Në 11 maj, Opozita në protestë/ Fronti Opozitar nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet vendore. Ja kushtet dhe strategjia e bashkëpunimit

486
Sigal

Këshilli Kombëtar: Më 11 maj do të organizohet protesta e madhe kombëtare e Opozitës së Bashkuar

PD-ja nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet vendore në 30 qershor

Jakup B. GJOÇA

Tashmë është zyrtare. PD-ja nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet vendore të 30 qershorit, me Ramën si kryeministër. Ky është vendimi që u morr dje nga Këshilli Drejtues i PD-së.

3 vendimet e Këshillit Drejtues

Dje Opozita nuk organizoi protestë përpara Kuvendit, sikurse kishte ndodhur deri tani, që nga dalja e Opozitës nga Parlamenti, edhe pse deri tani ishte zotuar që opozita do të protestonte para çdo seance parlamentare. Nga PD-ja nuk u dha asnjë arsye pse nuk u organizua protestë para Kuvendit, por, dje u mblodh Këshilli Drejtues i PD-së, i cili miratoi 3 vendime të rëndësishme të strategjisë politike që do të ndjekë PD-ja. Sikurse kryetari PD-së Basha deklaroi, vendimet lidhen me zgjedhjet, në të cilin PD zotohet të marrë pjesë në zgjedhje vetëm nëse garantohen se do jenë të lira dhe të ndershme. Vendimet: PD-ja të regjistrohet në zgjedhje vetëm pasi të jenë krijuar kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Situata aktuale politike në Shqipërisë, nuk mundëson standardet demokratike për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Është provuar se Qeveria e Edi Ramës ka bashkëpunuar me krimin e organizuar për blerjen e votave. PD-ja të mos lejojë mbajtjen e zgjedhjeve fasadë, që shkatërrojnë demokracinë dhe vullnetin e qytetarëve shqiptarë. Të mandatojë Kryetarin e Partisë dhe Sekretarin e Përgjithshëm për të negociuar me partitë politike të opozitës marrëveshjen për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, mbrojtjen e interesit publik dhe formalizimin e aksionin opozitar për arritjen e këtyre qëllimeve.

11 maji, protesta e madhe e opozitës

Gazeta “Telegraf” ka mësuar nga burime të mirinformuara pranë PD-së se opozita ka vendosur të thërrasë disa mijëra qytetarë në një tjetër protestë masive në Tiranë, më 11 maj. Këto burime konfirmuan se, më 26 maj në Shqipëri pritet të mbërrijnë zyrtarë të nivelit të lartë për të negociuar për krizën politike në vend.

 

Basha: Ose zgjedhje të lira, ose nuk do lejojmë zgjedhje farsë

Kryetari i PD-së Basha, pas mbarimit të mbledhjes së Këshillit Drejtues të PD-së u shpreh se do të hyjnë në zgjedhje vetëm kur të mundësohet dhe të jenë garancitë për kryerjen e tyre në kushte të lira dhe të ndershme. Basha gjithashtu theksoi se PD-ja do pamundësojë kryerjen e zgjedhjeve të vjedhura dhe të komanduara nga Rama të cilat prodhojnë krim elektoral. “Misioni ynë është i qartë, Këshilli Kombëtar, në përgjigje të aspiratës për ndryshim ka sanksionuar hapat për betejën tonë politike që ka objektiva të qarta të çrrënjosim krimin, korrupsionin që pamundësojnë mirëqenin. T’i shërbejmë qytetarëve shqiptarë duke i kthyer shpresën dhe mundësinë në shtëpinë e tyre. Vendimi është i qartë PD do të futet në zgjedhje vetëm kur të garantohen kushtet për zgjedhje të lira e të ndershme. Në bashkëpunim me të gjithë grupet e interesit do të shpalosim propozimet tona për mandatin e Qeverisë Tranzitore”-u shpreh Basha nga selia blu.

Luan Rama: Ja marrëveshja e LSI-së me PD-në

Nënkryetari i LSI-së, Luan Rama, në përfundim të mbledhjes së Kryesisë së LSI-së, tha se u vendos të finalizohet një marrëveshje me PD dhe frontin opozitar për garantimin e zgjedhjeve të lira. Luan Rama: Kryesia vendosi të mandatojë Kryetaren e LSI-së të finalizojnë marrëveshjen e bashkëpunimit me PD-në dhe të gjithë Frontin Opozitar për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, për të garantuar jo vetëm mbrojtjen e interesit publik dhe aksionin opozitar, përfshirë këtu edhe detyrat e qeverisë tranzitore, në mënyrë të veçantë duke specifikuar në detyrat e saj edhe platformën për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Problemi i madh që duhet të zgjidhë shoqëria shqiptare është mbi të gjitha që pasi të kemi çuar vendin në zgjedhje të parakohshme përmes qeverisë transitore, t’i çelim rrugën reformimit tërësor te sistemin politik, sepse sistemi aktual politik rezulton i dështuar, i kalbur , i kriminalizuar”.