Negociatat për krizën, deputeti i PD: Pse nuk shkoj në takimin me zyrtarin e DASH

492
Me anë të një postimi në rrjetin social “Facebook”, deputeti i Partisë Demokratike, Astrit Patozi, i njohur si një prej zërave kritikë të Bashës brenda kësaj partie, ka bërë të ditur se nuk do të shkojë sot në takimin me Zëvendës ndihmës Sekretarin amerikan të Shtetit për Evropën dhe Azinë, Hoyt Brian Yee, i cili ka ardhur në Shqipëri për të ndikuar në zgjidhjen e krizës politike. Majlinda Bregu, Eduard Selami, Jozefina Topalli dhe Astrit Patozi kanë qenë 4 deputetët e kontaktuar nga ambasada e SHBA-ve në Tiranë për një takim me përfaqësuesin e Departamentit të Shtetit.

Nga Astrit PATOZI
INKURAJOJ FORT ÇDO FAKTOR QË NDIHMON ZGJIDHJEN E KRIZËS

E kam shprehur në mënyrën e duhur falenderimin dhe vlerësimin tim, jo vetëm ndaj ftesës për t’u takuar me zotin Yee, por mbi të gjitha ndaj përpjekjes së tij dhe të administratës amerikane për t’i dhënë një zgjidhje in extremis krizës se pakuptimtë politike në Tiranë.

Për një arsye të fortë personale nuk do të jem i pranishëm në takim, por vijoj të inkurajoj çdo faktor politik ndërkombëtar dhe vendas, që mund t’i shërbejë ende kauzës së zgjedhjeve normale në Shqipëri. Se nuk ma nxë goja ta them atë termin “të lira e të ndershme”, që më duket si versioni surrealist i ëndrrës shqiptare për demokraci perëndimore, kaq i largët me katandisjen tonë sot.

Ndonëse nuk i përkas racës së optimistëve futuristë, të cilët besojnë çdo përrallë që u shfaqet përpara, ende kam një shpresë të vakët se mund të gjendet prapëseprapë një shteg për të evituar dështimin e zgjedhjeve.

Sepse i qëndroj fort bindjes sime se mospjesmarrja e Partisë Demokratike në to është skenari më i keq i kësaj krize të pashembullt dhe të paprecedent.




Sigal