Në PS, ka politikanë që janë nën influencën ruse

637
Sigal

Flet diplomati Spartak Topollaj/ Sa real është ndikimi rus në Shqipëri dhe akuzat në politikën shqiptare. Deputetë, ministra dhe politikanë të rinj e të vjetër hanë dreka dhe darka me personelin e Ambasadës dhe ftohen për vizita në Shën Petersburg e Moskë. Bllokimi i njohjes së Kosovës, dora ruse në rishikimin e kufijve, NATO, dhe si u realizua takimi i nënkryetarit të parë të KGB-së ruse me ish-studentë të shkolluar në BS

Deputetë, ministra dhe politikanë të rinj dhe të vjetër hanë darka dhe dreka me personelin e ambasadës ruse apo ftohen për vizita në Shën Petersburg e Moskë. 20-vjetori i ndërhyrjes së NATO-s dhe SHBA. Bllokimi i njohjes së Kosovës nga Rusët dhe  ëndrra shekullore e tyre për të dalë në Adriatik. Dora ruse në rishikim të kufijve

Flet diplomati Spartak

Në PS ka politikanë që janë nën influencën ruse

Zoti Topollaj, sipas jush, sa real është ndikimi rus në Shqipëri dhe si do i komentoni akuzat e ndërsjella në politikën shqiptare mes mazhorancës dhe opozitës. Sa të mbrojtur jemi dhe cili është roli i institucioneve të specializuara?

Rusia dikur ishte një superfuqi, sot është një fuqi relativisht e madhe dhe që nuk mund të injorohet. Dhe si e tillë patjetër që gjatë gjithë historisë së saj, çështjeve të spiunazhit, të zbulimit dhe të kundërzbulimeve i ka kushtuar një rëndësi të madhe, sepse kështu ndodh me të gjitha fuqitë e mëdha që kanë interesa globale. Nisur nga këto unë mund të them dy fjalë për historikun e shërbimeve sekrete të Rusisë, që nga koha kur ato u themeluan në 1565-n. Pra në shekullin e 16-të, nga i famshmi ose i tmerrshmi Ivan Groznje, pra Ivani i tmerrshëm. Ai i quante ‘opricnina’ shërbimin e tij sekret dhe ‘opricnina’ kishte 6 mijë agjentët me kuaj të zinj dhe të veshur me rroba të zeza që tmerronin vendin. Pas tij shërbimi sekret Rus i kombinuar gjithmonë edhe me kishën ortodokse u modernizua në periudhën e të madhit tjetër Pjetrit të Parë ose Pjetrit të Madh. Në 1725-n dhe ai ndërtoi armën e tij sekrete ‘preu braznik- pri kazni’ që do të thotë pak a shumë në shqip ‘urdhri i preo zbraznit-ishte një tempull në një fshat, një manastir i vjetër ku ishin mbledhur njerëz super të besuar të Pjetrit të Parë. Duke ardhur në shekuj gjithmonë për Rusinë Cariste, vijmë tek Cari i fundit, i cili kundërzbulimin e tij dhe spiunimin e kishte ndër më famëkeqen, Orhanën. Për kuriozitet, i rekrutuar nga Orhana ka qenë dhe vetë Josif Stalin. Ky ishte një shërbim sekret i tmerrshëm, që natyrisht godiste revolucionarët Bolshevikë apo Menlshevikë etj., etj., deri sa Revolucioni i Tetorit solli në fuqi sovjetët, Leninin dhe më pas Stalinin, të cilët menjëherë në mbështetje të mësimeve nga kundërzbulimi i Carit krijuan organizatën e tyre të parë të policisë sekrete të quajtur ÇEKA; është bashkim inicialesh. Në krye të secilës për 3 herë ka qenë ebreo-polaku famëkeq Feliks Edmundoviç Xherxhinski, më vonë kjo strukturë u transformua dhe mori disa emra si NKVD, KGB, GU, GPU, FSB etj. Në pjesën më të madhe të kohës nën pushtetin Sovjetik shërbimi sekret rus, ka qenë një shërbim shumë i fuqishëm, historikun e të cilit e kanë bërë në mënyrë të shkëlqyer dy personalitete të kësaj bote; njëri është anglo-amerikan Christopher Endriu, dhe tjetri është rusi Oleg Gordjevski. Ky ishte dhe agjent i amerikanëve siç ishte dhe Kalugini agjent i anglo-amerikanëve. Për ta mbyllur, e fundit është që shumë nga dokumentet e arkivit të tmerrshëm të KGB-së u nxorën nga një personalitet i madh i botës së KGB-s dhe të kundërspiunazhit rus, i famshmi Vasili Mitrokin, i cili është dhe autor i best-sellerit të quajtur “Dosja Mitrokin” ose arkivi Mitrokin. Ky u arratis në Londër dhe nxori 22 mijë mikrofilma me të gjithë dokumentet e policisë sekrete sovjetike të kohës së Stalinit, Hrushovit, edhe deri në ditët tona.

Pse flitet kaq shumë sot për vitet e fundit, muajt e fundit, por edhe më intensive këto kohët e fundit, për çështjen e ndikimit rus në vendin tonë. Po ju përsëris pyetjen, a ka një rrezik real, ka të dhëna të reja që vijnë në këtë situatë në vendin tonë apo është thjesht përpjekja për transferim vëmendjeje?

Ndikimi rus nuk ka qenë gjithmonë ose më saktë nuk është i tanishëm. Ndikimi Rus edhe në Shqipëri ka qenë i hershëm. Duhet ta pranojmë që në Ministrinë e Brendshme të regjimit Stalinist të Enver Hoxhës Kryekëshilltarët ishin të gjithë sovjetikë dhe çdo sekret apo çdo radiolojë që u organizua për të dërguarit nga Amerika, Anglia, Italia e Greqia që quheshin atë kohë, diversantë, të gjitha këto radioloja i drejtonte agjentura sovjetike dhe KGB-ja, e cila kishte krye këshilltarët e vet. Kulmi është, se kur e dënuan ministrin legjendar të punëve të brendshme të Shqipërisë, ish-anëtarin e byrosë politike Kadri Azbiun, në ’83-shin, një nga akuzat e rënda që i bënë ishte, pse ti i ke dhënë sekretet Bashkimit Sovjetik nëpërmjet këshilltarëve!?.

Çfarë ndodh sot, pse sot në vitin 2019, rihapet çështja ruse ?

Vetëm një paragraf të shkurtër, do më duhet të futem në histori. Me prishjen e marrëdhënieve shqiptaro-sovjetike Enver Hoxha u kujtua të dënojë disa kundërshtarë të tij si agjentë sovjetikë, por kjo ishte më shumë një show, sepse e vërteta është që deri në politbyro ishte prania e agjenturës ruse, madje kanë dyshuar dhe vetë Ramiz Alinë si njeri që, jo pse kishte studiuar atje, por Alia dhe disa nga krerët e politbyrosë dhe Komitetit Qendror ishin të përfolur si agjentë sovjetikë. Dhe në rastin e refuzimit, qëndrimit reflektar që u mbajt ndaj personalitetit të madh Gjerman Franz Josef Shtraus, i cili bëri oferta të jashtëzakonshme për Shqipërinë. Refuzimi ndaj tij u bë me urdhër nga jashtë. Të mos harrojmë që në krye të KGB-s përveç Xherxhinskit ka qenë Berja, një nga shpatat e mprehta të diktaturës staliniane, i cili përfundoi vetë si të gjithë paraardhësit e tij Mezhinski, Goda Jezhovi e të tjerët dhe kanë qenë dhe dy personalitete që u bënë President Juri Antropov më jetëgjati 15 vjet 67-82 dhe aktualisht Vladimiroviç Putin, i cili gjithashtu vjen nga radhët e KGB-së deri nga kreu i KGB-së. Ky është është historiku… Tani për influencën ruse, natyrisht që mund të flitet dhe nuk kam pse ta përjashtoj, por ajo që është më e ndjeshme në momentin aktual, është se po akuzohet gjoja për lidhje ose influencë me rusët, opozita shqiptare. Këtu ka vend për t’u ndalur. Opozita shqiptare që lindi nga themelimi i partisë Demokratike në Dhjetor të ’90-s nga Lëvizja Studentore që ishte një lëvizje dhe është një forcë politike me vokacion perëndimor, ishte e para që u preferua në SHBA dhe unë e mbaj mend si sot që vizitën e parë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës e bëri një delegacion i Partisë Demokratike me në krye Zotin Berisha, me Azem Hajdarin, Gramoz Pashkon, etj., të cilët shkuan në Kongresin Amerikan dhe sapo u zgjodh Presidenti Berisha u prit në zyrën ovale. Berisha është i vetmi Kryetar Shteti Shqiptar i pritur zyrtarisht në zyrën ovale nga dy presidentët, nga Bushi i madh, Bushi I senjor dhe nga Presidenti i shquar Bill Clinton.

Po pse atëherë akuzohet opozita? Si e shihni ju, ka të dhëna konkrete?

Çështja për të cilën kundërshtarët e Partisë Demokratike, mazhoranca më saktë dhe disa nga krerët kokëbosh të saj, për mendimin tim, se të thuash një gjë të tillë duhet të jesh shumë naiv, lidhen me lobimin e Partisë Demokratike, i cili është një lobim normal, me dokumente, siç bëjnë të gjitha forcat politike të Evropës.

Ka dritëhije ende mbi atë lobim, të cilat nuk po arrijnë të zbardhen as nga vetë Partia Demokratike?

Natyrisht që ka, ashtu siç ka dhe për vetë Trampin që e akuzojnë për influencë ruse, por sapo ka përfunduar raporti i prokurorit special, i cili do të publikohet edhe me këmbënguljen e vetë presidentit Tramp, ai ka dhënë OKAY që ky raport të bëhet publik. Për mua ky është një avantazh i madh i Presidentit Tramp, përderisa ai kërkon vetë që raporti të bëhet publik, pra nuk i djeg ndonjë gjë për influencën ruse dhe ndërhyrjen në zgjedhjet e fundit për President të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Besoj që Presidenti Trump do të dalë i pastër dhe kjo nuk ka asnjë dyshim. Tek ne tani bëhet fjalë për lobimin, normale që çdo lobim ka një faturë, faturat janë të dokumentuara. Në Amerikë gjen nga të gjithë kombet dhe kombësitë e botës edhe mund të qëllojë që njeri të jetë rus edhe ai të ketë lidhjet e tij. Mazhoranca e mbështet kazusin e saj për lotimin dhe ka gjetur një emër, Nikmuzin. Ky duhet të jetë më shumë hebre, për mendimin tim, sesa rus, po kjo nuk ka rëndësi. Dhe e gjitha shumohet pasi nuk ka asgjë të paligjshme.

A ka ndërhyrje në politikën shqiptare që vijnë nga ndikimi rus?

Kjo nuk përjashtohet, domethënë duhet të jesh naiv të mendosh që Rusia me kaq interesa në Ballkan, të rrijë neutrale. Ishte Rusia ajo që 20 vjet më parë zbarkoi e para në aeroportin e Prishtinës, teksa pa që NATO-ja çliroi Kosovën.

b040804a 8 April 2004 2nd Meeting of the Military Committee in Permanent Session in 2004 Overview view of the meeting in session.

Po për t’u fokusuar tek politika shqiptare aktualisht…

Pra, rusët kurrë nuk e kanë nënvlerësuar Shqipërinë, unë mund të kujtoj dhe një detaj. Në Shqipëri nën maskën e Zëvendës Kryetarit të Komitetit Shtetëror të Turizmit të Rusisë erdhi vëllai i Ministrit të Jashtëm Andrey dhe Sergey Kosarev. Janë dy vëllezër, por në të vërtetë njëri prej tyre ishte nënkryetari i parë i KGB-së ruse. Një njëri jashtëzakonisht i rëndësishëm për të cilin dhe ambasadori i kohës, mos gabohem Viktor Nerubajllov, u interesua shumë që të instalohej ne Hotel “Dajti” dhe të merrte apartamentet më luksoze bashkë më bashkëpunëtorët e tij. Dhe u vërtetua që, gjoja rastësisht, ai i takoi gjatë rrugës për në Sarandë , tre ish-studentë shqiptarë që kishin studiuar në Bashkimin Sovjetik me të cilët kuptohet se çfarë mund të ketë biseduar. Takimi s’ka qenë kurrë rastësor, që një nënkryetar i Komitetit Shtetëror të Turizmit, në të vërtetë nënkryetar i KGB-së, takohet me tre ish-studentë shqiptarë. Kjo është në fillimet e demokracisë. Pra rusët nuk ishin indiferentë. Ndërsa tani e vërteta është kështu: Në këto momente që opozita shqiptare, duke mos pasur alternativë tjetër, mbasi këmbënguli për zbulimin e shumë të vërtetave që prokuroria i kishte mykur nëpër kasaforta, nëpër dosje 339 apo 184, pak rëndësi kanë numrat, nuk kishte më asnjë alternative tjetër. Me faktet dhe përgjimet nga vetë Prokuroria e Krimeve të Rënda vërtetohej implikimi në zgjedhje, në blerje dhe shitje votash e të tjera, pa folur për korrupsione, për tenderë e këto që s’kanë nevojë të diskutohen se iu kanë ardhur shqiptarëve deri në majë të hundës, se përditë këto dëgjojnë. Dilte implikimi i tyre dhe asnjë reagim as nga prokuroria as nga qeveria për të gjitha këto skandale që drejtues të lartë lokalë apo dhe qendrorë të Partisë Socialiste ishin të implikuar në këto dosje dhe në këto afera. Nuk kishte rrugë tjetër opozita, pasi paralajmëroi disa herë e bojkotoi parlamentin dhe më në fund vendosi djegien e mandateve.

Ku lidhet kjo me vendimin rus?

Tani kjo lidhet këtu dhe lidhja është shumë e thjeshtë, madje edhe shumë e kuptueshme. Nuk është se do zbuloj unë ndonjë gjë të madhe. Vetëm do të them që, menjëherë u gjendën listat apo disa deputetë listash, të cilët u treguan shumë të gatshëm, ngaqë edhe ju digjej barku, më falni për shprehjen, domethënë për perëndimin me fjalë dhe për ndërkombëtarët, shprehje siç e përdorin ata. Domethënë ndërkombëtarët marrin prioritet para çështjes kombëtare këtu tek ne. Kjo është një traditë jo e re, të kujton një trashëgimi socialiste, (kujto marrëdhëniet me jugosllavët, rusët dhe kinezët) se ndërkombëtarët ne do t’i respektojmë do t’i vlerësojmë, por zot shtëpie nuk kemi pse bëjmë dhe nuk duhet t’i bëjmë. As ndërkombëtarët nuk na bëjnë ne zotër shtëpie, ke parë ti që të na pyesin ne ndonjëherë amerikanët, francezët apo gjermanët se çfarë të bëjmë ne në Gjermani? Kështu që ka disa norma, sado që ata janë nga vende demokratike dhe ne drejt atyre kemi kërkuar, kërkojmë dhe do të kërkojmë të shkojmë, por jo për ti pasur zot shtëpie, secili ka shtëpinë e vet. Këta emra që dolën tani lënë një shije jo të mirë edhe për faktin se çuditërisht janë parë shpesh me personel të ambasadës ruse.

Keni të dhëna konkrete për këtë?

Po, natyrisht që nuk mund të fantazojmë ka dhe të dhëna konkrete, që nuk më takojnë mua, se ju takojnë organeve ligj-zbatuese dhe të specializuara, por fakti që hanë darka dhe dreka me personelin e ambasadës ruse, pikërisht në këto situata apo ftohen për vizita dikush në Shën Petersburg e dikush në Moskë e dikush në vende të tjera të Ish-Bashkimit Sovjetik, pra të Rusisë aktuale, tregon që nuk është pa gjë. Se siç thotë populli, ku ka zë s’është pa gjë.

Ku shihet ky interesi rus, marrim një situatë si ajo që po aludojmë, për sa kohë që nuk ka fakte e të dhëna konkrete. Nëse do të ishte kështu çfarë ndikimi do të kishte Rusia në situatën aktuale politike?

Rusia…, po ta them unë është shumë e thjeshtë. Rusia është shumë e interesuar për të ardhur në pushtet përmes atyre që i pati atje. Që do të thotë, se një pjesë e tyre mund të jenë lehtësisht të manipulueshëm nga politika dhe nga investitori rus.

E keni fjalën për deputetët e rinj?

Edhe për deputetët e rinj, edhe për deputetë të vjetër edhe për politikanë të rinj edhe për politikanë të vjetër, s’mund t’i përcaktosh me emra, se nuk është detyrë e imja, por këtë e them me bindje të plotë, që dora e gjatë e Putinit dhe ylli polar i Kremlinit është influent dhe prezent edhe në Shqipëri. Kjo nuk përjashtohet në mënyrë absolute. Fakti që ambasada ruse këtu dhe ambasadori Aleksandër Karpushin reagon gjithmonë dhe, natyrisht, kur nuk të djeg asgjë s‘ke as pse reagon dhe s’ke as sepse shqetësohesh. Fakti që kur dalin të tilla tema ata reagojnë me një lloj prepotence dhe me një lloj cinizmi dhe fakti tjetër që vazhdojnë me këmbëngulje të madhe të mos e njohin Kosovën dhe të zbatojnë politikën e standardeve të dyfishta dhe shumë herë dhe të shumëfishta, si t’ju interesojë atyre. Kur është problemi ta zemë për Krimenë që e pushtuan ushtarakisht dhe janë mbi dhjetë mijë të vrarë dhe nuk janë pak, ata thonë, që ne kemi të drejtë që atje ka popullsi të madhe ruse. Mendohet që të jetë 60 me 40 raporti mes rusëve dhe ukrainasve, ndërsa në Kosovë që 95% ishin shqiptar që janë pasardhës të ilirëve dhe të arbërve, jo vetëm që nuk e njeh Kosovën, por vazhdon të këmbënguli që Kosova është pjesë e Serbisë.

Ka një rrezik real, serioz apo është duke iu referuar këtu deklaratës së Zotit Meta në ditët e fundit kur tha se: “Po katandiset si rreziku anglo-amerikan në kohën e diktaturës”?

Këtu e gjykoj të drejtë qëndrimin e presidentit.

Përse?

Nuk mund të themi dhe nuk jemi në atë shkallë, sepse, të jem i sinqertë, edhe brenda Partisë Socialiste pjesa dërrmuese e tyre patjetër janë atdhetarë, janë shqiptarë edhe duan vendin e tyre siç e duam edhe ne. Deri këtu nuk mund ti akuzojmë. Ka aty nëpër të, ashtu siç shpjeguam më parë, që janë nën influencën ruse e të tjera, por shumica dërmuese jo, në asnjë mënyrë. Kështu që në këto rrethana shprehja e Presidentit që po na kujtoni veprën e komandantit legjendar qoftë –largut Enver Hoxha për rrezikun anglo-amerikan për Shqipërinë, kështu edhe këta po mundohen tani ta paraqesin si rreziku rus për Shqipërinë. Rreziku rus nuk mund të jetë i tillë, e dinë mirë dhe rusët, që këtu është Amerika edhe Perëndimi, është NATO-ja. Derisa është NATO-ja ata kanë tentuar të bëjnë dhe diçka tjetër, kanë ngritur dhe kanë subvencionuar me shuma të mëdha…. Me shuma të mëdha një bazë sekrete, speciale nën maskën gjoja të gazetarëve, studiuesve, reporterëve, fotoreporterëve etj., në afërsi të Nishit dhe prania e tyre kaq afër e pajisur me aparatura të sofistikuara përgjimi të tipit IMSI Catcher e të tjerë për të përgjuar të gjitha, sepse sot me mjetet që ekzistojnë, mjete të sofistikuara është shumë e lehtë të përgjosh edhe deri internetin e bisedave telefonike, email e të tjera, e të tjera. Kështu që ata interesimin e kanë të vazhdueshëm. Ku është qëllimi? Kjo është e qartë. Me shkëputjen edhe të Malit të Zi nga Serbia, rusëve iu pre përfundimisht ëndrra shekullore e carëve që në kohën e Pjetrit të Madh, e admiralit Ushakov e me radhë që të dilnin në Adriatik. Po këto në mënyrë gjeniale, edhe pse artistikisht i përshkruan gjeniu i letrave shqiptare Kadareja i Madh tek “Dimri i madh” tek “Muzgu i perëndive të Stepës” dhe te shumë nga veprat e tjera, pasi ai e njeh mirë dhe Rusinë dhe mentalitetin e tyre.

 Zoti Topollaj, 20 vite më pas nga bombardimet e NATO-s, si e shihni faktin që flitet ende për rishikim të kufijve?

Këtu kam frikë se më ke dalë shumë bukur te ajo që desha të them që në fillim. Ndoshta edhe mua më shpëtoi, sepse edhe koha është intensive etj. Këtu kam frikë se është edhe dora ruse.

Pse? Si e shihni këtë?

Nuk është tek pala shqiptare kuptohet, por është insistimi i rusëve që të hapet ‘Kutia e Pandorës’ të dalë gjoja ajo që, herë i thonë te dermarkimi i kufijve demarkacioni herë tek korrigjimi. Gjejnë lloj-lloj emrash të bukur për të gënjyer. E vërteta është kështu: Çdo korrigjim i kufijve, në këtë rast midis Kosovës dhe Serbisë, do të ishte fatal dhe me pasoja të paparashikuara. Unë kam fjalët më të mira për Kryeministrin Haradinaj dhe për këmbënguljen e tij, qoftë edhe për mos heqjen e taksës 100% për mallrat serbe, sepse Evropa po e llaston Beogradin. Në këto rrethana mendoj që: Së pari, duhet kërkojnë falje serbët për krimet që kanë bërë dhe së dyti, Evropa dhe ne këtë rast, Gjermania dhe Kancelarja e respektuar Merkel, autoritet absolut në Evropë dhe BE duhet t’u kërkojë çuditërisht po heshtet duhet t’u kërkojë Beogradit, përse nuk e liron linjën e interkonjeksionit që lidh energjinë e vendeve, që lidh Kosovën me Serbinë dhe Shqipërinë e investuar kjo nga Bashkimi Evropian me një shumë rreth midis shtatëdhjetë dhe tetëdhjetë milionë eurove. Ne e respektojmë si diplomat që ka qenë përfaqësues i Shteteve të Bashkuara në Kombet e Bashkuara, ka qenë dhe është aktualisht këshilltar i Sigurimit Kombëtar Jon Bolton. Po ai është mesa duket i vetmi zë relativisht i fuqishëm në politikën amerikane që kërkon bisedime mbi bazën e një marrëveshjeje për shkëmbimin e territoreve. A ka influencë ai deri në fund tek Trampi? Ne do të shikojmë. Unë besoj se ka dhe të tjerë në Kongresin Amerikan: Republikanë apo Demokratë qofshin që nuk duan ta hapin një ‘Kuti Pandore’ të tillë në Ballkan, sepse kjo do të shkaktonte, reperuksione të rënda për të gjithë shtetet, qofshin edhe për fqinjët tanë. Po e përmbyll me 20-vjetorin e fitores së NATO-s dhe fitores së popullit të Kosovës, Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës por edhe e FARKU-t Forcave të Republikës së Kosovës të udhëhequr nga Rugova, Presidentit të nderuar që kërkoi zgjidhje paqësore deri në fund dhe ia arriti qëllimit. Ai kishte vetëm një parim: Kosova Republikë, Kosova Demokratike, Republikë dhe çdo gjë të zgjidhet me paqe. Millosheviçi nuk e dëgjoi, e thirri dhe në Beograd dhe njerëzit e anatemuan Rugovën, por ai u tregua burrë i madh, politikan i madh dhe vizionar i jashtëzakonshëm. E paralajmëroi Millosheviçin dhe në fund erdhi Hollbruku, buldozeri dhe i tha: “Mjaft, deri këtu ju duruam tani prisni apashët, fantomët, bengjishat që nuk i kapin as rrezet lazer.” Kjo ishte.

Faleminderit zoti Topollaj!