Në qershor nuk do të kemi vetëm zgjedhje lokale. Do të ketë zgjedhje lokale dhe zgjedhje të përgjithshme.

436
Sigal

Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi: Të rrëzojmë dhe të largojmë Edi Ramën, simbolin e zaptuesit të shtetit dhe të popullit të tij

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi zhvilloi një takim me strukturat e LSI-së në Bashkinë e Skraparit. Duke u ndaluar në situatën aktuale politike, Kryemadhi tha se Shqipëria ndodhet në kushtet e emergjencës dhe të një situate aspak normale. Kjo pasi sipas kryetares së LSI-së Shqipëria ka rënë në duart e një grupi kriminal dhe oligarkësh të cilët çdo ditë e më shumë po vjedhin buxhetin e shtetit dhe po çojnë shqiptarët drejt varfërisë dhe largimit nga vendi. Kryetarja e LSI-së tha se një qeverisje e tillë nuk e meriton të jetë më qeveria e popullit. Për këtë arsye ajo u bëri thirrje skraparlinjve dhe të gjithë shqiptarëve që të mos ndalen dhe të bëhen gati për të rrëzuar qeverinë e Rilindjes dhe kryeministrin Edi Rama, pasi sipas saj të gjitha kushtet janë pjekur. Monika Kryemadhi: Sot në fakt nuk jemi thjesht në një situatë normale, nuk jemi në kushte normale, jemi në kushtet emergjencës, për sa i përket situatës në të cilën ndodhet Shqipëria. Siç ndodhet Shqipëria ndodhet dhe Skrapari, ndoshta për shkak të qëndresës dhe për shkak të pozicionimit të tyre politikisht.

Sot Shqipëria ka rënë në duart e një grupi kriminal dhe oligarkësh, të cilët çdo ditë e më shumë mendojnë sesi të vjedhin para nga buxheti i shtetit, sesi të varfërojë shqiptarët dhe sesi të pasurohen vetë ata duke çuar paratë në xhepin e Kryeministrit. Pyeta Kryetarin e Bashkisë: A keni rritur ndonjë taksë lokale? Absolutisht jo tha, asnjë taksë lokale nuk kemi rritur. Por në tryezën e tij qëndron një shkresë e një prefekti, i cili nuk ka asnjë lloj detyrimi politik dhe moral ndaj popullit të Skraparit, ku kërkon që të shkrihet Bashkia e Skraparit, të mos ketë më asnjë punonjës në Bashkinë e Skraparit, sepse kështu i dashka qejfi Edi Ramës dhe shërbëtorëve të tij. Kjo mazhorancë e cila sot është në pushtet duke blerë mandatet, duke grabitur mandatin qeverisës, të kthejë sytë nga populli dhe të bëjë diçka për ta. Por nuk mund të bësh gjë për popullin kur vidhen mbi 118 miliardë lekë me skemën e TVSH-së. Dhe në bankën e të akuzuarve shkojnë viktimat, por nuk shkon truri i atyre që e ka organizuar këtë skemë vjedhjeje dhe grabitjeje ndaj shqiptarëve. Kjo skemë vjedhjeje dhe grabitjeje që i bëhet taksave të shqiptarëve është bërë nga oligarkët që hanë dhe pinë me Edi Ramën nga mëngjesi deri në darkë. Kjo skemë grabitjeje e TVSH-së, që besoj ju e keni dëgjuar disa ditë më parë që rreth 20 e ca veta janë të arrestuar. Kemi përballë një sfidë të madhe. Sfida është shumë e thjeshtë. Të rrëzojmë dhe të largojmë Edi Ramën. Dje kam qenë në Selenicë, në Fier në Kavajë. Kudo që shkel, nuk dëgjoj qoftë dhe një njeri të vetëm, nuk po merrem me anëtarët e LSI apo me demokratë, por dhe socialistë të ndershëm të cilët nuk janë të zemëruar me qeverinë e tyre, të cilët nuk janë të zemëruar me Rilindjen që u ka grabitur dhe u ka zaptuar partinë e tyre. Kur nuk ka socialistë të ndershëm që e suporton këtë njeri, atëherë ta dini që kushtet janë pjekur. Kushtet janë pjekur dhe ne do të dalim në rrugë. Do të dalim në rrugë për ta rrëzuar njëherë e përgjithmonë, jo Edi Ramën si njeri, por Edi Ramën si simbol të çdo njeriu, që në politikë kërkon të zaptojë shtetin dhe popullin e tij për interesat e tij. Shqiptarët me rrëzimin dhe tërheqjen zvarrë të këtij simboli të politikës së krimit, duhet ti japin mësim klasës politike që nuk ka më njeri në histori që të vijë dhe të bëjë të njëjtën gjë që bëri ai, që largoi të rinjtë dhe të rejat, që i largoi nga shtëpitë e tyre për të mos u kthyer më. Duhet ti japim mësim politikës shqiptare që të mos guxojë më njeri të gënjejë shqiptarët, por ai që premton ta mbajë premtimin. Ti japim një mësim politikës shqiptare për ti thënë kujtdo që politika është në shërbim të qytetarëve. Në të kundërt, qytetarët të rrëzojnë dhe të tërheqin zvarrë ashtu siç e meriton çdo mashtrues dhe tradhtar i idealeve të vendit të tij. Prandaj unë ju bëj thirrje, mos ndaloni.