Nëse Meta nuk shkëputet nga Berisha, do të jetë kundërshtari ynë

312

Kryesocialisti Rama rrëfehet: “Në 2013-n do jem në Parlament, të gatshëm të zgjerojmë koalicion me të djathtë”

 “Të gatshëm të zgjerojmë koalicion me të djathtë dhe takimin me Metën do e ribëja sërish”. Kështu deklaroi  kreu i PS-së Edi Rama. Shefi i opozitës nënvizoi se në koalicion janë të mirëpritura të gjitha ato forca politike, të majta, të qendrës apo edhe të djathtat, të cilat pranojnë programin politik të PS-së. Sa i takon mundësisë për një aleancë politike me LSI-në, Rama tha se, nëse LSI-ja vendos ta braktisë koalicionin aktual me PD-në, do të vlerësohet mundësia për të bashkëpunuar. “Por, për sa kohë partia e Ilir Metës, është pjesë e koalicionit, për PS-në nuk ka asnjë shqetësim dhe LSI-ja do konsiderohet si kundërshtar për ta mundur”, tha Rama. Kryesocialisti Rama është shprehur i bindur se do të jetë në parlament pas zgjedhjeve të qershorit të ardhshëm. Duke folur për këtë temë kreu i selisë rozë deklaroi se zgjedhjet e ardhshme duhet të jenë të tilla që vullneti i popullit të mos deformohet. “Dua të besoj që zgjedhjet do jenë në standarde të pranueshme evropiane, pa pasur nevojë t’i organizojë PS, por duke qenë të tilla vitin e ardhshëm, dhe sigurisht që demokracia në Shqipëri është gjithnjë e më shumë një eufomizëm”,- deklaroi ai, i cili shtoi se zgjedhjet nuk janë mjaftueshmërisht të lira e të ndershme për sa kohë nuk kemi institucione që t’i garantojnë ato. “Zgjedhjet e 2013 nuk janë të Edi Ramës, po për të bërë një përcaktim të rëndësishëm për atë që Shqipëria do të jetë për dekadën e ardhshme. Nuk lidhet se do zgjidhet mes PS e PD, por për rrugën ku duhet të krijojmë rrugën për rilindjen. Dua të shpresoj dhe kam besim që do ia dalim që zgjedhjet e ardhshme do i kemi të tilla, që të mos deformohen”, theksoi Rama. Përsa u takon zgjedhjeve të 2009-s, kreu i PS-së, tha zgjedhjet nuk i ka vjedhur ligji, por KQZ-ja ka shkelur ligjin dhe duke e bërë këtë ka garantuar vjedhjen e zgjedhjeve. Për Kryesocialistin, PD-ja në 2005-n erdhi në qeveri në rrugë legjitime, por nuk e pati votën popullore, “pasi ndarja e votës së të majtës solli PD-në në qeveri. 2009 tregoi se PD-ja nuk vjen në qeveri pa vjedhur votën”. “Ajo që unë besoj se gjithë kjo gjendje shumë e rëndë ekonomike e sociale, e shtetit të së drejtës, lidhet me faktin se nuk kemi një qeveri që buron nga vota”,- theksoi Rama, i cili u shpreh i bindur në fitoren e zgjedhjeve të ardhshme.