Ndarja e re territoriale, PDIU letër me propozime ministrit Çuçi

509
Sigal

TIRANE – Partia Drejtësi Integrim dhe Unitet i ka dorëzuar një letër zyrtare Ministrit të Çështjeve Vendore Bledi Çuçi lidhur me propozimet e saj për ndarjen e re territoriale të Shqipërisë.
Sipas PDIU-së propozimet e bëra vijnë si rezultat i një pune të bërë nga një grup i posaçëm pune i ngritur nga kjo forcë politike dhe se propozimet janë në përputhje me të drejtat e minoriteteve dhe përkatësive etnike.
Në letër theksohet se Shqipëria duhet të ketë një ndarje të re territoriale që nuk duhet të shkojë më shumë se 60-70 komuna.
Reforma administrativo-territoriale është cilësuar si një nga reformat më të rëndësishme të qeverisë e mbështetur edhe nga partnerët ndërkombëtarë, ndërsa pritet që të votohet më 31 korrik në Parlament. Edhe pse nuk kemi ende konsensus mes mazhorancës dhe opozitës për një hartë të përbashkët, qeveria shqiptare është shprehur e hapur për gjetjen e një zgjidhje të përbashkët, sa i përket hartës së re territoriale.
Ja propozimet e PDIU për ndarjen e re territoriale: 
1. Shqipëria ka nevojë për një ndarje territoriale, që shkon nga 60 deri në 70 komuna.Së pari, kjo duhet të shihet si një mënyrë për të pasur një bazë konsensusi, teksa partia më e madhe opozitare shqiptare ka shprehur zyrtarisht mendimin se ndarja nuk duhet të bazohet vetëm në konceptin e rrethit të dikurshëm, por duhet të kemi më shumë njësi të pushtetit vendor. Së dyti, një komunë jofunksionale nuk është vetëm një komunë e vogël, por edhe një komunë shumë e madhe, sidomos në disa hapësira të vendit ku infrastruktura rrugore bën që fshatrat e largëta të një komune të jenë deri në 4 orë larg qendrës së tyre, apo ku për shkak të ndryshimeve historike, brenda të njëjtit rreth ka dy apo tri zona të veçanta kulturore, tradicionale, apo ekonomike. Së treti, në këndvështrimin e grupit të punës së ngritur pranë PDIU-së, është e domosdoshme që reforma administrativo-territoriale të marri parasysh edhe nevojën e integrimit kombëtar, rajonal dhe rrjedhimisht evropian. Në trevat shqiptare, përtej Republikës së Shqipërisë, është ndjekur i njëjti model i ndarjes administrativo-territoriale si në Kosovë, si në Maqedoni, si në Mal të Zi, ashtu edhe në Luginën e Preshevës. Ky model ka qenë i suksesshëm. Nëse ne do të ndjekim të njëjtin model me shtetet tona fqinje, pra nëse do të kemi komuna të të njëjtës madhësi, popullësi, funksionaliteti dhe kompetencash, do të mundësojmë që bashkëpunimi ndërmjet tyre të jetë më i lehtë, duke rritur kohezionin kombëtar, por edhe rajonal, teksa modeli përkatës shtrihet përtej hapësirës sonë kombëtare, duke mundësuar rrjedhimisht edhe një bashkëpunim të gjerë në kuadër të proceseve integruese në BE. Analogjikisht me këto shtete, Shqipëria duhet të ketë 60 deri në 70 komuna. Së katërti, përshtatja e një modeli ekzistues, të suksesshëm, që gjendet në rajonin tonë, do të mundësonte që të uleshin tonet politike, dhe akuzat se aksh forcë politike, po vepron për arsye elektorale, teksa përdorimi i modeleve ekzistuese e heq këtë paragjykim. Së fundmi, vetë qeveria shqiptare ka një variant, variantin e katërt, që i përafrohet këtij modeli. Në këndvështrimin tonë, duhen modifikime serioze në atë variant për të arritur në 60 deri në 70 komuna. PDIU rezervon të drejtën të paraqesë një propozim gjithëpërfshirës në këtë drejtim, vetëm nëse shihet një kohezion i plotë mes qeverisë dhe opozitës.
2. Bashkia e Vurgut, me qendër Kranenë, duhet të ekzistojë, në respekt të minoritetit, duke ndryshuar përbërjen e fshatrave, për të ruajtur funksionalitetin e Sarandës dhe Delvinës.Zona e Sarandës dhe Delvinës, që nis nga Konispoli e përfundon në Himarë, është një hapësirë sui generis në reformën e re administrative. Për shkak të krijimit të një bashkie të re me shumicë minoritare, ajo është hapësira e vetme në vend, në të cilën bashkohen komuna nga rrethe të ndryshme (dy komuna nga Delvina dhe tre nga Saranda; një nga Saranda dhe dy nga Vlora). Për më tepër këto komuna janë në kufijtë e qyteteve përkatëse që janë Delvina, Saranda dhe Konispoli, duke vendosur qytetet, pra qendrat funksionale të hapësirës në fjalë, në cep të bashkive të reja. Në këtë hapësirë, është përdorur një kriter përjashtimor, duke krijuar një bashki të re jo në bazë të funksionalitetit, por në bazë të etnisë. Krijimi i kësaj bashkie të re minoritare dizfunksionale, nuk duhet asesi të krijoj dizfunksionalitet në Bashkinë e Sarandës dhe të Delvinës. Në bazë të hartës së prezantuar nga qeveria, kjo bashki shkatërron funksionalitetin e bashkive përreth. Grupi i punës i ngritur pranë PDIU-së, i qëndron mendimit se bashkia e re, që ka shumicë minoritare, brenda zonave të njohura si minoritet, duhet të ekzistojë, si një pjesë e madhështisë dhe krenarisë së kombit shqiptar, që në ndryshim nga shtetet fqinje, jo vetëm nuk i ka dëbuar apo të ketë ushtruar genocid ndaj minoriteteve, por krejt e kundërta, respekton çdo kërkesë të tyre legjitime. Të frymëzuar nga kërkesat e dretja të shqiptarëve të Çamërisë, ne i përgjigjemi shtetit fqinj, jo sy më sy e dhëmb më dhëmb, por me forcën e shembullit të mirë! Në të njëjtën kohë, për të mundësuar funksionalitetin e Bashkisë së Sarandës, Delvinës dhe Konispolit, është e domosdoshme që si një hapësirë sui-generis që kjo zonë është, të ketë ndërhyrje në fshatrat që janë ngjitur e nganjëherë pjesë integrale e këtyre qyteteve.
3. Duhet të krijohet Bashkia e Konispolit, e përbërë nga Bashkia e Konispolit, Komunat e Markatit dhe Xarrës dhe fshatrat Pandelejmon, Sopik dhe Vagalat, të komunës së Livadhjasë.Së pari, territori i propozuar për Bashkinë e Konispolit ka qenë pjesë e Nënprefekturës së Çamërisë gjatë kohës së mbretërisë, së bashku me pjesën tjetër të Komunës së Livadhjasë dhe një pjesë të komunës së Alikos. Së dyti, ajo është dy orë larg nga qyteti i Sarandës, distanca më e madhe që parashikohet nga reforma e re teritoriale, tërësisht e papërshtatshme për një qeverisje të mirë vendore. Së treti, ky territor gjeografikisht është i ndarë nga Saranda, nëpërmjet Kanalit të Vivarit dhe kodrave mbi fshatin Xarrë. Së katërti, kjo zonë bazohet në bujqësi dhe blegtori, pra, ekonomikisht krejt ndryshe nga Saranda që ka si bazë turizmin. Në bazë të premisës së trajtimit të kësaj zone si sui-generis, përfshirja e fshatrave Pandelejmon, Vagalat dhe Sopik është e domosdoshme. Nga njëra anë, duke qenë se qendra e gravitetit të bashkisë së re minoritare do të shkojë nga Livadhjaja në një fshat tjetër, logjikisht fshati Krane, atëherë këto tre fshatra gravitojnë nga Konispoli. Nga ana tjetër, fshatrat Pandelejmon dhe Sopik kanë banorë të etnisë shqiptare dhe janë në kufi me territorin e Bashkinë e propozuar të Çamërisë. Së fundmi, në kuptimin gjeografik, Sopiku, Vagalati dhe Pandelejmoni gjoegrafikisht i përkasin hapësirës që graviton në Konispol.
4. Bashkia e Sarandës duhet të përfshijë fshatrat Nivicë, Shën Vasil, Çukë, që përbëjnë zgjatim urban të qytetit të Sarandës.Ky territor ka qenë pjesë e Nënprefekturës së Sarandës gjatë kohës së mbretërisë, së bashku me komunat e Lukovës, dhe një pjese të komunave të Alikos dhe Finiqit. Qyteti i Sarandës, si qyteti më i madh i trevës së jugut shqiptar të kufizuar nga malet e mëdha si Llogaraja dhe Mali i Gjerë, sot e ka tejkaluar kufirin e Bashkisë së Sarandës, sidomos në pjesën veriore, ku zona urbane ka kaluar në Komunën e Lukovës (përkatësisht fshatin Nivicë, që shtrihet deri në varrezat e qytetit të Sarandës) dhe zonën jugore, ku zona urbane ka kaluar në Komunën e Alikos (përkatësisht fshatin Çukë dhe vendbanimin Berdenesh, që janë sot pjesë integrale të zonës urbane). Ndarja e propozuar nga qeveria nuk merr parasysh pikërisht këtë  zhvillim urban, çka lë një qytet si Saranda, praktikisht të ndarë në tre bashki të ndryshme. Për këtë propozimi është i papranueshëm. Në zonën veriore, Bashkia e Sarandës duhet të zgjerohet deri në Nivicë dhe Shën Vasil, teksa këto dy fshatra janë vetëm pak minuta larg qytetit dhe rreth 2 orë e 30 minuta larg Himarës. Në zonën jugore, Saranda duhet të zgjerohet në territorin e fshatit Çukë, që janë pjesë e hapësirës urbane të Sarandës, deri në Ksamil. Saranda nuk mund të zgjerohet si vendbanim  urban më tej sesa këto kufij për shkak të karakteristikave gjeografike të saj.
5. Bashkia e Delvinës në projektin qeveritar është dizfunksional. Ajo duhet të përbëhet nga Bashkia Delvinë, Komuna Vergo, fshatrat Muzinë, Pecë, Kardhikaq të Komunës Mesopotam dhe fshati Blerimas (Shijan) i Komunës Finiq dhe nëse merret mendimi pozitiv i banorëve edhe fshati Buronjë.Territori i propozuar për Komunën e re të Delvinës, ka qenë pjesë e Nënprefekturës së Delvinës gjatë kohës së mbretërisë, së bashku me komunat e Finiqit, Mesopotamit dhe Dhivrit. Duke qenë se komunat Finiq, Dhivër dhe Mesopotam janë komuna minoritare, që do të bashkohen veçmas, mbetet vetëm Delvina dhe Vergoi. Kjo do ta dizfunksionalizonte Delvinën. Së pari, qyteti i Delvinës do të mbetej ekstremiteti lindor i bashkisë së re, një situatë anormale. Së dyti, Delvina do të ishte me distancë komuna më e vogël në Shqipëri. Së treti, Delvina, si qendër tregëtar, kulturore dhe historike e zonës, do të shkëputej nga mundësitë financiare për të mbajtur vetveten, ndërsa fshatrat përreth do të humbisnin qendrën e tyre natyrale. Për këtë arsye, është e domosdoshme që Bashkia Delvinë të ketë pjesë përbërëse të saj, hapësirën ekonomike që i ofron rruga e vjetër kombëtare Sarandë-Delvinë-Muzinë, çka do të rriste mundësitë ekonomike të saj. Në rrugën e vjetër kombëtare Delvinë-Muzinë shtrihen fshatrat Pecë, Muzinë dhe Kardhikaq. Të treja këto fshatra janë në distancë më pak se 15 kilometra nga Delvina, ndërsa në krahasim me qendrën e re të bashkisë minoritare, janë shumë më larg. Për më tepër respektohet edhe e drejta e minoritetit, teksa fshatrat Muzinë dhe Pecë kanë shumicë shqiptare dhe fshati Kardhikaq ka shumicë vllehe. Gjithashtu, fshati Blerimas (Shijan) dhe nëse mendimi i banorëve të fshatit Buronjë është pozitiv, edhe këto dy fshatra duhet të bashkohen me Delvinën, si hapësira ekonomike e rrugës Sarandë-Delvinë që do të funksionalizonte bashkinë e re. Fshati Blerimas (Shijan) është me shumicë shqiptare, ndërsa fshati Buronjë është me shumicë minoritare.
6. Në zonën e Gjirokastrës, ku sërish është përdorur kriteri përjashtimor, Bashkia e Libohovës duhet të bashkohet me komunat Qendër-Libohovë, Zagori dhe Pogon.Komuna e Pogonit që është me shumicë minoritare nuk mund të bashkohet me Dropullin, teksa e vetmja rrugë lidhëse ndërjet tyre është pikërisht Libohova, i vetmi qytet i zonës, krahas Gjirokastrës dhe mbi të gjitha një qytet ku graviton Pogoni. Për më tepër, ndër shtatë fshatrat e Pogonit, një fshat, Slecka është me shumicë shqiptare, duke bërë që kjo komunë të ketë lidhje historike dhe kulturore me qendrën e saj, Libohovën.