Neonazistët grekë mësyjnë në jug të Shqipërisë

621
Sigal

Posterat e partisë neonaziste greke “Agimi i Artë” vendosen në fshatrat minoritarë të Sarandës. Asnjë reagim nga Tirana

Dje ndodhi sërish një incident i paprecedent në jug të vendit: Pas paralajmërimeve të partisë neonaziste greke “Agimi i Artë”, dje kemi parë të materializuar filozofinë dhe agresivitetin e tyre në jug të Shqipërisë në fshatrat e rrethit të Sarandës. Neonazistët grekë kanë paralajmëruar se do t’i shtrijnë degët e tyre në Shqipëri dhe realisht mësymja ka filluar. Vetëm një ditë më parë u zbulua Harta e Hapësirave Ekonomike Ekskluzive që Greqia ka dërguar në OKB. Ndërkaq, dje gjatë një interviste shefi i diplomacisë greke Avramopulos përsëriti pretendimin për marrëveshjen detare që është rrëzuar përfundimisht nga Gjykata jonë Kushtetuese. Ai tha se Greqia nuk do të lejojë t`i ikë nga duart nafta e detit Jon. Konkretisht Avramopulos theksoi: “Të jeni të sigurt se qeveria nuk do të anashkalojë asnjë mundësi, siç është rasti i të dhënave për progres në kërkimet sizmike në Jon dhe jugun e Kretës”. Mirëpo postërat e neonazistëve grekë dje në jug të vendit, e ndërlikojnë edhe më shumë situatën. Pas pretendimeve të hapura për hapësirën detare, mund të themi se tani grekët po mësyjnë edhe nga toka. Dhe pikërisht në këtë agresivitet absurd të grekëve, të bën përshtypje heshtja totale e palës shqiptare, më saktë e Tiranës zyrtare. Asnjë reagim nga Ministria jonë e Jashtme për këto deklarata dhe qëndrime që cenojnë drejtpërdrejt integritetin dhe interesat tona kombëtare. Gjatë një interviste ekskluzive për “Telegraf’, Kolonel Myslim Pasha, reagojë për hartën greke që është dorëzuar në OKB, duke theksuar se: “Kjo kërkesë është e natyrshme për Greqinë dhe synimet e saj. Ndërkaq ndaj nesh hapet syri i vigjilencës sipas të cilit duhet gjetur nëse ata e kanë paraqitur hartën e vijës së ndarë sipas paktit famëkeq apo kanë një vijë tjetër. Nëse ata kanë paraqitur të njëjtën hartë me po të njëjtat koordinata kjo tregon se Greqia nuk heq dorë nga Marrëveshja, tanimë e rrëzuar. Kështu, pra, do të bien kambanat. Po për cilët vesh? Të këtij Regjimi që ka hequr edhe ligjin e brendshëm të kufijve tokësorë dhe detarë?”

 AGIMI I ARTË” SHKEL TERRITORET SHQIPTARE

Dita e djeshme  ka sjellë realizimin e deklaratave të partisë “Agimi i Artë” të Greqisë, parti me parimet dhe filozofinë naziste, njëkohësisht edhe parti e rëndësishme në parlamentin grek. Pikërisht ditën e djeshme në autostradën Krane-Qafë-Botë nëpër tabelat dygjuhëshe të orientimit për qarkullimin rrugor greqisht dhe shqip dhe pikërisht në fshatrat Hardhacovë dhe Fitore në zonën minoritare, janë vendosur miniposterat  e “Agimi i Artë”. Një ngjarje kjo e paralajmëruar dhe parapërgatitje se tanimë materialet propagandistike kanë mbërritur në Shqipërinë e Jugut dhe krijimi i degëve të këtij formacioni politik nazist grek do të realizohet së shpejti. Njëherazi, mund të përmendet fakti se është edhe një reagim ndaj ngjarjeve të fundit në jugun shqiptar Tepelenë dhe Delvinë me djegien e flamurit të kësaj force politike greke nga simpatizantë dhe aktivistë të “Aleanca Kuq e Zi” shqiptare. Vendosja e posterave është një alarm qytetar, politik dhe shtetar për ngjarjet e fundit në jugun e Shqipërisë, që më shumë se kurrë, duhet gjuha e diplomacisë së të dy vendeve për të zbutur tensionet nacionaliste dhe raciste të shpërthyera ditët e fundit midis dy vendeve tona. Reagimi diplomatik, larg këtyre ekstremizmave pasiononte, do t’i sillte rajonit paqe, vendeve fqinjësi të mirë dhe dy popujve vëllazërim. Por, duket dhe kjo nga ngjarjet e fundit, se jemi larg kësaj pritshmërie  dhe rendim drejt një situate të tensionuar, e cila mund të  ketë ndikime jo të lehta në rajon.

Avramopulos: “Greqia nuk do të lejojë t`i ikë nga duart nafta e detit Jon”

Greqia duket se i ka të qarta planet e saj për vendburimet e karburantit në detin Jon. Ministri i Jashtëm, Dimitris Avramopoulos, duke folur për të përditshmen “Realnevvs”, ka thënë se, Greqia duhet të stabilizojë dhe të dalë nga kriza ekonomike dhe të marrë pozicionin e faktorit të stabilitetit në Evropën Juglindore, Lindjen e Mesdheut dhe Lindjen e Mesme. “Greqia do të jetë në zemrën e Evropës, në Eurozonë dhe në çdo iniciativë të bashkëpunimit mes vendeve. Mendoj se të gjithë fqinjët tanë duhet ta marrin këtë mesazh”, tha Avramopulos. Në lidhje me zonën ekskluzive ekonomike që ishte çështje themelore e fushatës elektorale të Antonis Samaras, Avramopoulos, tha se, Turqia nuk mund t’i kërcënojë në këtë pikë pasi bëhet fjalë për të drejtën sovrane. “Askush nuk mund të na kërcënojë për diçka që është e drejtë sovrane për çdo vend. Greqia ka kapacitetin dhe vendosmërinë për të mbrojtur të drejtat dhe interesat që janë të garantuara nga ligjet ndërkombëtare dhe në interes të qytetarëve të Greqisë”, tha Avramopulos. Ai më tej ka bërë të ditur se qeveria po vepron për përmbushjen e zotimeve dhe planeve strategjike. “Të jeni të sigurt se qeveria nuk do të anashkalojë asnjë mundësi, siç është rasti i të dhënave për progres në kërkimet sizmike në Jon dhe jugun e Kretës”.