Ndryshimet në Kodin Zgjedhor, KSHH: Antikushtetuese, ja nenet që bien ndesh

266
Sigal

Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KSHSH) e cilëson si antikushtetues ndryshimin e Kodit Zgjedhor nga ana e Partisë Socialiste dhe opozitës parlamentare. Në një deklaratë për mediat, KSHH ndalet në nenin që garanton kandidimin e kreut të partisë në 4 zona zgjedhore.

Sipas KSHH, kandidimi i kryetarit të partisë në disa zona zgjedhore, shkel nenin 18 të Kushtetutës sonë dhe nenin 14 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut.

“KSHH mendon se shtesa e mësipërme që i është bërë nenit 67 të Kodit Zgjedhor bie ndesh me parimet e barazisë dhe të mosdiskriminimit që parashikon neni 18 i Kushtetutës sonë dhe neni 14 i Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (KEDNJ-së). Rregulli që sanksionohet në ligj se kandidati për deputet mund të regjistrohet vetëm në një zonë zgjedhore, është i drejtë dhe i ligjshëm, por përjashtimi për kryetarët e partive është kompromis që bie ndesh me parimet e përmendura më lart”, thuhet në reagimin e KSHSH.

Sipas KSHH, një kompromis i tillë ka qenë tepër i nxituar sepse është anashkaluar trajtimi i këtij problemi në Raportin e OSBE/ODHIR-it të 14 shtatorit 2009 lidhur me zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit 2009.

Komiteti Shqiptar i Helsinkit thotë se kreu i partisë duhet të ketë të njëjtin status ligjor kandidimi, ashtu si kandidatët e tjerë.

“Përjashtime nuk ka arsye të bëhen: Kryetari i Partisë apo i partisë udhëheqëse të koalicionit i regjistruar në listën shumëemërore ka të njëjtin status ligjor: atë të kandidatit si dhe kandidatët e tjerë”,- thuhet në deklaratën e Komitetit Shqiptar të Helsinkit.