Nafta, Basha: Nesër fikim makinat 5 minuta, nis pranvera e protestave

506
Sigal

TIRANE – Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka paralajmëruar se protesta e nesërme për fikjen e makinave kundër çmimit të karburantit, do të jetë vetëm nisja e një vale protestash pranverore kundër qeverisë.

Në një dalje për mediat, Kreu i selisë blu, ripërsëriti thirrjen e opozitës për qytetarët që t’i bashkohen ditën e nesërme protestës në orën 11:00  duke fikur makinën për 5 minuta, në shenjë revolte ndaj  çmimit të karburantit në vendin tonë. Kjo pasi sipas Bashës, ulja e çmimit që po ndodh në botë, nuk po reflektohet në Shqipëri. Përkundrazi, siç theksoi ai, në vendin tonë çmimi i karburantit është rritur 2 herë brenda vitit, dhe kjo për shkak të taksave të vendosura nga ana e qeverisë.

“Kjo është mendësia që i sheh njerëzit si skllevër të qeverisë. Një fjalë goje janë taksat për Ramën, iu shoh që mbaheni dhe nuk keni vdekur, u thotë kryeministri qytetarëve. Një fjalë goje është rritja e taksave. Por këto nuk janë fjalë goje, por qindra mijë orë mund të qytetarëve. Erdhi koha që njerëzit të mbrojnë veten. Erdhi koha t’i tregojmë qeverisë se nuk e pranojmë rritjen e taksave. Protesta e nesërme është vetëm hapja e një vale protestash pranverore që nuk do të lejojnë dyshen Rama-Meta të livadhisin. Nuk do të jetë Shqipëria atdheu i padrejtësive.” u shpreh në fjalën e tij Basha


Për kreun e PD-së, e gjitha kjo bëhet për të mbushur xhepat e qeveritarëve, ndërsa shtoi se kjo padrejtësi që po varfëron edhe më tepër shqiptarët nuk mund të vahzdojë më tej.

“Nesër në 11:00 mbajmë protestën e parë të kësaj vale protestash. Shqiptarët do të protestojnë për jetët e tyre. nga rrugët e sheshet e autostradat, do t’u dërgojmë qeverisë një mesazh, se ky vend ka nevojë të kujdeset e përkujdeset për fatet e qytetarëve, dhe jo për një qeveri që shton ankthin e tyre. nesër në orën 11:00 do të ndalojmë makinën për 5 minuta për të iu kundërvënë tiranisë. Çdo ditë njoftohet se çmimi i naftës ulet kudo në botë, vetëm shqiptarët nuk përfitojnë. Kjo ndodh sepse vendi qeveriset nga një arrogant. Ky njeri ka vetëm axhendën e oligarkëve dhe botës kriminale që e rrethon. Ndryshe nga i gjithë globi kryeministri rriti taksat për të marrë edhe qindarkën e fundit. Etja e tij për pushtet është kundër çdo logjike. Si mundet që Shqipëria të jetë jashtë çdo trendi botëror, si në regjimin komunist. si mundet që një kryeministër të bëjë të kundërtën, e asaj që lypset dhe duhet. Në vend që të ndihmojë qytetarët, bëhet makthi i tyre. Ulja e çmimit të naftës, ul koston e transportit dhe të jetesës. Këtu çmimi rritet artificialisht, dy herë në dy vitet e fundit. Mbi 60% e çmimit shkojnë në xhepin e qeverisë.” tha në fjalën e tij Kreu i Partisë Demokratike.

Opozita u ka bërë thirrje qytetarëve që t’i bashkohen protestës së nesërme në orën 11:00, ku në shenjë revolte për çmimin e karburantit, të fikin makinat për 5 minuta.