“Ne jemi për një koalicion të gjerë, që të garantojë fitoren e opozitës”

478
Sigal

INTERVISTA/Marko Bello, deputeti i PS-së: “Mungesa e dialogut  për konsensusin e integrimit, fajtore e mosmarrjes së statusit”

Viti 2013 politikisht filloi i mbrapshtë, derisa njëanshmërisht Kolegji Zgjedhor mori një vendimmarrje që, në bazë të Kodit Zgjedhor, është kompetencë kushtetuese e KQZ-së. Paraprakisht, shembet kështu ndërtimi, që në themel mirëbesimi i procesit zgjedhor të 23 qershorit, për më tepër që këto zgjedhje janë testi më vendimtar, ndoshta edhe rasti i fundit, që BE-ja i ofrojnë politikës shqiptare për mundësinë e integrimit në Familjen Europiane. Marko Bello, deputeti i PS-së, në intervistën për “Telegraf”, pikërisht mungesën e dialogut maxhorancë-opozitë për konsensusin e integrimit e bën fajtore të mosmarrjes të statusit. Zoti Bello, i përgjigjet gjithashtu, edhe pyetjeve që kanë të bëjnë me aleancat e mundshme, për Çështjen Çame, si edhe pse nuk reagoi as opozita për deklaratat e turpshme të partisë neonaziste greke kundër shqiptarëve  dhe shtetit shqiptar.

– Zoti Bello, viti 2013 filloi politikisht i mbrapshtë, me vendimin e Kolegjit Zgjedhor, që caktoi njëanshmërisht, numrin e ZAZ-ve. Cila është domethënia?

– Nuk është faji i vitit, por i koncepteve të  mbrapshta të Sali Berishës, i cili i kontrollon, shantazhon dhe keqpërdor institucionet. Më vjen që gjyqtarët e Kolegjit zgjedhor pranojnë çdolloj presioni dhe dëshmojnë se nuk janë të aftë të fshehin bindjet partiake, duke i bërë fresk selisë blu. Më shumë se tek numri i ZAZ-ve, më shqetëson precedenti i rrezikshëm që krijohet dhe që vë në rrezik mbarëvajtjen e procesit zgjedhor. Nëse kodi elektoral, i cili është produkti bipartizan, nëpërkëmbet dhe besimi i opozitës venitet, janë të gjitha arsyet për të besuar se edhe zgjedhjet e 23 qershorit të mos arrijnë standardet e kërkuara…Opinioni publik, media, shoqëria civile dhe partnerët tanë ndërkombëtarë duhet ta rrisin fort presionin për ti thënë ndal një tentative të re të Berishës për të vënë dorë mbi zgjedhjet parlamentare. Ky skenar ogurzi i kësaj maxhorance duhet mbytur që në embrion…

– Dështimi për herë të tretë i marrjes të statusit kandidat u trajtua si diçka e papërfillshme, e parëndësishme qoftë për Shqipërinë, qoftë edhe për shqiptarët. Kemi papërgjegjshmëri politike, apo kemi ende kohë që shqiptarët të marrin biletën e integrimit për në Familjen Europiane?

– Tashmë është më se e qartë që Berisha nuk e do integrimin dhe se ai kërkon të gjejë alibi tek mosvotimi i tri ligjeve, duke fajësuar opozitën. Në fakt, është qeveria e tij që ka dështuar në të gjitha drejtimet ajo që mban peshën e kryqit të fajit për mos dhënien për të tretën herë të  statusit të vendit kandidat. Sigurisht, nuk mund të mos pranoj se mungesa e një dialogu real pushtet-opozitë për të lënë mënjanë mosmarrëveshjet dhe gjetur konsensusin e kërkuar për hir të integrimit në Europën e bashkuar, ka rëndësi të veçantë. Ne si opozitë kemi dhënë mbështetjen për shumicën e ligjeve, por nuk mund të mbyllim sytë sa herë qeveria dhe kryeministri shkelin brutalisht ligjet dhe cenojnë pavarësinë e institucioneve…

Edhe PS-ja, por edhe PD-ja, për të nxjerrë përfitim kapital nga ky dështim i mosintegrimit, premtojnë dhe zotohen që me fitoren e tyre elektorale të 23 qershorit, Shqipëria do të marrë (automatikisht) statusin e vendit kandidat në BE. Fitorja elektorale e 23 qershorit, e cilësdo force politike,  është vërtet edhe hapi i integrimit të Shqipërisë dhe të shqiptarëve në BE?

– Zgjedhjet janë “beteja” reale, ku politika ndeshet dhe kërkon të sigurojë mbështetjen e sovranit, për të qeverisur dhe realizuar alternativën që përfaqëson. PS-ja është e bindur se do t’i fitojë zgjedhjet e ardhshme, jo thjesht nga ambicia, por e ndërgjegjshme për misionin që ka për të realizuar: ta qeverisë ndryshe Shqipërinë, për standarde demokratike, punësim, mirëqenie dhe mbështetje për shtresa në nevojë, jo si PD-ja, e cila në këto vite i ka varfëruar shqiptarët, në favor vetëm të një grushti pushtetarësh dhe klientët e tyre, që kanë siguruar fitime të majme, ndërkohë që shumicën e qytetarëve i ka kapur trishtimi dhe zhgënjimi e tani po i humbet edhe shpresa….

– Sa më shumë afrohen zgjedhjet e 23 qershorit, PD-PS tensionojnë klimën politike duke akuzuar njëra-tjetrën për korrupsion. Përse PS-ja nuk i drejtohet organeve të drejtësisë që të denoncojë juridikisht korrupsionin?

– Në një shtet normal, ku demokracia konsolidohet  dhe institucionet demokratike funksionojnë, opozita dhe çdo qytetar-taksapagues duhet t’i drejtohet institucioneve që ligji ngarkon për të adresuar problemet. Kështu edhe me dyshimet, apo akuzat për korrupsion, ku organi që ngre akuzat në emër të shtetit është prokuroria…Veçse, tek ne këto institucione janë të paralizuara, një pjesë të kapura, të korruptuara, ndaj opozita, apo qytetari i thjeshtë preferon t’i drejtohet direkt opinionit, nëpërmjet medias për ta sensibilizuar atë dhe ndërgjegjësuar për rrezikun që i kanoset demokracisë dhe stabilitetit të vendit…Partitë politikë nuk mund të bëjnë drejtësi, por ato kontribuojnë, në parlament, për forcimin e ligjit, ashpërsimin e dënimeve, përzgjedhjen e drejtuesve të institucioneve mbi baza merite, morali dhe qytetarie…PS-ja është e përgjegjshme dhe e ndërgjegjshme për këtë rol, ndryshe nga PD-ja, e cila ka një tjetër qasje, aspak demokratike dhe krejt të dëmshme për fatet dhe të radome e vendit.

– Pardje, kryetari i PS-së u dërgoi ftesë zyrtare LSI-së dhe FRD-së për një aleancë opozitare. Nga LSI-ja, reagimi i zotit Naço ishte se me PS-në që pengoi integrimin, LSI-ja nuk mund të bëjë aleancë. Është e disata herë, që ky refren publik përsëritet. Kjo a nuk është dëshmi i një mungese të një strategjie afrimi për aleancë nga kryetari i PS-së, derisa publikisht afron aleanca dhe po publikisht merr përgjigjet negative?

– Dje Kryetari PS-së, Edi Rama iu përgjigj pyetjeve lidhur me aleancat e mundshme…Nëse do të ishte pyetur edhe për AK-në, besoj se do të kishte dhënë të njëjtën përgjigje. Pra, ne jemi për një koalicion të gjerë që të garantojë fitoren e opozitës dhe nxjerrjen në pension politik të Berishës. PS-ja do të tentojë deri në fund të gjejë sa më shumë aleatë dhe kjo është e natyrshme për çdo opozitë. Sigurisht, ka një moral dhe një program që e bën të pamundur aleancën me të gjithë pa përjashtim…Gjithashtu, populli thotë se, “dashuri me pahir nuk ka”. Nëse disa forca duan të garojnë të vetme, nuk ka asgjë të keqe. Secila parti ka të drejtë të rreshtohet në bllokun që do, disa mund të dalin  të vetme. Aleancat mund të lidhen edhe pas zgjedhjeve, në varësi të verdiktit të popullit. Ne kemi besim se së bashku me aleatët tanë natyralë do të korrim një fitore reale që do të na mundësojë të qeverisim dhe realizojmë programin tonë.

Dje Kryetari i PS-së, Edi Rama, për herë të parë zhvilloi konferencë shtypi me Tvvitter, duke ndjekur shembullin edhe të presidentit Obama. Por, a nuk do të ishte më mirë që PS-ja të ndiqte shembullin e tyre edhe në prezantimin  elektoral të ekipit të mundshëm qeveritar, duke filluar që nga përzgjedhja e kandidatëve për deputetë, që të jenë produkt i zgjedhjes nga strukturat bazë të PS-së, e jo monopol i Kryetarit dhe elektorati të votojë për programe dhe personalitete e jo vetëm partinë?

– Kjo është një pyetje interesante, por nuk më takon mua të përgjigjem. Besoj se për këtë po punon lidershipi i PS-së dhe në kohën e duhur do të kemi gati programin dhe ekipin fitues…

– Kryetari i PS-së, Edi Rama tha se Çështja Çame është prioritet i programit politik, por anashkaloi pohimin nëse Rezolutën Çame do ta votojë në Kuvend. Çfarë më shumë do të bëjë PS-ja, nga ato që kërkon Rezoluta Çame?

– Është e vërtetë se Çështja Çame është tashme pjesë e programit tonë, që do të thotë se ne nuk do të ngurojmë ta adresojmë me durim, duke kërkuar zgjidhjen e kësaj çështje, në frymën demokratike dhe të fqinjësisë së mirë. Është një realitet, të cilit nuk mund t’i fshihet askush.

Heshtja diplomatike, është inferioritet?…

Përse politika zyrtare, por edhe opozita nuk reaguan ashpër për deklaratat e turpshme të “Agimit të Artë” për shtetin shqiptar dhe popullin shqiptar? Ajo parti greke, është parti parlamentare dhe mosreagimi i palës shqiptare, pozitë-opozitë- a nuk dëshmon për inferioritet politik?

– Nuk kemi kurrëfarë problemi apo kompleksi, por gjykojmë se këto grupime ekstremistë që rrahin ujin në havan dhe rreken të na provokojnë, nuk meritojnë të marrin më shumë vëmendje se sa i takon….Thjesht, duhen injoruar me përbuzje, por nëse fitojnë terren dhe radikalizohen, do ta marrin përgjigjen nga gjithë shqiptarët kudo jetojnë. Gabojnë ata që tolerancën dhe frymën tejet miqësore të shqiptarëve në rajon e marrin si dobësi…

– Faleminderit!