Sigal

Drejtuesit shqiptarë të mjetëve vazhdojnë ende të përdorin patenta ndërkombëtare për të udhëtuar drejt Greqisë. Autoritetet tona kanë futur në fuqi marrëveshjen për njohjen e patentave me Greqinë, ndërsa pala greke nuk ka vepruar ende.

Sipas asaj që është rënë dakord do të njihen reciprokisht kartonat e lejeve të drejtimit që janë në fuqi në vendet përkatëse, formati shqiptar i 2005 dhe 2017 dhe formatet duke filluar nga ato të viteve ‘80 që janë në përdorim në Greqi.

“Këto formate që janë të vlefshme, sipas përkatësisë së shpjeguara, njihen automatikisht”,thotë Nikolin Bërxhiku, specialist i transportit rrugor MIE.

Konvertimi i patentave mund të bëhet në momentin që vendoset rezidenca në shtetin përkatës. Pra, nëse një shtetas shqiptar pajiset me dokumenta qendrimi në Greqi, mund të pajiset me patentë pa pasur nevojë të kryejë kurs, por duke bërë një kërkesë pranë autoriteteve greke, shoqëruar me një raport mjekësor.

Kujdes! Mbajtësit e patentës duhet të kenë moshën e parashikuar në legjislacionin e shtetit grek.

“Të dyja autoritetet, në rastin e palës shqiptare është Drejtoria e Shërbimeve e Transportit Rrugor pranojnë dokumentacionin, në këtë rast lejen e drejtimit greke, të shoqëruar me një raport mjekoligjor të vlefshëm siç kërkohet nga legjislacioni i të dy palëve, shqiptare apo greke”, thotë Bërxhiku.

Marrëveshja me Greqinë parashikon vetëm njohjen e patentave, por jo të lejeve të qarkullimit, për të cilat duhet marrë formati ndërkombëtar.