Në Ditën e Rinisë thirrje për rininë: Mos braktisni vendin, kërkojini llogari pushtetit

453
Sigal

Në 8 dhjetor, e konsideruar dhe festuar si Dita e Rinisë, shifrat dhe realiteti vijnë shumë kokëforta.

Për të treguar se rinia në Shqipëri jo vetëm nuk mund të festojë, siç bëjnë rëndom shpesh pushteti dhe disa organizata që kërkojnë në këtë ditë të shfaqin një realitet ndryshe, por edhe duhet të ngrejë zërin fort për të kërkuar llogari ndaj pushtetit qendror dhe lokal, komunitetit dhe vetes.

Të kërkojë llogari për 19 fëmijët dhe të rinjtë që humbën jetën jo si pasojë e tërmetit, por si rezultat i kushteve të pakontrolluara të banesave ku ata jetonin, si rezultat i korrupsionit me të cilin ndërtohen banesat dhe si rezultat i heshtjes që shpesh kaplon të rinjtë e pafuqishëm në këtë situatë. Me qindra të rinj këto ditë ikën jashtë vendit për të gjetur një strehë më të sigurtë.

Në këtë ditë, në vend të ikjes e ikjes pa fund nga vendi, të rinjtë në Shqipëri duhet të zgjedhin kërkesën e llogarisë:

– Pse 94 për qind e të rinjve nuk kanë asnjë shpresë për zgjidhjen e problemeve në të gjitha nivelet e qeverisjes?

– Pse 39 për qind e të rinjve vlerësojne papunësinë si problemin e tyre kryesor?

– Pse 89 për qind e të rinjve deklarojnë se bashkitë nuk janë aspak miqësore me ta dhe thuajse 57 për qind e vlerësojnë punën e tyre për rininë me zero pikë?

– Pse 62 për qind e të rinjve nuk besojnë tek asnjë grupim politik, për të trajtuar problemet dhe për të bashkëpunuar me të rinjtë?

– Pse 84 për qind e të rinjve shprehen se partitë politike janë aspak apo shumë pak të hapura për të zgjidhur problemet e të rinjve, duke menduar se në 35 për qind të rasteve konsultohen me të rinjtë vetëm gjatë fushatave elektorale?

Pse nuk kërkoni llogari?

Pse nuk kërkoni llogari për këtë system, që e ndërtuan paraardhësit tanë, por që vetëm ne mund ta ndryshojmë?!

Pse nuk kërkoni llogari për këtë realitet, që na rëndon çdo ditë dhe që vetë ne mund ta ndryshojmë?!

Pse nuk zgjidhni të kërkoni e luftoni për shpresën tuaj të të ardhmes së këtij vendi, por mendoni se shpresa ka vdekur?!

Në Ditën e Rinisë, si një prej tyre, thërras: mos të largohemi nga ky vend, por ejani të bashkohemi dhe të ndryshojmë rregullat në politikë, qeverisje, ekonomi, stabilitet e kudo!