Ndryshon kodi i familjes, lejohet për herë të parë birësimi te bashkëjetuesit

351
Sigal

Ministria e Drejtësisë ka prezantuar ndryshimet ligjore në Kodin e Familjes dhe Ligjit për Birësimet.

“1. Për herë të parë kemi lejimin e birësimit edhe tek bashkejetuesit, që kanë bashkëjetuar në mënyrë të qëndrueshme dhe të vazhdueshme për të paktën 3 vjet, por edhe nga një person i vetem.

Birësuesit i lejohen disa birësime, me akte të njëpasnjëshme, dhe përbën përparësi nëse birësuesi ka birësuar vëllain ose motrën e fëmijës që synohet të birësohet apo paraqitja e kërkesës për të birësuar vëllezërit ose motrat e tjerë, apo shfaqin gatishmëri për të birësuar të mitur që gjenden në kushte të vështira shëndetësore ose sociale.

Risi është edhe sjellja e një dispozite të re duke detyruar gjykatën dhe njësinë e mbrojtjes së fëmijës pranë pushtetit vendor për të informuar prindërit e fëmijës mbi qëllimin, kushtet ligjore dhe pasojat që do të sjellë pëlqimi për birësim.

Në Kodin e Familjes për herë të parë parashikohet transkriptimi i i vendimit të gjykatës, i cili kur merr formë të prerë transkriptohet në regjistrin e gjendjes civile të vendit të lindjes së fëmijës së birësuar. Ky transkriptim nuk përmban asnjë të dhënë për prindërit biologjikë të fëmijës.

Ministria e Drejtësisë falenderon UNICEF Albania, Save the Children dhe një sërë bashkëpunëtorësh të tjerë kontribues në konsultimin publik dhe do të përfshijë komentet e tyre për të siguruar një ligj përfundimtar të qëndrueshëm dhe cilësor”.