Naço: Ka gjyqtarë të korruptuar Nishani: Të ndëshkohen

403
Sigal

TIRANE – Në punimet e Konferencës Gjyqësore Kombëtare, ministri i Drejtësisë, Nasip Naço, deklaroi se lufta ndaj korrupsionit në vendin tonë ka bërë progres të kufizuar, dhe se shpesh gjyqtarët përfshihen në praktika korruptive të cilat nuk marrin ndëshkim. Kreu i Drejtësisë tha se institucionet që japin drejtësi në Shqipëri mbeten ende të brishta ndaj korrupsionit, ndërsa theksoi se duhet të rritet më tej efiçenca e sistemit dhe transparenca në gjykata.

Sipas ministrit Naço, klima e mosbesimit që ka përfshirë sistemin e drejtësisë duhet të ndryshohet me reforma.

Ndërkaq, edhe Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, i pranishëm në këtë konferencë, pranoi faktin se sistemi i drejtësisë në vendin tonë ka probleme serioze, ndërsa thekson rëndësinë e vijimit të reformave në këtë fushë. Duke dënuar rastet e abuzimit me detyrën nga gjyqtarë të caktuar, apo të praktikave korruptive në sistem, kreu i Shtetit theksoi rëndësinë e zbatimit të penaliteteve për abuzuesit.

“Bashkohem me opinionin që sistemi ynë i drejtësisë ka probleme, here pas here serioze. Kemi individë që nga pikëpamja profesionale dhe formimit nuk kanë asnjë lidhje me këtë profesion, dhe ju dëmtojnë të gjithë juve, dhe gjithë sistemin e drejtësisë. Këto raste krijojnë krijimin e një perceptimi të gabuar për sistemin tonë të drejtësisë, pasi në Shqipëri ka gjyqtarë me një nivel të admirueshëm profesional. Dhe këtu qëndron beteja. Duhet të penalizohet aktet korruptive. Janë 4 gjyqtarë të përjashtuar nga sistemi dhe të penalizuar. I kam kërkuar Prokurorit të Përgjithshëm që të verifikojnë dhe të jenë hetues të thellë të çdo rasti korruptiv. Duhet me forcën e ligjit të godasin çdokënd që dëmton qytetarit dhe njollos gjithë sistemin e drejtësisë”, tha Presidenti Nishani.

Ndërkaq, ministri Naço solli në vëmendje kërkesat që ka ngritur për përmirësimin e gjyqësorit, siç është nisma për rishikimin e vlerësimit të gjyqtarëve, përmbyllja e procesit të emërimeve në gjykata administrative, dhe zgjidhja e mosemërimit të magjistratëve.

Mbledhja, e cila pritet të zgjasë deri në orët e pasdites, do të zhvillohet në tre panele ku gjyqtarët e të tre niveleve, të Gjykatës së Shkallës së Parë, gjyqtarë të Apelit dhe Gjykatës së Lartë do të diskutojnë mbi problematikat kryesore të drejtësisë.

Xhezair ZAGANJORI: “Të Angazhohemi së bashku për një gjyqësor që përballon sfidat e kohës”

I Nderuar Z. President i Republikës,
Të Nderuar Z. Kryetar dhe Anëtarë të Gjykatës Kushtetuese,
I nderuar Z. Prokuror i Përgjithshëm,
I nderuar Z. Ministër i Drejtësisë,
Të nderuar Z. Magnuson, Z. Sherrard dhe Z. Urias
Të Nderuar të ftuar,

Të Nderuar kolegë gjyqtarë,

Më lejoni para së gjithash të theksoj që në fillim se kjo Konferencë mblidhet në një moment tepër të rendësishëm. Sot më tepër se kurrë, me të drejtë kërkohet nga të gjithë rritja e performanceës, përgjegjësisë dhe profesionalizmit të sistemit të drejtësisë në përgjithësi, e në vecanti e pushtetit gjyqësor. Dhe kjo kërkohet jo vetem për shkak të integrimit, por në radhë të pare, e mbi të gjitha për shkak të nevojës urgjente për t’i shërbyer e për të mbrojtur sa më mirë interesat e qytetarëve, për të konsoliduar demokracinë e brishtë dhe për të forcuar shtetin e së drejtës në Shqipëri. Sigurisht që në këtë kuadër, nuk ka asnjë tryezë apo forum më të mirë se sa kjo Konferencë, për të bërë bilancin e punës sonë të përbashkët dhe për të diskutuar me seriozitet e përgjegjësi jo vetem profesionale por edhe qytetare për problemet, sfidat, të metat dhe dobësitë e angazhimit tonë dhe korigjimin e tyre në të ardhmen.

Në fakt, qysh prej institucionalizimit të sistemit demokratik dhe miratimit të Kushtetutës, sistemi gjyqësor shqiptar ka pësuar ndryshime të mëdha. Megjithatë, vetë dinamika e zhvillimit, transformimet e thella ekonomike e shoqërore, procesi i gjatë dhe i ndërlikuar i kalimit nga diktatura në demokraci, megjithëse edhe pas gati 25 vjetësh, ende imponojnë vazhdimin e reformave në fushën e drejtësisë, me synim arritjen e standardeve të demokracive perëndimore. Një kontribut të çmuar në këtë proces kanë dhënë pa dyshim edhe partnerët tanë ndërkombëtarë, të cilët nëpërmjet asistencës teknike apo mbështetjes financiare për projekte të ndryshme, kanë mundësuar konsolidimin dhe përmirësimin e eficencës së sistemit gjyqësor. Me këtë rast më lejoni që edhe në emrin tuaj, të falenderoj dhe t’u shpreh mirënjohjen disa prej tyre, si; Programit Euralius të Bashkimit Evropian, Përfaqësisë së OSBE-së në Shqipëri, Projektit Just të USAID-it dhe Misionit OPDAT, fondacioneve gjermane IRZ, Hans Seidel dhe Konrad Adenauer, e të tjerë.

Të nderuar pjesëmarrës, sistemi i drejtësisë po i nënshtrohet disa reformave ligjore dhe institucionale, disa prej të cilave janë konkretizuar në një sërë nismash që kanë patur si objektiv konsolidimin e shtetit të së drejtës, ruajtjen dhe garantimin e pavarësisë së gjyqësorit, rritjen e eficencës dhe të kapaciteteve administrative të actorëve të sistemit të drejtësisë, përqasjen e legjislacionit me të drejtën e Bashkimit Evropian dhe me aktet e tjera ndërkombëtare, si dhe përmirësimin infrastrukturor, organizativ dhe funksional.

Veçanërisht në vitet e fundit, ndryshimet në gjyqësor kanë qenë të shumta. Ato kanë patur në fokus të tyre krijimin e një sistemi gjyqësor të përgjegjshëm, të pavarur dhe efektiv.

Ndër arritjet më të rëndësishme në këtë drejtim mund të përmendet fillimi i funksionimit të gjykatave administrative. Krijimi dhe funksionimi i tyre padyshim që do të sjellin një mbrojtje më efektive të të drejtave të qytetarëve dhe komunitetit të biznesit nga veprimet e padrejta apo abuzimet e administratës si dhe do të rrisin më shumë besimin e tyre tek drejtësia. Tjetër arritje ishin dhe ndryshimet që i’u bënë ligjit të Gjykatës së Lartë si dhe ndryshimet në kode e në ligje të tjera, përmes të cilave është synuar përmirësimi i performancës dhe eficencës së sistemit gjyqësor, duke ulur ngarkesën e çështjeve, si dhe duke përmirësuar cilësinë dhe shpejtësine e gjykimit. Zbatimi me efektivitet i këtyre ndryshimeve ligjore është në proces në të gjitha gjykatat e vendit. Veçanërisht Gjykata e Lartë ka qenë mjaft e angazhuar për t’i dhënë jetë këtyre ndryshimeve, si përmes vendimeve unifikuese ashtu edhe përmes një sërë masave me karakter organizativ si dhe kontakteve të vazhdueshme me gjykata dhe gjyqtarë të të gjitha niveleve.

Megjithatë, puna dhe problemet e përditshme në sistemin gjyqësor imponojnë vazhdimin e reformave dhe bërjen e ndryshimeve të rëndësishme. Sidoqoftë, mendoj se hartimi i prioriteteve dhe politikave zhvillimore për përmirësimin e punës së gjyqësorit ka nevojë për pjesëmarrjen dhe kontributin e të gjithë faktorëve dhe aktoreve të përfshirë në sistemin e drejtësisë, klasës politike dhe shoqërisë civile. Në këtë kuadër është imperative që të shtohet bashkëpunimi institucional ndërmjet të tre pushteteve, me qëllim që të arrihen rezultatet e dëshiruara, të cilat do të garantonin administrimin e qëndrueshëm të drejtësisë në përgjithësi.

Në fakt, përsa i përket raporteve me pushtetin legjislativ, mund të vihet në dukje vullneti i Kuvendit për të bashkëpunuar në disa raste me pushtetin gjyqësor, sidomos me Konferencën Gjyqësore Kombëtare, pas hyrjes në fuqi të ligjit që rikonstituoi këtë institucion të rëndësishëm kushtetues. I tillë ka qenë rasti i konsultimeve për ndryshimet në Kodin e Procedurës Civile, Kodin e Procedurës Penale, për ndryshimet aktuale në ligjin “Per gjykatat administrative”, e të tjerë.

Një mekanizëm që përbën një manifestim tjetër të këtij bashkëpunimi, ka qënë kërkimi i mendimeve për nisma ligjore apo thirrja dhe pjesëmarrja e Kryetarit të Gjykatës apo e përfaqësuesve të tij në cilësinë e anëtarëve të Konferencës Gjyqësore Kombëtare, në seanca dëgjimore në komisionet parlamentare, për të shprehur si grup i interesuar mendimet dhe qëndrimet institucionale për këto nisma.

Në përgjigjet zyrtare apo në seancat dëgjimore të organizuara për këtë qëllim, është përcjellë mendimi i komunitetit të gjyqtarëve për cështje të rendësishme që lidhen dhe prekin në mënyrë të drejtëpërdrejtë sistemin e drejtësisë, me synimin që nismat e reja ligjore të marrin parasysh nevojat dhe të bashkërendojnë qëndrimet e përbashkëta të gjyqësorit dhe legjislativit, për të gjetur zgjidhje të pranueshme, të përshtatshme dhe efektive për veprimtarinë e gjyqësorit. Si shembuj të këtij bashkëpunimi institucional përmendim zhvillimin e séancave dëgjimore të organizuar nga Komisioni parlamentare i ligjeve, ku është ftuar të shprehë qëndrimin e saj Konferenca Gjyqësore Kombëtare lidhur me iniciativën ligjore për kufizimin e mandatave të zyrtarëve të lartë publicë; iniciativën ligjore për ndryshimet në legjislacionin lidhur me luftën kundër korrupsionit; dhënien e mendimit lidhur me ndryshimet në Kodin Penal të propozuar nga një grup deputetësh; paraqitja e propozimeve të Komisionit të Buxhetit të Konferencës Gjyqësore Kombëtare adresuar Komisonit të Ligjeve lidhur me akordimin e fondeve të nevojshme buxhetore për gjyqësorin për vitin 2014.

Edhe në raportet me pushtetin ekzekutiv, mendoj se ka patur një rritje të bashkëpunimit për aspekte të vecanta të punës sonë. Mund të përmendim në këtë drejtim planifikimin e buxhetit vjetor për gjykatat, në kuadër të Zyrës së Administrimit të Buxhetit Gjyqësor apo angazhimi në dhënien e opinioneve përsa i përket formulimit dhe zbatimit të politikave shtetërore në fushën e drejtësisë, të iniciuara nga Ministria e Drejtësisë, sidomos përsa i përket ndryshimit apo përmirësimit të legjislacionit në këtë fushë.

Megjithë përpjekjet e ndërmarra dhe arritjet e shënuara lidhur me rritjen dhe përmirësimin e eficencës së sistemit gjyqësor, shërbimi gjyqësor, si një shërbim publik ndaj qytetarit, ende karakterizohet nga të meta dhe probleme të ndryshme, duke mbetur në këtë mënyrë larg standardeve evropiane, larg kërkesave që imponon koha.

Kështu, ndonëse përpjekje të mëdha dhe të admirueshme janë bërë vitet e fundit edhe në drejtimin e infrastuktures së gjykatave dhe paisjen e tyre me mjete e teknologji bashkëkohore, (kryesisht si rezultat i alokimit dhe përdorimit të fondeve të buxhetit si dhe asistencës financiare të Bashkimit Evropian), ende ka shumë gjykata mjediset e të cilave janë të papërshtatshme dhe të pamjaftueshme për zhvillimin në mënyrë normale të punës, gjë që shpesh bëhet shkak për cënimin e rregullave, seriozitetit dhe solemnitetit në gjykim. Në këtë drejtim, do të përshëndesnim veçanërisht zbatimin e projekteve të përbashkëta ndërmjet Qeverisë Shqiptare dhe Bashkimit Evropian, të planifikuara vite më parë, për ndërtimin e gjykatave të shkallës së parë dhe apelit në Shkodër, të gjykatës së shkallës së parë në Elbasan, sidomos të të ashtuquajturit “Pallati i Drejtesisë”, në Tiranë.

Pavarësisht përmirësimeve, dua të theksoj gjithashtu së përgjithesi edhe cilësia e vendimeve gjyqësore nuk është në nivelet e kërkuara. Shpesh konstatohen vendime të paarsyetuara mirë, jo objective, në përmbajtjen e të cilave rezulton se nuk janë shqyrtuar në mënyrën tërësore të gjitha kërkesat e palëve dhe provat e paraqitura në gjykim. Për pasojë në mjaft raste konstatohen vendimeve të dobëta, të paqarta e kontradiktore. Sigurisht që këto vendime bëhen të cënueshme nga gjykatat më të larta, e në mjaft raste kjo çon në gjykimin e rigjykimin për vite me radhë të të njëjtës çështje. Një gjë e tillë padyshim që sorollat dhe “lodh palet” në gjykim, rrit perceptimin negativ të publikut ndaj pushtetit gjyqësor dhe ul besimin e vendimeve gjyqësore. Ç’është më e rendësishmja, në këtë mënyrë cënohet dukshëm efektiviteti i punës së gjykatës dhe cilësia e dhënies së drejtësisë.

Dihet se gjykata flet vetëm nëpërmjet vendimeve dhe misioni i saj është dhënia e drejtësisë në mënyrë të paanshme. Vendimi gjyqësor përbën pikën kulmore të procesit, përmes të cilit i jepet zgjidhje përfundimatare konfliktit, dhe në këtë kontekst një vendim gjyqësor për t’u konsideruar me cilësi të lartë, duhet të perceptohet nga palët se është rezultat i aplikimit të drejtë te ligjit, i një procesi të rregullt dhe një vlerësimi të duhur të fakteve. Vetëm kur palët të krijojne bindjen se çështja e tyre është marrë në konsideratë dhe është trajtuar në mënyrë korrekte e shterruese nga gjykata, atehere vetë ato, si dhe vete shoqëria në tërësi, do ta perceptojnë vendimin gjyqësor si një faktor kyç për rivendosjen e drejtësisë, rivendosjen e paqes dhe harmonisë sociale. Së fundi për këtë problem, do të theksoja se është bërë mëse e domosdoshme që në arsyetimin e vendimeve gjyqësore duhet të mësohemi e bëjmë përpjekje më shumë për zbatimin e teknikave bashkëkohore të interpretimit të ligjit. Nga ana tjetër, mendoj se ka vend më shumë për t’u familiarizuar veçanërisht me standardet dhe jurisprudencën e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut si dhe të Gjykatës Evropiane të Drejtësisë, apo thenë ndryshe, Gjykatën e Bashkimit Evropian.

Të nderuar pjesëmarrës,

Një ndër problemet kryesore me të cilin ballafaqohet sot sistemi i drejtësisë në përgjithsi është lufta kundër korrupsionit, fenomen i shëmtuar dhe tepër i dëmshëm për shtetin dhe shoqërinë shqiptare në tërësi. Megjithatë, duke patur parasysh në radhë të parë natyrën dhe efektet e vendimeve gjyqësore, krahasuar me degët e tjera të pushtetit apo dhe me operatorët e tjerë të sistemit të drejtësisë, korrupsioni në pushtetin gjyqësor është më i dëmshmi dhe më i rrezikshmi. Filozofi dhe politologu i shquar anglo–amerikan Herbert Spenser thekson në veprën e tij “Njeriu kundër shtetit” se: “Kusht themelor për progresin e shoqërisë është garantimi i lirisë së individit, garantimi i paqes sociale, detyra që në një shoqëri demokratike i takojnë t’i bëjë në radhë të parë drejtësia”. Zhan Boden theksonte gjithashtu se “Një shtet i vërtetë është një qeverisje që ka në themel zbatimin e ligjit, zbatimin e të drejtës…”.

Është bërë rëndom zakon të thuhet se korrupsioni cënon direkt imazhin e gjyqësorit në sytë e shoqërisë. Unë mendoj se dëmi apo efektet negative të korrupsionit janë shumë më teper së kaq. Ai pengon zhvillimin e vendit; cënon rendë paqen dhe sigurinë sociale; nxit arbitraritetin dhe vetgjyqësinë; polarizon me pa të drejtë shoqërinë; toleron dukshëm cënimin e të drejtave dhe lirive themelore të individit. Sepse përmes korrupsionit në vend të drejtesisë jepet padrejtësi. Nëse gjyqtari e jep vendimin për shkak se është korruptuar nga palët apo për shkak të favoreve të padrejta ndaj subjekteve të caktuara, atëherë sigurisht që nuk mund të flitet më për drejtësi, sepse nuk ka më gjykatë të pavarur e të paanshme, të cilat janë realisht vlerat kryesore të saj. Drejtësia në këtë rast nuk është gjë tjetër veçse një farsë, një fjalë bosh, pasi krimineli jo vetëm që nuk shkon në burg apo nuk merr atë që meriton, përkundrazi ndjehet edhe më i motivuar për të vazhduar rrugën kriminale; prona e përbashkët shtetërore apo prona e qytetarit merret apo thenë më troç “vidhet” me pa të drejtë nga spekulante apo mashtrues të ligjit; nuk luftohen fenomenet korruptive në degët e tjera të pushtetit dhe institucionet shtetërore; buxheti i shtetit si burimi kryesor i mirëqënies për të gjithë nuk merr të ardhurat që duhet të marrë; biznesi tkurret, nuk ndjen siguri dhe ka frikë të investojë; qytetari nuk merr drejtësi dhe për këtë arsye raportet e tij me të tretët, qoftë edhe brenda familjes vazhdojnë të jenë konfliktuale. Shkurt, nëse drejtësia nuk jepet, nëse sistemi nuk funksionon, të gjithë dalim të humbur, shteti, shoqëria, individi. Për pasojë, pengohet dukshëm edhe perspektiva e zhvillimit dhe integrimit të vendit.

Të nderuar kolegë,

Personalisht sigurisht që mendoj se shumica prej jush punoni me seriozitet, përgjegjshmëri, profesionalizëm dhe përkushtim në profesionin e nderuar që keni zgjedhur, me bindjen se drejtësia është e shenjtë dhe se ne kemi fatin e madh të jemi në shërbim të shtetit dhe të publikut. Megjithatë, është fakt se aktualisht besimi i publikut shqiptar në sistemin e drejtësisë është në kuota mjaft të ulëta. Është fakt se organizata prestigjoze Transparancy International e radhit vendin tonë si një nga vendet me korrupsion më të lartë në Evropë, e ndoshta edhe në botë, sidomos përsa i përket sistemit të drejtësisë. Është fakt se Bashkimi Evropian e ka përcaktuar luftën kundër korrupsionit, veçanërisht në drejtësi, si një nga 5 detyrat apo prioritetet kryesore të shtetit shqiptar në procesin e integrimit. Është fakt se media, të cilën dua ta falenderoj sinqerisht, ka zbuluar raste skandaloze të korrupsionit në sistemin e drejtësisë. Është fakt se shpesh, mjaft nga ne, gjatë kontrollit vertikal të vendimeve gjyqësore ndeshemi me probleme jo të vogla lidhur me marrjen e provave, aresyetimin e vendimeve, zbatimin e ligjit material dhe procedural nga gjykatat e të gjitha niveleve, të cilat në rastin më të mirë mund të konsideroheshin si mungese e theksuar profesionalizmi.

Në këto kushte, padyshim që duhet të reagojmë të gjithë së bashku. Në radhë të parë ne gjyqtarët duhet të rrisim profesionalizmin dhe forcojmë integritetin, si e kundërta e korrupsionit. Sipas juristit të shquar amerikan Stephen Carter, professor ne Universitetin Yale, integriteti nuk është gjë tjeter veçse qëndrim i pergjegjshëm ndaj shtetit, shoqërisë dhe mbi të gjitha ndaj vetvehtes. Është aftësia për të dalluar të mirën nga e keqja, të drejtën nga e gabuara, dhe mbi këtë bazë, aftësia për t’i marrë vendimet respektive vetëm si rezultat i analizës dhe bindjes që krijohet në çdo rast konkret. Filozofi i shquar francez Rene Dekart (Rene Descartes), duke ju referuar procesit të analizës dhe krijimit të mendimit, përmend shprehjen e njohur romake Cogito Ergo Sum (I think therefore I am). Sepse pikërisht kjo na përcakton si qënie të përgjegjshme. Vetëm nëse vendimet merren në bazë të bindjes së brendshme, kemi edhe qetësinë e duhur shpirtërore ndaj palëve dhe detyrës që na është besuar. Po në këtë kuadër, mendoj se ka shumë më tepër vend për një kontroll më të kualifikuar e më të përgjegjshëm të vendimeve gjyqësore edhe vetë brenda sistemit gjyqësor. Ka më shumë vend për transparencë e komunikim të drejtpërdrejtë e të vazhdueshëm me publikun. Ka më shumë vend për debat, analiza e kritika profesionale të vendimeve gjyqësore nga masa tashmë mjaft e madhe e personave që merren me shkencën e së drejtës.

Në këtë betejë të rendësishme kundër korrupsionit kërkohet edhe bashkëpunimi konstruktiv me të gjithë operatoret e tjerë të sistemit të drejtësisë, me deget e tjera të pushtetit shtetëror, shoqërinë civile e veçanërisht me median. Është e qartë që betimi solemn që kemi bërë të gjithë në me marrjen e detyrës, se do të respektojmë Kushtetutën dhe ligjet, është premisë por nuk është aksiomë. Ai është i pamjaftueshëm për të supozuar se më të vërtetë në çdo rast jepet drejtësi. Në këto kushte, sigurisht që qendrimet tona të përbashkëta duhet të jenë të vendosura, të qarta e të patolerueshme. Sistemi i drejtësisë duhet të spastrohet nga gjyqtarët e korruptuar e të papërgjegjshëm, të cilët përmes vendimmarrjes abuzive cënojnë rendë themelet e shtetit demokratik, cënojnë rendë të drejtat e qytetarëve, cënojne rendë imazhin dhe punën tonë.

Nga ana tjetër, dua të theksoj me forcë gjithashtu se lufta kundër korrupsionit nënkupton gjithashtu edhe marrje e masave efektive për forcimin real të pavarësisë së pushtetit gjyqësor në tërësi; mbrojtjen dhe forcimin e statusit të gjyqtarit dhe trajtimin e tij me dinjitetin dhe vlerësimin që i takon. Duhet patur parasysh se puna e tij është shpesh mjaft delikate dhe e vështirë. Përballë gjyqtarit qëndrojnë çdo ditë kriminelë, njerëz në konflikte të ashpra me njeri-tjetrin dhe ligjin, qëndrojnë interesa të rendësishme private dhe shtetërore, interesa të partive politike dhe njerëzve të veshur me pushtet. Në këto rrethana, padyshim që duhen marrë më shumë masa që gjyqtarët të ndjehen të vlerësuar, të qetë, të lirë, të pavarur dhe të mbrojtur nga shoqëria dhe shteti. Sigurisht që pavarësi nuk do të thotë arbitraritet, nuk do të thote se ligji duhet interpretuar në mënyrë voluntariste. Nuk do të thotë pavarësi nga ligji. Pavarësia nuk është privilegj i gjyqtarit por është garanci për qytetarin, është garanci për dhënien e drejtësisë, është interpretim e zbatim korrekt i ligjit. Liria nga ana tjeter, është mundësia që duhet të ketë gjyqtari për të dhënë vendim vetëm në bazë të bindjes së brendshme të tij, duke i trajtuar të gjithë njerëzit njëlloj si të barabartë, duke zgjidhur konfliktin apo duke dërguar pas hekurave cdo person që shkel ligjin, pavarësisht statusit të tyre shtetëror apo partiak. Në shtetin e së drejtës askush nuk duhet të jetë mbi ligjin. Prandaj kërkohet mirëkuptim e bashkëpunim i vazhdueshem ndërmjet tre pushteteve, shoqërisë civile e medias. Me drejtësinë nuk mund të luhet ping–pong, duke akuzuar njeri-tjetrin për të gjetur fajtorin e kujtuar kompetencat. Për çështjet e drejtësisë, ashtu si për gjithë çështjet me rendësi shtetërore e shoqerore, është detyrim kushtetues të kërkohen e gjenden format e bashkëpunimit konstruktiv, kërkohet luajalitet e përkushtim nga të gjithë.

Të nderuar pjesëmarrës,

Megjithë përpjekjet e bëra për uljen e ngarkesës së punës, nëpërmjet masave ligjore e administrative, numri i madh i cështjeve të akumuluara përbën problem serioz dhe shqetësues për gjykatat, problem i cili shtron si nevojë urgjente diskutimin dhe gjetjen e zgjidheve të përshtashme. Kam mendimin se në raport me numrin e popullsisë, masa e konflikteve që paraqiten për vendim-marrje në gjykatat shqiptare është tepër i lartë, e ndoshta ndër më të lartit në botë. Në radhë të parë kjo vjen si rezultat i konflikteve të shumta që prodhon shoqëria shqiptare në tërësi. Fatkeqësisht, një pjesë e mirë e tyre prodhohen nga vetë shteti. Nga ana tjetër, tek ne mungojnë mekanizmat efektive për zgjidhjen alternative të konflikteve. Konflikte të shumta mes të njohurish, anetarëve të familjes apo për probleme dhe vlera relativisht të parëndësishme, mund të zgjidheshin më mirë e më shpejt përmes ndërmjetësimit. Edhe për konfliktet që paraqiten në gjykatë ekzistojne mekanizma e mundësi veprimi të shumtë. Në vendet me demokraci të konsoliduar, shumica e cështjeve që paraqiten në gjykatë përfundojnë me marrëveshje mes palëve, përfshi këtu edhe cështjet penale. Është fakt impresionues që mbi 90 % e konflikteve gjyqsore të të gjitha kategorive në ShBA zgjidhen me deal, pra me marreveshje. Sigurisht që kjo, krahas rregullimeve ligjore, kërkon përkushtim të vecante dhe rol tepër aktiv të gjyqtarit. Pse të mos mendohet me seriozisht për zgjidhje të tilla edhe në realitetin shqiptar. Nga ana tjeter, mendoj se ka vend për të planifikuar e disiplinuar më drejtë e më mirë punën tonë në raport me publikun në gjykimin e cështjeve. Duhet të evidentojmë sa më shumë shtyrjet e panevojshme të seancave gjyqsore; duhet të jemi sa më korrekt me palët dhe me respektimin e axhendës ditore; duhet të shmangim në maksimum mosparaqitjet apo largimet nga detyra. Pushimet bëhen atëherë kur janë parashikuar për të gjithë, përndryshe duhet të japim llogari. Lidhur me menaxhimin sa më të mirë të kohës dhe rritjen e performanceës dhe efektivitetit të gjykimit, më lejoni të përshendes programin Just të USAID që me plot sukses po zbaton projektin pilot “Për një drejtësi pa vonesë” në Gjykatën e Rrethit Gjyqsor Krujë. Uroj e shpresoj që përvoja pozitive e këtij projekti të mund të përcohet edhe në gjykatat e tjera të vendit.

Aktualisht, në këndvështrim të ngarkeses dhe për pasojë edhe vonesave në gjykim situata paraqitet mjaft problematike vecanërisht në gjykatat administrative si dhe në Gjykatën e Lartë. Në fakt, pavarësisht problemeve, duhet të përshëndetet në vecanti puna e bërë në Gjykatën Administrative të Apelit. Me këtë rast, dua të rikujtoj se për përballimin e ngarkeses së punës në gjykatat administrative, vecanërisht në atë të apelit, është me se e domosdoshme marrja e masave praktike e ligjore për emërimin sa më të shpejtë të ndihmesave ligjore si dhe plotësimin e administratës gjyqësore.

Nga ana tjeter, dua të theksoj se situata në Gjykatën e Lartë, krahasuar me rreth një vit më parë, duket mjaft e përmirësuar, pavarësisht se numri i çështjeve të grumbulluara në vite në këtë gjykatë vazhdon të jetë i madh. Vitin që kaloi, për herë të parë, pas shumë viteve, numri i çështjeve të trajtuara në Gjykatën e Lartë ishte më i madh se numri i çështjeve që hynë në këtë gjykatë në vitin 2013. Po kështu, si rezultat i nje sërë masave me karakter organizativ dhe bashkëpunimit me të gjithë koleget, nëse në prill të vitit 2013 gjykoheshin cështje të vitit 2007 – 2008, sot në kolegjin administrativ të Gjykatës së Lartë gjykohen cështje të vitit 2010 – 2011, në kolegjin civil cështje të vitit 2010, ndërsa në kolegjin penal cështje të vitit 2012 – 2013. Edhe në emër të kolegëve shpreh bindjen se gjendja do të përmirësohet sërish dukshëm në periudhën në vijim, për të synuar arritjen e kushteve normale të gjykimit brenda një afati sa më të arsyeshëm në një të ardhme sa më të afërt, që në terma konkretë do të thote gjykimi i cështjes në Gjykatën e Lartë me një afat pritje 1 deri në maksimumin 2 vjet. Në cështjet penale edhe më pak.

Në këtë drejtim besoj dhe shpresoj se në zbatim të ndyshimeve që i’u bënë ligjit të Gjykatës së Lartë vitin që kaloi, më në fund do të mund të emerohen në këtë gjykatë edhe 2 gjyqtare të tjerë, duke cuar numrin e tyre në 19 të tillë. Përvec kësaj, ashtu sic parimisht është rënë dakort, do të donim shumë që ndryshimet në ligjin “Për gjykatat administrative” të kalonin në Kuvend sa më parë, pasi praktikisht, vecanërisht çështja e njoftimit të palëve për trajtimin e cështjeve në dhomën e këshillimit të Kolegjit Administrativ të Gjykatës së Lartë është bërë pengesë serioze e punës sonë. Vetëm për këtë shkak, Kolegji në fjalë nuk është në gjendje të trajtojë prej rreth 6 muaj minimalisht disa qindra çështje me natyrë administrative.

Megjithatë, dua të vë në dukje me këtë rast se normalisht Gjykata e Lartë, ashtu si gjykatat homologe kudo në botë, nuk duhet të punojë nën presionin e numrit të madh të cështjeve. Ajo duhet të përqëndrohet tek cilësia e gjykimit dhe unifikimi i praktikës gjyqsore. Gjykata e Lartë nuk është fabricë që prodhon vendime. Për këtë arsye mendoj se në kuadër të reformës në drejtësi, duhet të gjenden rrugë e mjete për të forcuar filtrat e trajtimit të cështjeve në Gjykatën e Lartë, ashtu sic veprohet kudo. Numri i cështjeve që ajo gjykon në séanceë duhet të jete i kufizuar. Nga ana tjeter, paralelisht me këtë duhet të forcohet cilësia e gjykimit dhe e vendim-marrjes në gjykatat më të ulëta, vecanërisht në gjykatat e apelit.

Gjithë keto probleme që citova, por që nuk janë shteruese, shtojnë domosdoshmërisht nevojën për vazhdimin e reformave në sistemin e drejtësisë. Në këtë kuader, përsëris se një kontribut me vlerë mund dhe duhet të japë edhe Konferenca Gjyqësore Kombëtare. Detyrë e Konferencës nuk është vetëm zgjedhja e anëtarëve të KLD. Ajo ka si detyrë që të paraqesë rekomandime për përmirësimin e kuadrit ligjor dhe institucional të pushtetit gjyqësor. Roli i saj duhet të jetë më substancial dhe më i dukshëm jo vetëm nga institucioniet e tjera shtetërore por edhe nga publiku dhe media. Konferenca duhet të shërbeje si një forum i konceptimit, diskutimit, përpunimit dhe hartimit të ideve, projekteve dhe platformave konkrete e të zbatueshme zhvillimore, dhe këtë detyrë ajo mund dhe duhet ta luajë nëpërmjet angazhimit serioz si dhe pjesemarrjes aktive të strukturave të saj, kryesisht të Këshillit Drejtues dhe 3 Komsioneve, në procesin e reformave ligjore e institucionale të pushtetit gjyqësor.

Aktualisht gjyqësori shqiptar i ka energjitë si dhe kapacitetet e nevojshme profesionale për të përballuar me sukses sfidat që ka në kuadër të integrimit të vendit në strukturat evropiane. Këto sfida kërkojnë dhe imponojnë mbi gjyqësorin një rritje të ndergjegjësimit të vetë trupës gjyqësore lidhur me rolin e rendësishëm që luan dhe përgjegjësitë që mbart ajo në një shoqëri demokratike dhe në një shtet të së drejtës. Pavarësia në kryerjen e funksionit kushtetues dhe ligjor të administrimit të drejtësisë, ndërgjegja e lartë profesionale si dhe integriteti moral duhet të jenë shtyllat mbi të cilat duhet të bazohet puna e gjyqtarëve shqiptare.

Konferenca Gjyqësore Kombëtare, bazuar në rolin dhe pozicionin e saj institucional, duhet të ndërgjegjësohet më shumë për të nxitur e mbështetur formulimin e politikave shtetërore të cilat kanë si objektiv të tyre mbrojtjen, zhvillimin dhe konsolidimin e pushtetit gjyqësor, si dhe të jetë e aftë që të sigurojë përfaqësimin dhe mbrojtjen në mënyrë dinjitoze të interesave të sistemit gjyqësor në tërësi si dhe të cdo gjyqtari të të gjitha niveleve në veçanti.

Përmirësimi dhe përsosja e mëtejshme e organizimit dhe e funksionimit të sistemit gjyqësor, në funksion të rritjes së pavarësisë së tij si dhe të efiçencës së punës në administrimin e drejtësisë sipas standardeve të vendeve evropiane, duhet të jetë motoja e punës së gjyqësorit shqiptar si dhe e actorëve dhe factorëve të tjerë të përfshirë në sistemin e drejtësisë. Vullneti dhe përkushtimi për kurimin e sëmundjeve të gjyqësorit, duhet të burojë së pari nga vetë gjyqësori, dhe ky vetë duhet të jetë promotori i ndryshimeve të cilat sjellin risi pozitive në sistemin gjyqësor.

Duke ju falenderuar për vëmendjen, uroj zhvillimin e frytshëm të punimeve të kësaj Konference dhe ju ftoj që të vijojmë me rendin e ditës të parashikuar ne axhendë.

NISHANI: SISTEMI YNË I DREJTËSISË KA PROBLEME SERIOZE
Presidenti Bujar Nishani pranon se sistemi i drejtësisë në vendin tonë ka probleme serioze, ndërsa thekson rëndësinë e vijimit të reformave në këtë fushë. Duke dënuar rastet e abuzimit me detyrën nga gjyqtarë të caktuara, apo të praktikave korruptive në sistem, kreu i Shtetit theksoi rëndësinë e zbatimit të penaliteteve për abuzuesit.

“Rreth 25 vite më parë në Shqipëri nuk ekzistonte ministria e Drejtësisë, nuk ekzistonte funksioni i avokatit, por sot kërkojmë me të drejtë standarde të larta europiane, për sistemin e drejtësisë. Diskutojmë për transparencën në gjyqësor, për marrëdhënie të drejta të trupës gjyqësore me opinionin publik, ndihmë ligjore falas, trajtim të grupeve të margjinalizuara të shoqërisë dhe sfidave të tjera.

Bashkohem me opinionin që sistemi ynë i drejtësisë ka probleme, here pas here serioze. Kemi individë që nga pikëpamja profesionale dhe formimit nuk kanë asnjë lidhje me këtë profesion, dhe ju dëmtojnë të gjithë juve, dhe gjithë sistemin e drejtësisë. Këto raste krijojnë krijimin e një perceptimi të gabuar për sistemin tonë të drejtësisë, pasi në Shqipëri ka gjyqtarë me një nivel të admirueshëm profesional. Dhe këtu qëndron beteja. Nëse nuk arrijmë të gjejmë mekanizmin më të mirë të mundshëm që modeli më i mirë të prevalojë në opinionin, por edhe të përmirësojë sistemin do të kemi vështirësi.

Reformat janë të domosdoshme. Do preferoja që reformat në gjyqësor, mos të udhëhiqeshin nga politika, por nga komuniteti i gjyqtarëve. Nuk kemi nevojë të shpikim dhe të gjejmë modele të reja, fare mirë mund t’i adaptojmë modelet evropiane. Gjyqtari përçon reformën në drejtësi tek qytetari.

Modelet që kemi implementuar deri më tani kanë dhënë rezultate të drejtpërdrejta. Do duartrokisja reformat që kishin të bënin me krijimin e mekanizmave që shpejton zbardhjen e vendimeve. Sot është bllokuar procesi i emërimit të gjyqtarëve në gjykata. Do vlerësoja reformat që kanë të bëjnë me trajtimin e gjyqtarëve për grupe të caktuara, siç janë minorenet.

Proceset e vlerësimit, auditimit, kontrollove ndaj gjyqtarëve kërkojnë përmirësim të vazhdueshëm. Mbështes çdo reformë që orientohet tek mekanizmat. Duhet të penalizohet aktet korruptive. Janë 4 gjyqtarë të përjashtuar nga sistemi dhe të penalizuar. I kam kërkuar Prokurorit të Përgjithshëm që të verifikojnë dhe të jenë hetues të thellë të çdo rasti korruptiv. Duhet me forcën e ligjit të godasin çdokënd që dëmton qytetarit dhe njollos gjithë sistemin e drejtësisë.
Ju kërkoj të jeni aktivë në orientimin e reformave në sistemin e drejtësisë”, tha Presidenti Nishani.

Fjala e Ministrit të Drejtësisë, z. Nasip Naço gjatë “Konferencës Gjyqësore Kombëtare”

 Me kënaqësi pranova ftesën e Kryetarit të Gjykatës së Lartë për të marrë pjesë në këtë mbledhje të Konferencës Gjyqësore Kombëtare, sepse e konsideroj si një mundësi të mirë për të komunikuar drejtpërdrejtë me gjyqtarët, për të dëgjuar njëri tjetrin në adresimin e shqetësimeve të përbashkëta.

 Njëkohësisht ndihem i nderuar që jam përsëri në një komunitet me të cilin më lidh një pjesë e rëndësishme e karrierës time.

 Ky fakt ma bën më të lehtë komunikimin me ju dhe gjej rastin që t’u siguroj  angazhimin tim si Ministër i Drejtësisë se do të jem në mbështetje të çdo nisme tuaj, që shkon kah pavarësisë, integritetit dhe efiçencës së sistemit gjyqësor.

 Në nisje të fjalës time do të doja të ritheksoja se  Ministria e Drejtësisë mbetet e vendosur në realizimin e reformave, të cilat çojnë drejt konsolidimit të shtetit të së drejtës, rritjes së transparencës, përgjegjshmërisë dhe profesionalizmit të aktorëve të pushtetit gjyqësor, si dhe në rritjen e besimit të qytetarëve ndaj këtij sistemi.

 Në këtë drejtim, përmirësimi i infrastrukturës së sistemit për menaxhimin e çështjeve gjyqësore, si dhe forcimi i kapaciteteve administrative mbetet prioriteti ynë konstant, në përgjigje edhe të rekomandimeve të Progres Raportit të vitit 2013. Ky raport adreson plotësimin e kuadrit ligjor për reformën gjyqësore, duke theksuar se disa masa janë ende të papërfunduara dhe një vlerësim gjithëpërfshirës i reformës pengohet nga  mungesa e treguesve specifikë.

 Gjithashtu, raporti, ndër të tjera adreson, se: “Institucionet shtetërore që trajtojnë luftën kundër korrupsionit mbeten të brishta ndaj presionit dhe ndikimit politik, ndërsa  lufta kundër korrupsionit në gjyqësor ka bërë progres të kufizuar”

 Departamenti Amerikan i Shtetit në raportin e tij të fundit për të drejtat e njeriut, midis të tjerave ka evidentuar se qeveria nuk e zbatoi ligjin dhe shpesh zyrtarët përfshihen në praktikat korruptive pa u ndëshkuar; korrupsioni ishte i përhapur në të gjitha degët e qeverisë dhe përdorimi i sloganeve nga ana e qeverisë, që nxisnin tolerancën zero për korrupsionin, shpesh ndrydhte raportimin dhe nxiste manipulimin e të dhënave, që tregonte se korrupsioni nuk ekzistonte.

 Për këto arsye është e nevojshme rritja e efiçencës së sistemit nga njëra anë, por edhe në rritja e transparencës në veprimtarinë e gjykatës dhe në vendimmarrje nga ana tjetër.

Në këtë kuptim transparenca si një element i rëndësishëm krijon një marrëdhënie besimi të dyanshme ndërmjet gjykatës dhe qytetarëve, si dhe ndikon pozitivisht në ngritjen e besimit të munguar të publikut përkundrejt sistemit.

Të gjithë jemi dëshmimtar të një klime të përgjithshme mosbesimi ndaj sistemit në përgjithësi, si dhe ndaj gjyqësorit në veçanti. Në këtë drejtim nuk kanë munguar as kritikat e faktorit ndërkombëtar, por as edhe ato të publikut të gjerë, të cilët presin më shumë drejtësi dhe efiçencë nga ju.

Është shumë e rëndësishme që kjo situatë së pari të pranohet si një realitet që duhet ndryshuar, dhe së dyti është po kaq e rëndësishme që të konvergojmë me vullnet dhe përpjekje të përbashkëta në ndryshimin e këtij realiteti.

Për këtë qëllim, që në fillim të mandatit tim si Ministër i Drejtësisë kam kërkuar në KLD, por edhe publikisht që reformat në sistemin gjyqësor t’i ndërmarim së bashku. Këto reforma do të duhet të orientohen në drejtim të përmirësimit të efektshmërisë dhe performancës. Për këtë nuk mungojnë indikatorët as të misioneve që na asistojnë dhe as të ekspertëve vendas.

Kam kërkuar dhe do të inkurajoj KLD, si “qeverisjen “ tuaj, që të eci sipas disa prioriteteve që shkojnë kah këtij orientimi.

Kam kërkuar dhe inkurajuar që të përfundojë situata e papranueshme besoj edhe për ju, e kryetarëve të gjykatave që drejtojnë gjykatat pa mandat prej vitesh në kundërshtim me ligjin.

Kam kërkuar dhe inkurajuar që të përmbyllim procesin e emërimeve në Gjykatat administrative përpara çdo emërimi tjetër të ngutur dhe jo në respekt të ligjit.

Prej gjashtë muajsh  kam kërkuar në KLD zbatimin e Dekretit Nr. 7818, datë 16.11.2012, të Presidentit të Republikës “Për caktimin e numrit të gjyqtarëve në Gjykatat e Shkallës së Parë, të Apelit dhe të Gjykatave Administrative, si dhe caktimin e kompetencave tokësorë dhe selisë qendrore të Gjykatave Administrative” për të dalë nga situata absurde dhe jo ligjore, e cila ka shkaktuar deri bllokimin e pagave të gjyqtarëve.

Kam kërkuar dhe propozuar në KLD që të zgjidhej absurdi i mosemërimit prej dy vitesh i magjistratëve që kishin përfunduar shkollën e Magjistraturës në vitin akademik 2011-2012.

Kam kërkuar dhe inkurajuar, që lista e përhershme e renditjes së gjyqtarëve të jetë e disponueshme sikurse kërkon ligji si dhe të shërbejë si një kriter objektiv në promovimin e gjyqtarëve. Po në funksion të kritereve objektive të promovimit, kam kërkuar rishikimin e sistemit të vlerësimit të gjyqtarëve si një element mjaft i rëndësishëm në këtë drejtim.

Për këtë qëllim, Ministria e Drejtësisë ka ndërrmarrë nismën për hartimin e projektligjit “Për Sistemin e Vlerësimit të Gjyqtarëve në Republikën e Shqipërisë”.

Ky projektligj synon nxitjen e pjesëmarrjes aktive të gjyqtarit në procesin e vlerësimit të tij duke e bërë partner në këtë mekanizëm. Vlerësimi periodik vjetor i gjyqtarëve bazuar në kritere objektive dhe metodë të standartizuar, do t`u mundësojë gjyqtarëve të promovohen dhe të avancojnë në karrierë vetëm në sajë të meritës profesionale.

Edhe sipas rekomandimit të dhënë nga Misioni EURALIUS, për sistemin e vlerësimit të gjyqtarëve në Shqipëri, vlerësimi duhet të mbetet në dorë të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, por të bazohet në vetëvlerësim.

Në këtë kuadër inkurajojmë Konferencën Gjyqësore Kombëtare të bëhet partner i rëndësishëm në procesin e hartimit dhe zbatimit të kësaj nisme jetike për sistemin gjyqësor.

Ndërkohë, edhe në përgjigje të disa qëndrimeve refraktare dhe përpjekjeve për të politizuar këtë proces, do të doja t’ju siguroja ju dhe gjithë opinionin, se ky kurs reformash nuk synon dhe nuk ka lidhje me asnjë lloj cënimi apo ndërhyrje në pavarësinë e gjyqësorit, përveçse me konsolidimin dhe rritjen e performancës së tij.

Ju keni pushtetin e madh, por njëkohësisht edhe përgjegjësinë që nëpërmjet Konferencës Gjyqësore të zgjidhni përfaqësuesit tuaj në Këshillin e Lartë të Drejtësisë.

 Ky pushtet ju ngarkon nga njëra anë me përgjegjësinë e një selektimi të kujdesshëm në procesin e zgjedhjes së anëtarëve të KLD, por edhe me mundësinë për të ballafaquar pritshmëritë tuaja me punën e tyre nga ana tjetër.

 Me këtë rast ju keni mundësinë jo vetëm të ftoni në llogaridhënie të zgjedhurit prej jush, por edhe të kontribuoni në vendosjen e prioriteteve dhe reformave nëpërmjet rezolutës që do të miratoni, si një detyrim për këtë Këshill.

 Po kështu, i ndërgjegjshëm për rëndësinë e bashkëpunimit midis aktorëve në fushën e drejtësisë, dëshiroj të theksoj se Ministria e Drejtësisë shikon tek Konferenca Gjyqësore një partner të besueshëm dhe të denjë në implementimin e reformave.

 Në këtë kuadër do të kërkoja mbështetjen e kësaj Konference në përpunimin e rregullave të etikës në vijim të ndryshimeve në ligjin për Konferencën Gjyqësore për shmangien e konfliktit të interest të anëtarëve të KLD.

 Besoj se, edhe ju e konsideroni të papranueshëm faktin që të zgjedhurit tuaj në KLD të shrytëzojnë mandatin dhe besimin duke promovuar vetveten. Është gjithashtu e pandershme që të përdoren artifica ligjore për t’iu shmangur frymës së ligjit dhe për të lejuar konfliktin e interesit midis anëtarëve të KLD-së.

 Në këtë kuadër dëshiroj të theksoj gjithashtu se një frymë e tillë jo vetëm nuk ndihmon në përmirësimin e imazhit dhe perceptimit të publikut, si dhe faktorit ndërkombëtar ndaj sistemit, por në të kundërt zhvlerëson çdo përpjekje pozitive dhe reformuese.

 Po kështu dëshiroj të nënvizoj se inkurajimi i praktikave pozitive dhe vlerësimi i aftësive profesionale të gjyqtarit duhet  të jetë rruga e vetme që çon në promovimin dhe karrierën e çdo gjyqtari, dhe jo qokat e radhës.

 Është e rëndësishme për të gjithë sistemin që ne të inkurajojmë gjyqtarët e ndershëm, të cilët nuk tundohen nga fenomene korruptive, të inkurajojmë çdo punë të mirë që bëhet në sistemin e drejtësisë, të forcojmë çdo ditë pavarësinë tuaj në marrjen e vendimeve, duke rritur padyshim llogaridhënien dhe integritetin, si faktorë kyç të reformës në drejtësi”.

 Për të gjithë këtë reformë të rëndësishme në sistemin gjyqësor do të vlerësojmë rekomandimet dhe sugjerimet e partnerëve tanë ndërkombëtarë  dhe aktorëve të   fushës si dhe kemi ftuar zyrtarisht Komisionin e Venecias.

 Për këtë qëllim Ministria e Drejtësisë i ka kërkuar Komisionit të Venecias eskpertizën për reformimin e hallkave të rëndësishme të sistemit të drejtësisë siç është  Gjykata Kushtetuese, Gjykata e Lartë, Këshilli i Lartë i Drejtësisë etj., për t’i dhënë një frymë dhe dimension të ri promovimit të gjyqtarëve, në bazë të vlerësimit objektiv të punës së tyre dhe aftësive profesionale në ushtrimin e detyrës.

 Të gjitha këto reforma, sigurisht, kërkojnë mbështetjen e Ministrisë së Drejtësisë, por edhe partnerëve ndërkombëtarë si Komisioni i Venecias, OPDAT, USAID, OSBE, PAMEKA etj., si dhe  Konferencën Gjyqësore, KLD-në, Gjykatën e Lartë dhe vullnetin e gadishmërinë tuaj, jo vetëm për t’i përdorur ato, por dhe për t’i orientuar në drejtim të rritjes së eficencës dhe shërbimit ndaj qytetarëve.

 Në përfundim ju inkurajoj, si aktor dhe partner të rëndësishëm në proceset reformuese, se Ministria e Drejtësisë është duke ndërmarrë, me qëllim realizimin e synimit të përbashkët për një shtet të së drejtës, që vepron në interes dhe për interes të qytetarëve të tij.