Nesër nis Parlamenti i ri, do të mblidhet dy herë brenda ditës, ja çfarë parashikohet

244
Sigal

Ditën e nesërme do të mblidhet Parlamenti i ri i Shqipërisë, ku do të ulen deputetët fitues të dalë nga zgjedhjet e 25 prillit.

Kuvendi ka njoftuar se seanca do të zhvillohet në orën 10:00 të paradites, por mësohet se do të njoftohet edhe një mbledhje e dytë në orën 17:00 të pasdites.

Seanca e parë pritet të ketë më së shumti një atmosferë formale, ku do të nisë procesi i verifikimit të mandateve të ligjvënësve dhe betimit të tyre. Kjo do të jetë seanca e parë, pas të cilës do të thërritet një e dytë, në të cilën do të votohet kryetari i ri i Kuvendit.

Kryeministri Rama ka propozuar si kryetare te Kuvendit, Lindita Nikollen.

Nderkohe, duke qenë se janë ende në fuqi masat për mbrojtjen nga pandemia Covid-19, Kuvendi ka njoftuar se nuk është e mundur që gazetarët dhe kamerat të hyjnë në sallë, por do të lejohen vetëm në oborrin e Sallës së Seancave Plenare, në vendin e caktuar për shtypin.

“Me rastin e fillimit të Legjislaturës së X të Kuvendit dhe sesionit të parë të kësaj Legjislature, uroj të kemi një bashkëpunim të suksesshëm.

Zyra e Shtypit dhe shërbimet e Kuvendit do të ofrojnë të gjithë mbështetjen dhe përkushtimin e tyre për të rritur transparencën e bashkëpunimit me median, në mënyrë që publikut e qytetarëve t’u ofrojmë informacion të plotë mbi veprimtarinë e Kuvendit të Shqipërisë”, thuhet ndër të tjera në njoftim.