Në Shqipëri më kollaj vjedh bankën se një dyqan fshati

727
Thesari i shtetit në Krrabë nuk do të ishte grabitur kurrë, nëse ai nuk do të zhvendosej nga Skrapari në tunelet e Krrabës. Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Telegraf”, 73 vjeçari I. Ç (që kërkon të mbetet anonim), projektues dhe zbatues i objekteve sekrete në kohën e komunizmit. Ai është zbatuesi i vendstrehimit të Krrabës, ku pas viteve `90 u soll thesari i shtetit, nga vendstrehimet e Skraparit në Krrabë. Ky vendstrehim i Krrabës ishte fare i pasigurtë. Ai për herë të parë tregon për gazetën “Telegraf” mbi tunelin e Kërrabës, vendstrehimet e udhëheqjes së lartë komuniste. Për vite me radhë deri sa është transferuar jashtë Tiranës, pas vetëvrasjes së Mehmet Shehut dhe arrestimit të Kadri Hazbiut, Feçor Shehut etj. Pas këtyre ngjarjeve, mbi të dhe familjen nisën persekutimet për shkak të krushqisë së tij me një nga ish-anëtarët e Byrosë Politike. 
Zoti inxhinier, si projektues i objektit ku ruhej Thesari i Shtetit në Skrapar dhe ndërtues i vendstrehimit të Krrabës, ç’mund të na thoni për grabitjen e një pjese të thesarit?
-Po, është e vërtetë që unë kam qenë zbatues i këtij objekti sekret të Krrabës. Sapo kam marrë emërimin më 3 gusht të vitit 1963 në Ministrinë e Brendshme, për fatkeqësinë time ndeshem me një detyrë speciale; Ndërtimin e vendstrehimit të Skuterrës në Krrabë. Projekti ishte bërë nga inxhinir Thoma Rafaeli, por ai sapo ishte arrestuar, pasi së bashku me disa intelektualë të tjerë tentoi të arratisej përmes kufirit shtetëror në Qafën e Thanës. Th. Rafeli kishte qenë major dhe kishte mbaruar në Bashkimin Sovjetik, kështu që këtë objekt të projektuar prej tij duhet që ta zbatoja unë. Ja nisa duke studiuar hollësisht literaturën ruse nga ishte marrë modeli i këtij vendstrehimi dhe më pas një batalion i mbrojtjes civile, nisi ndërtimin e tij. Objekti ishte në formën e një patkoi dhe ishte shumë i madh me dy dalje dhe më vonë u ndërtua dalja e tretë me kaldajë dhe dhjetëra dhoma. Ishte një çmenduri e vërtetë të zhvendosje thesarin nga vendstrehimi i Skraparit, tepër i sigurtë dhe ta futje në këtë objekt farë të pasigurtë. Vendstrehimi i Kërrabës ka tre dalje kryesore dhe pa asnjë masë sigurie. Ky objekt nuk ishte projektuar për të strehuar qeverinë në rast lufte. Si konstruktor dhe specialist i kësaj fushe mund t’iu them se midis shkëmbit gëlqeror dhe betonit të hedhur mund të ecje me kalë, kaq e madhe ishte hapësira. Unë nuk e di saktësisht se kur u zhvendos thesari nga Skrapari në Kërrabë, por di t’iu them me kompetencë se zona e Skraparit ishte një zonë shumë e sigurtë, e ndërtuar enkas për këtë qëllim. Edhe ky objekt i Skraparit, ku ishte strehuar thesari para se të zhvendosej në Krrabë është ndërtuar prej meje. 
Zoti inxhinier, pse thesari ishte tepër i sigurtë në Skrapar?
Kurioziteti i fshehjes së thesareve të një shteti dhe arkivave sekrete të shtetit e kemi parë shpesh herë nëpër filma dhe e kemi lexuar nëpër libra dhe se projektuesit e thesareve në shtete të ndryshme kemi dëgjuar se nuk kanë patur fat të mirë. Në konceptin e thesarit, në financë nuk kuptohet vetëm ari, argjendi dhe stolitë e metalet e tjera të rralla që ka shteti, por edhe leku në letër dhe në metal. Pasi mora të gjitha të dhënat paraprake u vendos vendi se ku do të ndërtohej. 
Objekti përbëhej nga tre pjesë:
1. Vendi ku do të strehohej ari dhe argjendi, 
2. Salla ku do të vendoseshin arkat me kartëmonedha 
3-Korridori lidhës me ambientet e shërbimit e dhomat e punës, të cilat do të kamuflonin dy ambientet që përmendëm më sipër për t’i dhënë objektit pamjen e një venddrejtimi për kohë lufte. Çdo njeri që mund të futej në këtë objekt nga truket që i ishin bërë nuk mund të shikonte asgjë nga thesari i shtetit. Këtu ishin marrë masa deri në detaje, që në raste të jashtëzakonshme të bëhej bllokimi i këtyre ambienteve në mënyrë automatike dhe ishte e pamundur që të grabitej. Gjatë punës sime, unë konsultohesha me zv. ministrin gjeneral Qazim Kondin deri sa ai doli në pension. Bashkë me Qazim Kondin shkonim herë pas here në Skrapar dhe ndiqnim punimet. Unë kam patur nderin të ndjek punimet me këtë njeri të mençur dhe korrekt
Zoti inxhinier, po çfarë u bë më tutje me objektin e thesarit?
Në vitin 1987 mora urdhër nga Ministri i Brendshëm Kadri Hazbiu, që së bashku me zv. ministrin Rexhep Kolli do të niseshim në Skrapar, në objekt do të prisnim Kryeministrin Mehmet Shehun. Të nesërmen mbërriti Mehmet Shehu. Të shoqen, Fiqiretin e kishte lënë në vilë. Isha i emocionuar, pasi ishte hera e parë që takohesha me Mehmetin, kishte kapacitet dhe kishte njohuri nga të gjitha fushat e jetës. Vallë, a do t`i pëlqente objekti. Ne do të vinim në lëvizje çdo makineri dhe objekt thjesht çdo gjë që shihej me sy do të prekej me dorë: Që nga nyja e pastrimit, filtrat, ventilatorët dhe gjeneratorët që mbanin objektin në kushtet e mungesës së energjisë elektrike, deri tek lidhja telefonike e qendrës në rast lufte. Mehmet Shehut i pëlqyen ambientet e thesarit, mënyra e kamuflimit dhe siguria e jashtëzakonshme e thesarit, duke na folur me superlativa. Pas vizitës së Mehmet Shehut po vinin ngarkesat me kartëmonedha që administroheshin nga një grup i Bankës së Shtetit, që merrte mallin në ngarkim tek gryka e tunelit. Marrja e arkave me kartëmonedha, që vinin me vapor nga Kina, pasi lekët shqiptare prodhoheshin në Kinë.
Zoti inxhinier, kur thesari ishte tepër i sigurtë në Skrapar, pse u zhvendos në Krrabë?
Pas vitit 1992, kur unë isha larguar nga kjo detyrë dhe kishte ardhur në pushtet qeveria demokratike zonën e Skraparit e quante si bastion të komunizmit, prandaj ndodhi kjo zhvendosje, kishin frikë nga vendosja në Skrapar. Unë personalisht vjedhjen e Thesarit të Shtetit e mësova nëpërmjet shtypit dhe të them të drejtën jam skandalizuar, se si mund të çohej Thesari i Shtetit në një objekt që ishte përgatitur për vendstrehim të qeverisë, por ata që e çuan atje volën frytet e grabitjes së thesarit që padyshim që është një nga gafat më të mëdha. Nuk ka bërë vaki në vend tjetër të vidhet Thesari i Shtetit, sikur vidhet ndonjë dyqan fshati. 
Zoti inxhinier, ju keni qenë njeriu që dinit gjithçka rreth thesarit, a mund të na thoni se sa ishte sasia e arit dhe argjendit, pasi është shkruar e folur nga Xhon Mekou, se 10 ton ar është marrë nga qeveria komuniste dhe është transferuar në Bankat e Zvicrës?
Nga dokumentacioni, shkruhet se mbreti Zog kur la vendin, në prill të 1939 nga Banka e Shtetit shqiptar ka tërhequr gati 320 kg ar, i cili me të drejtë është quajtur hajdut, ndërkohë që në thesarin e Krrabës u vodhën 280 kg ar. Për sa i takon shifrave të Thesarit të Shtetit mund t’ia u them se e gjithë ngarkesa e arit të shtetit u vendos në një kamion tip maune mesatare, ku qëndronin një skuadër me ushtarë që bënin shkarkimin e tij dhe një oficer përgjegjës, ndërsa gjatë transportit disa metra më larg ishim ne që e kishim në ngarkim dhe një inxhinier radist, që nuk dinte gjë fare seç bëhej. Ndërsa për shifrën e Xhon Megut, që qeveritarët komunistë kanë transferuar jashtë shtetit 10 ton ar, kjo është qesharake, kur dihet edhe shifra e arkave të porositura tek mobileria “Misto Mame”, ku u vendos i gjithë ari i shtetit ishte në një makinë tip maune… Shifrat e Xhon Megout kanë qenë spekulative 
Zoti inxhinier, është folur se objektet sekrete i dinin pak njerëz?
Po, është e vërtetë ishte një numër shumë i vogël që kishin dijeni për këto objekte sekrete i dinin vetëm pak persona. Kështu objektin e Thesarit të Shtetit e dinte, Mehmet Shehu, Zv. ministri përkatës Qazim Kondi dhe unë si realizues dhe projektues. Sa për ilustrim, mund t’ju them se Ministri i Financave të asaj kohe nuk e dinte se ku ndodhej Thesari i Shtetit. 
Zoti inxhinier, a keni ndërtuar objekte të tjera përveç vendstrehimit të thesarit në Skrapar dhe në Krrabë?
Po kam patur rastin të projektoj dhe të ndjek një objekt të rëndësishëm nëntokë poshtë ish-Ministrisë së Brendshme, godinës së policisë dhe klubit të saj dhe ish-Ministrisë së Ndërtimit. Pasi mora organikat përkatëse u hartua projekti. Ka qenë data 2 dhjetor 1981 dhe u lajmërova si projektues dhe autor i fletës krijuese se në orën 11:00 do të shoqëroja Ministrin e Brendshëm Feçorr Shehu tek kryeministri Mehmet Shehu. Me maketin dhe skicat në dorë, së bashku me Feçorr Shehu, atëherë ishte Ministër i Brendshëm shkuam tek zyra e kryeministrit. Sapo hapëm derën Mehmeti ishte i përkulur mbi tavolinë dhe ishte shumë i rënë si fizikisht dhe moralisht, lexoje lehtë në fytyrën e tij një brengë e madhe. U çua nga tavolina e tij dhe na bëri shenjë të uleshim tek cepi i një zyre të madhe, ku ishte një tavolinë e vogël dhe disa kolltuqe. Zumë vend, pasi Mehmeti na dha dorën. -Hë, tha ai pasi na hodhi një vështrim të dyve me Ministrin e Brendshëm, pa na i tregoni. Filloj të flasë Ministri i Brendshëm Feçorr Shehu, por ai i bëri lëmsh, pasi nuk e kishte studiuar më përpara projektin me të gjitha detajet e tij. Mehmeti më pa në sy. Pa ta dëgjojmë specialistin, tha Mehmeti. Fillova të flasë unë, duke justifikuar ministrin dhe duke ja shkoqitur të gjitha gjërat një nga një. Mehmeti qëndroi një moment dhe më thotë: Objekt shumë i madh, hiq disa zyra. Qëndroj një çast kur i fiksuam gjërat dhe na tha neve, po pse duhet që ta firmos vetëm unë, ky objekt është shumë i rëndësishëm dhe duhet ta miratojë Byroja Politike. Ne i thanë se është sekret dhe nuk duhet ta dijë tërë Byroja Politike. U ngrit Mehmeti nga ku ishte ulur me ne dhe shkoi tek tavolina kryesore dhe mori në telefon Kadri Hazbiun. Pse ta firmos vetëm unë more Kadri, i tha Mehmeti. Më kanë sjellë për firmë këtë projektin e venddrejtimit të Ministrisë së Brendshme. Ne dëgjuam në telefon argumentet e Kadri Hazbiut, i cili i theksoi Mehmetit se ky objekt është venddrejtimi i Ministrisë së Brendshme, pasi në një situatë të jashtëzakonshme Ministria e Brendshme duhet të drejtojë punën në këtë objekt. Ministria e Brendshme në të tilla situata duhet të iki e fundit… Në mbyllje, Mehmeti i tha Kadriut se unë mendoj që të hiqen dy-tre zyra dhe pas ndërtimit, sheshi të duket siç është sot. Mehmeti pas bisedës me Kadri Hazbiun e firmosi projektin. 
Zoti inxhinier, po ndonjë mbresë tjetër me Mehmet Shehun?
Kur kishte evenimente të mëdha, siç ishte një kongres partie të gjithë aparatit të Ministrisë së Brendshme i caktoheshin detyra speciale. Kështu në kongresin e 8 të PPSH, unë isha caktuar të shoqëroja delegacionet e huaja, ata që ishin nëpër llozha, pasi kryetarët e delegacioneve ishin në tribunën e kongresit. 
Zoti inxhinier, pse i shoqëronin delegacionet e huaj, oficerë të Ministrisë së Brendshme?
Dëgjo, vigjilenca atëherë ishte shumë e mprehtë. Mbase ishte ndonjë element terrorist i infiltruar, kryente ndonjë akt terrorist ndaj udhëheqjes së lartë, prandaj ne iu qëndronim pranë dhe ne ishim të armatosur. Gjatë pushimit midis seancave, ne vështronim me kujdes çantat e tyre për ndonjë mjet plasës. 
Zoti inxhinier, po le të ndalemi tek mbresat me Mehmet Shehun.
Kur diskutoj kryetari i delegacionit të Partisë Komuniste të Spanjës, Raul Roa salla pati ovacione dhe diskutimi i tij e ndezi atmosferën. Ai mbaroj diskutimin dhe ju drejtua Mehmet Shehut që ishte në krahun e djathtë të Enverit, e përqafoj me shumë dashuri dhe tha: shoku Mehmet është luftëtari i luftës së Spanjës. E vura re me vëmendje, Enveri nuk lëvizi nga vendi, por u nxi krejt, madje as dorën nuk ia zgjati kryetarit të delegacionit Raul Roa. Atë ditë që Mehmet Shehu vrau veten ndodhesha në një restorant në Lezhë, kur dëgjoj lajmin e vetëvrasjes. Eh, Mehmet thashë me vete, çfarë zgjidhje i dhe kësaj pune! Më erdhi keq, po ta them sinqerisht, në tërë historinë e saj Shqipëria vetëm një kryeministër ka patur, Mehmet Shehun euridit, orator i jashtëzakonshëm, fliste me një skedinë prej tre pikash dy orë, pa përsëritur dy herë të njëjtën fjalë. Sa qesharak dukej Enver Hoxha kur thoshte se të nesërmen do t`i hiqte vetëm një vërejtje, si ka mundësi që u lëshuan të nesërmen tërë ato rrufe kundër Mehmetit, poliagjent e lloj-lloj epitetesh. Ishte e qartë se, të nesërmen Enveri në emër të Partisë do ta kryqëzonte Mehmetin…
Zoti inxhinier, të gjitha këto sekrete që ju dinit i transmetonit tek pasardhësit tuaj?
Pas goditjes së Kadri Hazbiut, i cili ishte krushk me familjen tonë, pasi vëllai im kishte grua vajzën e Kadri Hazbiut më transferuan në Veri, duke më quajtur të pabesueshëm në këtë post. Me ardhjen e qeverisë demokratike, duke ndjerë peshën e madhe të gjitha atyre sekreteve shtetërore që dija duhet që t’ia u thosha pasardhësve. I bëj një letër ish-Ministrit të Rendit të asaj kohe, Bashkim Koplikut, ku i shkruaj se për arsye madhore të shtetit të më thërrasë në një takim. Doja t`i tregoja me sinqeritet atij që më zëvendësoj mua, t`i tregoja të gjitha sekretet e rëndësishme shtetërore të këtij vendstrehimi të thesarit dhe të vendstrehimeve të tjera të rëndësishme. Ai çuditërisht nuk më priti vetë, por kishte autorizuar Hajri Mezini ish zv. Ministër i Brendshëm i asaj kohe. Sapo e takova, ende pafilluar që t`i flas për venddrejtime speciale sekrete, ai ma preu shkurt, dëgjo më tha, t’i je i pabesueshëm për ne dhe përvoja jote nuk na vlen. Këtu, shtoj ai punojnë të tjerë njerëz, ata që ne mendojmë. I thashë se pas tre vjet pune në Rrëshen si ing. ndërtimi kam punuar edhe në hidrocentralin e Komanit si përgjegjës i punimeve në sallën e turbinave, një vend tepër i besueshëm. Ai e mbylli bisedën shkurt, ju thashë jeni i pabesueshëm për ne… U largova i trishtuar. Do t’ju tregoj diçka shumë interesante. Një mbrëmje vjen për vizitë në shtëpinë time një inxhinier gjeolog, së bashku me gruan e tij, pasi ishte kushëri me gruan time. Ai kishte zënë vendin tim të punës dhe filloj të tregojë sekrete në familjen time, të asaj pune që kisha bërë unë. Filloj të flasë për vendstrehimin e Thesarit të Shtetit dhe plot sekrete të tjera. Gruaja dhe dy djemtë e mi shtangën, duke më parë mua në beben e syrit, më thanë, ti baba ke punuar në këto vende sekrete dhe ne nuk kemi dëgjuar asnjë fjalë prej teje, na thoshe shkurt se jam inxhinier në Ministrinë e Brendshme dhe vetëm kaq. Unë përsëri në prani të familjes pohimin e kushëririt të gruas e hodha poshtë, duke ripohuar se unë nuk kam patur të bëj me këto objekte. Ndërkohë që kushëriri i gruas, që kishte zënë vendin tim më thotë se unë kam firmat tuaja dhe gjithë dokumentacionin. Unë përsëri dola nga situata kur i them se ato firma që ju keni parë janë firma gjatë zboreve dhe mbledhjeve mësimore. Kur ai iku nga shtëpia, duke e përcjellë i them të takoheshim tek parku “Rinia” përballë hotel “Dajtit”, të pimë një kafe. U takuam të nesërmen dhe i thashë kushëririt të gruas që të mos fjaloste marrëzira, se ato që ai tregonte ishin tepër sekrete. Më pas e porosita inxhinierin e minierës që më kishte zëvendësuar mua, që këto sekrete të mos ja thoshte asnjë njeriu, madje as gruas së tij dhe fëmijëve, se mund ta pësonte me kokën e tij, por mund ta pësonte dhe shteti, sepse në atë kohë maskat ishin rrugëve dhe shteti ishte shumë i dobët. Në kohën tonë kishte shumë konspiracion, ne ishim shokë të një zyre dhe projektuesi tjetër jo vetëm që nuk dinte asgjë, por dhe nuk të pyeste se me se merreshe…
Kur ju larguan nga Ministria e Brendshme?
Menjëherë pas arrestimit të Kadri Hazbiut, më thërrasin dy zëvendësministrat e Brendshëm Agron Tafa dhe Hysen Shahu dhe më thanë, dorëzo shpejt çelësat e thesarit dhe zhduku nga Ministria e Brendshme, prit emërimin e ri. 
Ku ju emëruan?
Në Ceri si inxhinier ndërtimi në Ndërmarrjen e Ndërtimit. Punoja fort në punë, me këmbëngulje duke realizuar planin e asaj kohe. Kisha punëtore betonimi, vajzën e Beqir Ballukut. Më vinte keq për të, punonte me një përkushtim të jashtëzakonshëm dhe lodhej pamasë… Ashtu ishte koha, luftohej për ekzistencë…
Po më pas?
Kam punuar për shumë vite si inxhinier zbatues në hidrocentralin e Komanit deri sa dola në pension 
Bardhyl Berberi 
Sigal

Shënim: Për arsye të
ruajtjes së sekretit, inxhinieri kërkoi të ishte anonim