë deri në fund të verës së ardhshëm. Muajt në vijim do të jenë të rëndësishëm për zbatimin e vettingut dhe reformës në drejtësi, në të cilën Donald Lu është angazhuar personalisht gjatë ushtrimit të detyrës në Shqipëri. Por, zgjatja e misionit të tij nuk është e paprecedentë. Edhe disa nga paraardhësit e tij kanë qëndruar në detyrë përtej mandatin që kanë pasur.
Sigal