Ndarja nga jeta e mjekut Nonaj, reagon Presidenti Meta: Shembull frymëzimi për të rinjtë

163
Sigal

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta e mjekut Muharrem Nonaj, pasi nuk e fitoi betejën me Covid-19. Teksa e cilëson si një shembull frymëzimi për mjekët e rinj, patriot dhe familjar model, kreu i shtetit nënvizon se Nonaj do të jetojë përherë në zemrat e të gjithëve ne, të cilët e njohëm nga afër. ”Në këto momente tepër të vështira, për këtë humbje të pazëvendësueshme, ju shpreh ngushëllimet e mia më të ndjera, bashkëshortes Shpresa, fëmijëve të tij, Dr.Blenardit, Matildës e Arlindit, kolegëve dhe të gjithë komunitetit të dashur të Qarkut të Beratit. Lutemi, që shpirti i Tij të prehet në paqen e merituar”,-shkruan Meta në facebook.

Mesazhi i plotë nga Presidenti Ilir Meta

Me hidhërim të thellë mësova lajmin e trishtë për ndarjen nga jeta të mjekut të nderuar, Dr.Muharrem Nonaj, një prej figurave më të dashura dhe të respektuara në krahinën e Skraparit dhe Qarkun e Beratit, i cili humbi jetën në betejë me Covid-19.

Në shërbim të qytetarëve për gati pesë dekada, Doktor Rrekja, siç e thërrisnim të gjithë, do të mbahet mend përherë për devotshmërinë heroike, përkushtimin e jashtëzakonshëm, humanizmin e rrallë dhe zemërgjerësinë e Tij të pashoqe, në ndihmë të çdo banori në nevojë në Skrapar e Berat, veçanërisht për mbrojtjen e shëndetit të tyre nga kjo pandemi e rrezikshme, që i mori jetën pabesisht. Shembull frymëzimi për mjekët e rinj, patriot, qytetar dhe familjar model, kujtimi i Dr.Muharrem Nonaj, do të jetojë përherë në zemrat e të gjithëve ne, të cilët e njohëm nga afër.

Në këto momente tepër të vështira, për këtë humbje të pazëvendësueshme, ju shpreh ngushëllimet e mia më të ndjera, bashkëshortes Shpresa, fëmijëve të tij, Dr.Blenardit, Matildës e Arlindit, kolegëve dhe të gjithë komunitetit të dashur të Qarkut të Beratit. Lutemi, që shpirti i Tij të prehet në paqen e merituar!