Nasip Naço: Mazhoranca përbetohet për Reformën në Drejtësi, por nuk pranon të votojë për Vettingun ndaj vetes

471
Sigal

Fjala e deputetit të Lëvizjes Socialiste për Integrim-së, Nasip Naço në Parlament

Doja që fjalën time ta filloja me një lajm të mirë, siç është ai i krijimit të institucioneve të reja të drejtësisë, Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe Këshilli i Lartë Gjyqësor.

Sigurisht nga kjo tribunë do të doja që të bëja thirrje, pavarësisht se u zgjodhën me gogla, këta duhet të zbatojnë në çdo rast Kushtetutën, ligjet dhe jo urdhrat e partisë, sepse as më shumë e as më pak do vrasin besimin dhe shpresën e qytetarëve dhe më shumë të atyre studentëve që kanë mbi një muaj që kërkojnë shpresë se ky vend bëhet.

Unë mendoj që nga ky Parlament do të doja të inkurajoja dhe organet e Vettingut që të vazhdojnë me objektivitet për të larguar nga sistemi i drejtësisë të gjithë ata gjyqtarë dhe prokurorë të korruptuar. Si ministër i Drejtësisë për dy vjet i mbështetur nga ju kolegë të mazhorancës, kam proceduar rreth 44 gjyqtarë dhe nga këta 24 i kam dërguar për procedim disiplinor për shkarkim, dhe fatkeqësisht nuk janë mbështetur nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë.

Sot është koha që të gjithë këta ti nënshtrohen një Vettingu dhe pa dallim.

Të nderuar kolegë. Miratimi i këtij ligji, pra i Vettingut të politikanëve, ka votën time pro dhe të Grupit Parlamentar të LSI-së dhe besoj që ky është një lajm i mirë për qytetarët, për partnerët ndërkombëtarë, për opozitën, e cila me aksione konkrete politike, kërkon që të pastrohet politika nga njerëzit e inkriminuar. Por sigurisht që është një lajm i keq për mazhorancën, e cila nuk e voton sot këtë ligj. Mazhoranca përbetohet se ka bërë Reformën në Drejtësi, mazhoranca përbetohet se ka bërë Reformën dhe Vettingun në Polici, betohet se me dorë të hekurt po largon gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar. Kur vjen puna për të votuar për veten e tyre, nuk pranojnë.

Të nderuar kolegë. Unë besoj se mazhoranca sot e ka kuptuar atë çfarë ka votuar për Sistemin e Drejtësisë, dhe kur ka parë sot se si procedohet për gjyqtarë, për prokurorë, duke filluar që nga Kryetari i Gjykatës së Lartë, Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, gjyqtarë dhe prokurorë të tjerë me përjashtim të Prokurores së Përgjithshme, e cila për hir të së vërtetës e kishte të garantuar dhe nuk denjoi të vinte përpara organeve të Vettingut, sepse do t’ja jepnin. Të gjithë të tjerët janë nënshtruar dhe kanë parë, dhe kur këta politikanë që të gjithë dhe qytetarë, kanë parë se kur ulen në atë tavolinë nuk janë më gjyqtarë e prokurorë që gjykojnë të tjerët, por edhe ata gjykohen nga ky komision, për dietat, shpenzimet, udhëtimet, lidhjet miqësore që kanë, pasurinë e tyre dhe e keni parë se si kanë dalë që të gjithë dhe tani e ka kuptuar mazhoranca dhe nuk pranon që ti nënshtrohet një procesi të Vetting-ut. Për të qenë korrekt të nderuar kolegë, unë besoj që frikë nga Vetting-u nuk kanë deputetët e thjeshtë sepse deputetët e thjeshtë që nga viti 2008 me ndryshimet kushtetuese është Lidershipi i partisë që edhe mund të jenë korrektë në politikë, është ai që i largon, prova ka shumë si majtas po ashtu dhe djathtas, politikanë të ndryshëm me karrierë janë larguar sepse mjafton ora 12 e darkës nuk të regjistron kryetari i partisë dhe ja ka bërë Vetting-u çdokujt.

Fjala sot, është për lidershipin e partive kryesore politike, ndaj atyre do bëhet Vettingu dhe ata, nuk po flas për LSI-në sepse dua ti falenderoj sot publikisht të cilët e kanë firmosur, i dinë pasojat dhe prandaj e votojë, prandaj i mbështes, prandaj i inkurajoj më shumë për të qenë pro kësaj vote.

Nuk e voton mazhoranca sepse ishte kryeministri juaj ai i cili deklaronte për gjyqtarët e korruptuar dhe thoshte më mirë djepi bosh se shejtani brenda, por si mendoni ju këta qytetarë, këta studentë, ndërkombëtarë, a kanë të drejtë edhe at që të thonë më mirë ky parlament bosh se sa me shejtanin brenda dhe t’ju japi shansin që në këtë tempull të vijnë jo shejtan, por deputetë të rinj dhe të marrin stafetën në dorë, dhe sigurisht që ju do ta votoni kundra. Kam parasysh një nga eksponentët e mazhorancës, i cili ndaj akuzave deklaronte dhe nxirrte duart se i kishte të pastra si akullore. Unë besoj që nuk duhet me deklarime, por duhet një komision i posaçëm sipas këtij Vettingu, që të ndajë ata që i kanë duart e pastra si akullore me ata që i kanë duart të pastra si akullore, por me qumësht pluhur. Dhe ky është qëllimi i këtij projektligji. Dhe ky është qëllimi i Vettingut të politikanëve. Ti ndajmë njëherë e mirë ata që janë akullore me qumësht të pastër nga ata që janë me qumësht pluhur dhe kjo nuk është me përbetime të asnjërit. Unë besoj se ju do ta votoni kundër, por besoj se Fronti Opozitar nuk do ta lërë me kaq, me këtë deklarim. Por besoj që lëvizja e radhës e Frontit Opozitar është që ti drejtohet popullit me Referendum. Ti pyesi nëse duan të kenë Vetting për politikanët ose jo. Nëse shansi i Frontit Opozitar dhe nuk e bën, më lind e drejta tu drejtohem nga ky tempull, tu drejtohem shoqërisë civile, qytetarëve, dhe në fund këtyre studentëve që të marrin fatin e Shqipërisë në dorë, sepse ky vend bëhet vetëm me ata.