Ndryshimi i vetëm i kufijve, në rajonin tonë është zgjerimi i plotë i kufirit evropian në Ballkanin Perëndimor!

498
Sigal

Presidenti Ilir Meta në Forumin “Transatlantic Leadership Network” të organizuar në Kongresin Amerikan

Në kuadër të vizitës zyrtare në Uashington D.C, Presidenti i Republikës Ilir Meta mori pjesë sot në Forumin “Transatlantic Leadership Network” të organizuar në Kongresin Amerikan me temë: “Ballkani Perëndimor: Si të kapërcehen pengesat në rrugën drejt Bashkimit Evropian”. Presidenti Meta gjatë fjalës së Tij, theksoi ndër të tjera se: “Ndryshimi i vetëm i kufijve, për të cilin duhet të punojmë ditë e natë në rajonin tonë është zgjerimi i plotë i kufirit evropian në Ballkanin Perëndimor!”– u shpreh ndër të tjera Presidenti Meta.

Presidenti  i Republikës, Ilir Meta: Politika e hartuar evropiane për Ballkanin Perëndimor

Fundi i Luftës së Ftohtë, i ndjekur nga ndërhyrjet ushtarake të NATO-s në Ballkan, të udhëhequra nga SHBA, shërbyen si katalizator për dominimin mbizotërues të SHBA-ve dhe BE-së në rajon, duke shmangur çdo përpjekje tjetër për të paraqitur e pozicionuar ndonjë një alternativë tjetër rivale. Hartimi i proceseve evropiane dhe euroatlantike për Evropën Juglindore ishte investimi më i madh strategjik i Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian. Si SHBA-ja, ashtu edhe BE-ja nuk na lejuan që të shndërroheshim në Lindjen e Mesme të Evropës. Konfliktet ndëretnike, politikat shkatërruese si dhe historia e lyer me gjak u zëvendësuan nga bashkëpunimi rajonal, udhëheqja e besueshme si dhe nga vlerat evropiane e transatlantike, duke vendosur themelet për të ardhmen e paqtë, të sigurt e të begatë të rajonit tonë. Ndërkohë që shumë gjëra po merren si të mirëqena, na duhet të risjellim në mendje përparimin e madh që është shënuar në këtë drejtim. Kufiri evropian është zgjeruar edhe më tej me anëtarë të rinj të Bashkimit Evropian. Mali i Zi dhe Serbia po përparojnë në negociatat e tyre të anëtarësimit, të ndjekura nga Shqipëria dhe Republika e Maqedonisë Veriore që gjenden në prag të hapjes së bisedimeve të anëtarësimit. Kosova dhe Bosnja e Hercegovina janë në rrugë të mbarë, edhe pse po përparojnë me një ritëm më të ngadaltë. Integrimi në Bashkimin Evropian është edhe një proces paqeje, edhe një proces demokracie gjithashtu. Ngritja e institucioneve funksionale, e ekonomive të tregut dhe shoqërive moderne që respektojnë dhe promovojnë të drejtat e njeriut, të bazuara në vlerat dhe standardet e përbashkëta evropiane, përbëjnë thelbin e proceseve antarësues të secilit prej gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor. Në këtë pikë do të dëshiroja të shtoja dy politika të tjera shumë të rëndësishme që, sipas mendimit tim, duhet t’i japin formë së ardhmes evropiane të Ballkanit Perëndimor. Së pari, mbajtja e njërit sy hapur përkundrejt sfidave të sigurisë, dhe së dyti, tërheqja dhe sjellja e investimeve më të mëdha evropiane në rajon. Politikat e hartuar evropiane për Ballkanin Perëndimor duhet të forcojnë sigurinë, institucionet dhe ekonomitë tona; duhet të jenë të zbatueshme, transparente dhe të synojnë rritjen e besimit të qytetarëve; plotësisht të përafruara me vlerat dhe standardet evropiane. Bashkimi Evropian nuk duhet të gabojë që të bëjë kompromise në këtë orientim; përkundrazi duhet të ruajë përqendrimin e vet te çështjet thelbësore të proceseve tona përkatëse. Dua të theksoj se përparimi në mënyrë paralele i trajektores së anëtarësimit në NATO ka qenë çelësi, jo vetëm i forcimit të mëtejshëm të sigurisë në rajonin tonë, por edhe i tejkalimit e kapërcimit të hendeqeve të krijuara ndonjëherë nga vakumi evropian. Në vitet e fundit, kemi qenë dëshmitarë se si pranimi i Malit të Zi në NATO dhe Marrëveshja më e fundit e Prespës, e nënshkruar dhe e vulosur tashmë, midis Republikës së Maqedonisë Veriore dhe Greqisë, kanë prodhuar në mënyrë sinergjike një optimizëm të ri në rajonin tonë. Ndryshimi i vetëm i kufijve, për të cilin duhet të punojmë ditë e natë në rajonin tonë është zgjerimi i plotë i kufirit evropian në Ballkanin Perëndimor! Me këtë gjë në në mendje, aspiratat e Shqipërisë dhe të Maqedonisë së Veriut për të hapur negociatat e anëtarësimit dhe për të arritur ata që ndodhen në krye të garës, janë aq intensive sa edhe më parë. Do të doja gjithashtu të ndaleshim e të përqendroheshim të vendimi i mençur dhe i guximshëm i BE-së për ta zbatuar regjimin e lëvizjes pa viza për qytetarët e Kosovës sa më shpejt që të jetë e mundur, dhe në përgjithësi, procesin e shpejtë të anëtarësimit për mbarë rajonin. Ne i kuptojmë vështirësitë që po kalon Bashkimi Evropian. Megjithatë, jemi në solidaritet me partnerët tanë, si dhe kundër çdo lloj loje që mund të verë në rrezik të ardhmen tonë të përbashkët evropiane. Shpresoj që investitorë më seriozë evropianë të sjellin kapitalet e tyre në sektorët strategjikë në ekonomitë tona, me garancinë se do të gëzojnë përparësi dhe mbështetje të plotë, ndërkohë që do të na ndihmojnë të ndalojmë largimin e popullsisë së vendeve tona. Historia e Bashkimit Evropian ka treguar se ngrehina perëndimore u ka mbijetuar me sukses të gjitha sprovave dhe sfidave të ndryshme që dolën në fund të Luftës së Ftohtë. Thellimi dhe zgjerimi evropian kanë ndodhur krah për krah, pa marrë parasysh dyshimet apo hezitimet, të cilat kanë qenë gjithmonë të pranishme.