Në Qeparo (dhe kudo në Bregdet) pushtuesit e detit dhunojnë turistët, shteti bën sehir

966
Sigal

Jakup B. GJOÇA

Policia Bashkiake përdor dhunë kundër çdo fshatari që shet pa licencë një kokërr qepë, vezë, ndërkohë që…

Në Qeparo, disa kilometra nga Dhërmiu ku pushon kryeministri Rama, deti është pushtuar nga “të fortit”, të cilët kanë shtrirë shezllonet buzë detit dhe i detyrojnë pushuesit të paguajnë 10.000 lekë, për çdo shezllon, ndryshe, nuk i lejojnë të hyjnë as në det.

Një pushuese, e ardhur nga Greqia, u kërkoi pronarëve të shezllonëve kuponin tatimor. Pushtuesit e detit u zgërdhinë, dhe i thonë turistes, duke bërtitur:

-Këtu ligjin e bëjmë ne, paguaj, ndryshe do ta tregojmë ne kuponin tatimor…!

Pushuesja, u përmend “të fortëve” të detit, se qeveria u thotë qytetarëve, që askush nuk paguan, nëse nuk merr kuponin tatimor.

Atëherë, pushtuesit e detit, i tregojnë forcën pushueses. E qëllojnë, e rrëzojnë përtokë, e gjakosin…

Policia e Shtetit lajmërohet dhe mbërrin.

Mirëpo, Policia e Himarës e ka “të vështirë” të identifikojë pushtuesit e detit dhe “të fortët” që dhunojnë pushuesit dhe turistët. Nuk merr mundimin as të kontrollojë shtëpitë e dhunuesve të turistes, që ndodhen 10 metra larg vendit të ngjarjes, për më tepër, që është rasti i flagrancës.

E para, sepse shezllonët janë pa leje, edhe pse pushtuesit e detit vjelin pushuesit çdo ditë. Policët e Komisariatit të Himarës përgjigjen, se nuk është detyrë e saj ligjore të merret me bizneset e paligjshme. Pyesim: A ka detyrë ligjore Policia e të çlirojë detin nga pushtuesit, qoftë në ato raste të flagrancës, kur ata dhunojnë pushuesit dhe pushtuesit… Po Bashkia e Himarës përse hesht? Bashkia ka policinë e vet. A ka kontrolluar Bashkia e Himarës, nëse ata që kanë shezllonet tek deti kanë marrë leje ushtrimi profesioni? Apo, punonjësit e Bashkisë së Himarës ndajnë fitimet me pushtuesit e detit? Po Tatimet, si ka mundësi që kalojnë çdo ditë aty dhe nuk kujtohen të kontrollojnë, nëse pronarët e shablloneve tek deti japin apo jo kupon tatimor? Apo bëjnë kontrolle selektive dhe gjobitin ata biznesmenë që nuk janë të …Partisë?

Qytetarja e dhunuar nga “të fortit” që bëjnë ligjin në Bregdetin shqiptar, duhet të shkojë nga Himara në Vlorë, që të marrë një raport mjeko-ligjor për shkallën e dëmtimit të saj nga dhuna, që iu ushtrua nga “të fortit” e Bregdetit të Qeparoit, sepse në Himarë spitali nuk ka mjek ligjor dhe asnjë mjek nuk mund të japë dot asnjë raport mjekoligjor ndaj pacientëve të dhunuar.

Gazeta “Telegraf” i drejtoi ministres së Shëndetësisë Manastirliu, pyetjen se, a ka mjek ligjor spitali i Himarës? Dhe si ka mundësi që, siç pohon për “Telegraf” Komisari i Policisë së Himarës, spitali i Himarës, as në sezon turistik, nuk ka mjek ligjor, të japë një raport mjekoligjor, por të dhunuarit duhet të shkojnë në spitalin e Vlorës? Ministrja e Shëndetësisë zonja Manastirliu nuk denjoi të përgjigjet dhe ne e …mirëkuptojmë, sepse ministrja e Shëndetësisë tërë kohën është shumë e zënë me koncesionet dhe tenderët që jepen të panumërta në Shëndetësinë publike. Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Qarkut të Vlorës Myzafer Islamaj, pohon për gazetën “Telegraf” se Himara ka qendër shëndetësore dhe nuk ka në organikë mjekë ligjor, sepse atje mjekët japin shërbimin shëndetësor, por nuk kanë formularë të plotësojnë për raporte mjekësore. Kështu, që pacientët duhet të mundohen deri në Vlorë, të humbasin ditë, kohë, shpenzime për një copë raporti mjekoligjor, sepse shteti qindra miliona euro çdo vit fonde për shërbimin publik mjekësor i shpenzon për koncesione.

“Të fortit” kanë pushtuar detin edhe në Durrës, në Vlorë, duke detyruar pushuesit dhe turistët të paguajnë për çdo shezllon deri në 10.000 lekë, dhe as bashkiatë, por as policia nuk ndërhyjnë të vendosin ligji, të çlirojnë Bregdetin dhe t’u japin mundësi qytetarëve të pushojnë, ndërkohë, që bashkitë luftojnë çdo misërpjekës, çdo fshatar që shet qoftë edhe një kokërr qepë në rrugë, dërgojnë kundër tij edhe gjithë ushtrinë e Policisë Bashkiake, i sekuestrojnë fshatarit edhe vezën, edhe qepën, sepse nuk ka .. leje të ushtrimt të profesionit të tregtarit!