Ndihma e grave në zonat rurale, kontribut ndaj varfërisë

566
Sigal

Presidenti Meta në Ditën Ndërkombëtare të Grave dhe Vajzave të Zonave Rurale

Presidenti i Republikës, Ilir Meta vizitoi dje Shtëpinë e Artizanatit “Tradita Popullore” me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Grave dhe Vajzave të Zonave Rurale. Në prani të shumë grave dhe vajzave nga zonat rurale, ambasadoreve dhe të ngarkuarave me punë, Presidenti Meta vlerësoi punën që bëhet në këtë atelie për ruajtjen e traditës, trashëgimisë dhe të vlerave të kombit tonë.

Presidenti Meta: Puna e grave dhe vajzave, në zonat rurale, mësim edhe për përfaqësuesit e institucioneve

Presidenti Meta vuri në dukje se puna e grave dhe vajzave, veçanërisht e atyre në zonat rurale, është e jashtëzakonshme dhe shërben si një mësim edhe për përfaqësuesit e institucioneve. “Është e rëndësishme që kjo punë që ka filluar të mbështetet fuqimisht, sepse për fat të keq shumë zona të Shqipërisë janë braktisur dhe gjeneratat më të reja nuk kanë trashëguar këto tradita dhe cilësi nga të parët e tyre.” – theksoi Presidenti i Republikës. “Këtë atelie të bërë me kaq dashuri dhe sakrifica e shoh si një kambanë alarmi që të angazhohemi pa humbur më kohë për të ruajtur të gjithë këtë pasuri të jashtëzakonshme të pirografisë, etnografisë, folklorit dhe traditave tona. Kjo është shumë e rëndësishme për identitetin kombëtar por edhe për zhvillimin e turizmit. Kjo do të ndihmojë për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, jo vetëm në qendrat urbane, por edhe në zonat më të thella të Shqipërisë. Nuk duhet të harrojmë që zonat më të thella të Shqipërisë janë zona tepër mikpritëse por edhe shumë të pasura në folklor, në veshjet tradicionale dhe gjithçka tjetër që ka të bëjë me identitetin kombëtar. Iniciativa e grave dhe vajzave që merren me këtë sipërmarrje, duhet të mbështetet më mirë nga ne si përfaqësues të shtetit, qeverisë, pushtetit vendor, sepse kjo sjell përfitime të shumta.” – u shpreh Presidenti Meta.

Meta: “Potencialet turistike të fshatit Curraj i Epërm”

“Vizitova fshatin Curraj të Epërm në zonën e Tropojës, një vend me shumë histori, që ka pasur dikur 150 kulla, me bukuri përrallore, por ka qenë totalisht i braktisur nga banorët për shkak të mungesës së shërbimeve sociale. Është një fshat që u braktis nga banorët për shkak të vështirësive dhe që u ribë i njohur nga të rinj çekë që e zbuluan për ‘hiking’, për turizëm. Për fat të mirë, banorët, me angazhim personal, kanë hapur tashmë rrugën për në fshatin e tyre, të ndërgjegjshëm për potencialet turistike që ofron Curraj i Epërm. Gati një mijë veta, jo vetëm nga Shqipëria, por nga Anglia apo vende të tjera, kishin ardhur për të festuar rimëkëmbjen e atij fshati dhe atyre traditave. E përmenda këtë rast, sepse kemi shumë zona të tjera në Shqipëri, që nuk ka arsye pse të braktisen apo të vazhdojnë të jenë të braktisura, që ofrojnë mundësi të shkëlqyera për turizëm malor. Ne e dimë që përveç peizazhit të paprekur, turistët duan jo vetëm ushqime tradicionale por dhe të shijojnë pasuritë kulturore, folklorike të çdo zone. Besoj se mbështetja për vajzat dhe gratë që merren me këtë profesion mjaft të vështirë, është një detyrë shumë prioritare duke filluar nga unë, qeveria, pushteti vendor dhe e gjithë shoqëria. Ne duam dhe duhet të futemi në Evropë, si shqiptarë. Ndaj dhe ky investim i jashtëzakonshëm, bëhet pikërisht në këtë drejtim, që të anëtarësohemi në BE, me veçantitë dhe pasuritë tona kulturore.” – ishin mesazhet e Presidentit Meta.

Presidenti Meta në Ditën Ndërkombëtare të Grave dhe Vajzave të Zonave Rurale: Sipërmarrja e tyre e jashtëzakonshme duhet mbështetur, sepse shërben për ruajtjen e traditës, trashëgimisë kulturore dhe vlerave popullore shqiptare, me të cilat do të anëtarësohemi edhe në Evropë.

Presidenti Meta i dërgon dhuratë ish-kryeministrit Berisha për 74-vjetorin e lindjes

Ish-kryeministri, Sali Berisha feston sot 74-vjetorin e lindjes. Berisha shkruan ndër të tjera se: “Sot është dita e të gjitha ditëve të mia”. Berisha falënderoi familjen dhe mbështetësit e tij ndër vite për udhëtimin mahnitës që i kanë dhuruar. Me rastin e ditëlindjes, Berishën e ka uruar edhe Presidenti i Republikës, Ilir Meta. Mësohet se Meta i ka dërguar Berishës një buqetë me zambakë të bardhë e trëndafila ngjyrë blu, që simbolizojnë dhe ngjyrat e flamurit të Partisë Demokratike. Burimet pohojnë gjithashtu se bashkëngjitur me buqetën me lule, Meta i ka dërguar Berishës dhe një kartolinë.

Princi i Monakos do të vizitojë Shqipërinë me ftesë të Presidentit Meta

Me ftesë të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, Lartësia e Tij e Përndritur, Alberti II, Princi i Monakos do të zhvillojë në datat 16-17 tetor 2018 një vizitë shtetërore në vendin tonë. Lartësia e Tij e Përndritur, Alberti II do të pritet me ceremoni shtetërore nga Presidenti i Republikës, Ilir Meta për të vijuar më pas me bisedimet dypalësh midis dy delegacioneve respektive dhe takimet me autoritetet më të larta në vend. Gjatë vizitës në Shqipëri të Lartësisë së Tij të Përndritur, Alberti II, do të nënshkruhet një marrëveshje bashkëpunimi mes ministrive të jashtme të të dy vendeve dhe një marrëveshje financimi mes Fondacionit të Princit Albert II të Monakos dhe Administratës Rajonale të Zonave të Mbrojtura të Vlorës e Shoqatës “Pisha Flamur” për mbrojtjen e burimeve natyrore.