Ndryshimet kushtetuese, Opozita e Bashkuar: Rama po hedh në erë të ardhmen europiane të Shqipërisë

246
Sigal

Opozita e bashkuar ka reaguar pas miratimit ditën e sotme të ndryshimeve Kushtetuese në Komisionin e Ligjeve.

Në reagimin e opozitës thuhet se kryeministri Edi Rama po tenton të prish dakordësin që palët politikën arritën më 5 qershor për reformën zgjedhore.

Po ashtu, në reagim thuhet se “Ky akt minon procesin e integrimit europian të vendit dhe dëshmon përpara opinionit publik, se Edi Rama për pushtetin e tij personal është në gjendje të hedh në erë të ardhmen europiane të Shqipërisë.”

DEKLARATË E KOALICIONIT OPOZITAR

Tentativa për prishjen e Dakordësisë së 5 Qershorit, të arritur me mbështetjen dhe ndërmjetësimin e plotë të partnerëve strategjikë SHBA – BE, është përgjegjësi VETEM e Edi Ramës. Ky akt minon procesin e integrimit europian të vendit dhe dëshmon përpara opinionit publik, se Edi Rama për pushtetin e tij personal është në gjendje të hedh në erë të ardhmen europiane të Shqipërisë.

Çdo lojë e pisët për të ndryshuar në mënyrë të fshehtë dhe të njënashme Kushtetutën nga njeriu që është i tmerruar nga zgjedhjet dhe vullneti i qytetarëve, është dëshmi e fundit të tij të pashmangshëm. Ky akt rikonfirmon se Edi Rama është një mashtrues tinzar që, për pushtetin e tij, shet interesat e vendit dhe të shqiptarëve, rrënon procesin e integrimit europian dhe izolon Shqipërinë, duke kërcënuar rëndë stabilitetin politik dhe  shoqëror të vendit.

Kushtetutën dhe sistemin zgjedhor e vendosin vetëm qytetarët me referendum popullor. Opozita e Bashkuar i bindet vetëm vendimeve që marrin qytetarët dhe jo interesave kriminale të pushtetit personal të Edi Ramës.

Opozita e Bashkuar është e vendosur t’i shërbejë vetëm interesit të qytetarëve. Opozita e Bashkuar mbështet plotësisht qëndimet e qarta të Sekretarit amerikan të Shtetit, Mike Pompeo, Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Europian, Joseph Borrel dhe Komisionerit për Zgjerimin, Oliver Varhelyi dhe rikonfirmon se i qëndron plotësisht kodifikimit pa asnjë ndryshim të Dakordësisë së 5 Qershorit, si baza minimale për krijimin e një klime normale për zgjedhjet në Shqipëri.