Muharrem Xhafa: Enveri nuk ka nevojë për mbrojtjen e partive borgjeze PS dhe LSI

446
Sigal

Flet Muharrem Xhafa, Sekretar i Parë i KQ të PPSH; Statusi, CEZ-i,70-vjetori i çlirimit dhe Fronti i Majtë Shqiptar

Marrja e statusit të vendit kandidat, kushtet dhe milionat e kërkuara nga kompania çeke, CEZ, festimet me rastin e 70- vjetorit  të Luftës Nacional Çlirimtare dhe premtimet e bëra nga shteti për këtë event, janë disa nga çështjet ë prekura në intervistën e dhënë për gazetën “Telegraf” nga z. Muharrem Xhafa, Sekretar i Parë i KQ të PPSH. Përsa i përket statusit duke e përshëndetur këtë vendim, sipas tij, të pritur, ai shprehet se: “Nuk duhet harruar përvoja e hidhur e krizës së kapitalizmit këto vitet e fundit, e cila përfshiu edhe vendet më të zhvilluara të BE-së, pa lëre fqinjin tonë Greqinë, që e telendisi fare. Statusi i vendit kandidat për në BE tashmë u bë fakt, por Shqipëria, shteti shqiptar dhe shqiptarët do të jenë më të varur politikisht, ekonomikisht e ushtarakisht prej supershtetit BE. Dhe pasuritë e Shqipërisë, në kuptimin më të gjerë të fjalës, do t’i gëzojnë më shumë popujt e mëdhenj të Europës se sa shqiptarët”. Për sa i përket restaurimit të Varrezave të Dëshmorëve dhe monumenteve z. Xhafa shprehet se, Qeveria ende nuk ka ndërmarr as një hap konkret. Front është një aleancë partish të majta, e gërshetuar me lëvizjen e protestës së masave të popullit. “Fronti është organizatë politiko-shoqërore popullore dhe jo një parti komuniste. Se në radhët e tij bëjnë pjesë njerëz me bindje të ndryshme, mjaft që të pranojnë dhe të punojnë për të jetësuar Platformën e Frontit. Paraqitja e Frontit të Majtë Shqiptar, si bashkim i komunistëve në një parti komuniste dhe me synim rivlerësimin e figurës së Enver Hoxhës, siç ka ndodhur në ndonjë rast, është një vlerësim i gabuar i tij”,-shpjegon Muharrem Xhafa në lidhje me bashkimin e partive të majta për të krijuar Frontin e Majtë Shqiptar.

Si e komentoni marrjen e Statusit të vendit kandidat për në BE, çfarë do të thotë për ne ky fakt?

-Ky ishte një lajm i pritur, i gëzueshëm, një vendim me rendësi historike për Shqipërinë e për shqiptarët brenda e jashtë saj. Partia e Punës është e mendimit se, për kushtet e sotme, proceset kooperuese e integruese në Europë e në, botë përbejnë një prirje të përgjithshme, të cilën nuk e ndal dot. Prandaj, siç thotë populli ynë: Qoftë për mbarë! Por, padashur të ulim gëzimin e fitores, duam të sjellim në vëmendjen e njerëzve se progresi e zhvillimi i vendit tonë nuk do të vijnë në radhë të parë, nga qenia e tij sot kandidat e nesër anëtar i BE-së, por me punën e djersën e vetë shqiptarëve, me mirëqeverisjen e tij nga brenda. Po kështu, nuk duhet harruar përvoja e hidhur e krizës së kapitalizmit këto vitet e fundit, e cila përfshiu edhe vendet më të zhvilluara të BE-së, pa lëre fqinjin tonë Greqinë, që e telendisi fare. Statusi i vendit kandidat për në BE tashmë u bë fakt, por Shqipëria, shteti shqiptar dhe shqiptarët do të jenë më të varur politikisht, ekonomikisht e ushtarakisht prej supershtetit BE. Dhe pasuritë e Shqipërisë, në kuptimin më të gjerë të fjalës, do t’i gëzojnë më shumë popujt e mëdhenj të Europës se sa shqiptarët. Për një vend të vogël si vendi ynë, kushtet e rregullat e BE-së janë skllavëruese e poshtëruese. Pra as këto gjëra nuk duhen harruar. Mjaft të kujtojmë se, Euro, monedha e përbashkët e BE-së, ka thyer në brinjë vende të fuqishme evropiane, e jo më vende të vogla si vendi ynë. Nejse, qoftë për mbarë! Ne po bëjmë thjesht një tërheqje vëmendje!

U deklarua nga Ministria e Energjetikës se CEZ do të marrë 95 milionë euro si dëmshpërblim për largimin apo prishjen e kontratës. Si e gjykoni këtë zgjidhje?

– Ky është një problem shumë i madh dhe nuk mund të marrë përgjigjen e duhur në një intervistë si kjo që po bëjmë. Për më tepër që unë nuk jam specialist i fushës së ekonomisë. Po, sidoqoftë, shkurt, dua këtu të vë në dukje se, për qeverinë e sotme ky problem është i bartur nga qeveria e mëparshme, pra është ajo që ka përgjegjësinë. Se sa do të përgjigjet, kjo është çështje tjetër. Unë po flas kështu se, sa kemi vënë re, qeveria “Rama” deri më sot nuk ka dhënë ndenje provë për të vënë para përgjegjësisë administrative e ligjore shkeljet e rënda, dëmet kolosale e krimet e shëmtuara të bëra nga Qeveria Berisha në fushën e ekonomisë, sikurse as në fushat e tjera. Një gabim fatal për perspektiven e saj. Sigurisht, se ku fle lepur këtu, hajde gjeje, d.m.th a ka frikë të veprojë, a i ka duart të lidhura apo dhe qeveria e “Ramës” është e kompromentuar e nuk vepron dot, se i dalin të palarat e saj, këtë presim ta shohim në ditët që vijnë pas marrjes së Statusit. Veçse populli një gjë të tillë e pret nga dita në ditë. Një gjë mund ta them: “Fakti që u arrite një zgjidhje kompromisi dhe dëmshpërblimi, që do të paguante vendi ynë, u ul në shifra, tregon se ka diçka që duhet vënë në dukje a përmendur për mirë. Më tej, unë nuk do të ndalem për këtë problem, jo se nuk na intereson, po sepse themelore për PPSH është t’i thotë popullit se sektorët strategjikë të ekonomisë, siç është dhe energjetika, nuk duhet të privatizohen, po t’i ketë shteti në pronësi. Se kështu do të jetë populli ynë, vendi ynë, që do të fitojnë nga ato çfarë i ka falur natyra dhe ka trashëguar nga ekonomia gjigande e socializmit. Ndryshe, vendi ynë do të pësojë pafundësisht tragjedi ekonomike, si kjo që ndodhi me CEZ-in. Në nderin e qeverisë “Rama” është të korrigjoje të gjitha gabimet e bëra nga qeverisja kriminale e mëparshme në privatizimin e shitjen e sektorëve strategjike të ekonomisë kombëtare dhe të mos ecë në atë rrugë të humnerës antikombëtare. Kurrë nuk duhet harruar se, ne jemi një vend i vogël dhe na hipin për sipër jo më shtetet, po edhe kompanitë e fuqishme të vendeve të tjera, sikurse ishte CEZ-i.

Ky vit është viti i 70- vjetorit të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Cila është Platforma juaj për organizimin e këtyre ngjarjeve?

– Për partizanët e lavdishëm, për komunistët dhe për masat e popullit LANÇ-i është lufta më e madhe heroike që ka bërë populli ynë në historinë e tij shekullore. E organizuar dhe e udhëhequr nga PKSH (PPSH) me Enver Hoxhën në krye, LANÇ-i çliroi atdheun nga pushtuesit e huaj nazifashistë e bashkëpunëtoret e tyre vendës e tradhtarë, vendosi pushtetin popullor dhe e futi Shqipërinë në rrugën e ndërtimit socialist. Po kështu, LANÇ-i është ajo që i solli vendit pavarësinë e vërtetë dhe e bëri pjesë të Frontit të Madh Antifashist të Luftës së Dytë Botërore. Populli ynë, partizanët trima dhe komunistët janë krenarë për këtë kontribut të jashtëzakonshëm të dhënë në shpartallimin e mposhtjen e “bishës” nazifashiste. Platforma e PPSH-së për LANÇ-in, më së pari, synon të propagandojë e të bëjë të njohur në masat e popullit e të brezit të ri, pikërisht qëllimet e saj të larta, sakrificat e mëdha e heroizmin e bijve dhe bijave të popullit tonë. Vetëm dëshmorë të rënë për çlirimin e Atdheut janë 28 mijë djem e vajza në lulen e rinisë. Synon, po kështu, të mbrojë qëllimet e fitoret e kësaj lufte të përmasave të pashembullta në historinë e shqiptarëve nga sharlatanët e falsifikatorët e historisë, nga bashkëpunëtorët e fashizmit dhe fashistët e rinj të sotëm, si edhe nga shtrembërimet e politikës së borgjezisë në pushtet. Siç mund ta keni vënë re, PPSH dhe forcat e tjera komuniste të përfshira në Frontin e Majtë Shqiptar kanë zhvilluar shumë veprimtari në nderim të LANÇ-it dhe do të vijojnë më tej, për t’i finalizuar ato me një mbledhje përkujtimore e shkencore në nivel kombëtar, në ditët e 70 -vjetorit të çlirimit. Që të jem i qartë për lexuesit, dëshira e komunistëve është t’i organizojmë veprimtaritë për 70- vjetorin e çlirimit të atdheut bashkë me partitë e forcat e tjera të majta, por kjo, në përgjithësi, është e pamundur, sepse kemi dhe mendime e qëndrime të ndryshme e të kundërta, sidomos përsa i përket rolit udhëheqës të PKSH (PPSH) dhe të shokut Enver Hoxha në LANÇ. Sidoqoftë, për ne, kryesore është që kemi mbështetjen e popullit, çka them se e keni vënë re edhe ju diçka të tillë.

Çfarë po bëhet nga shteti për meremetimin e lapidarëve, pllakave e shtëpive të Luftës?

Siç dihet, nën presionin e së majtës, është folur prej disa muajsh për një gjë të tillë, por në të vërtetë nuk kemi parë ndonjë plan konkret për ristrukturimin e Varrezave të Dëshmoreve as në rrethe e as në qendër, po kështu nuk është bërë thuajse asgjë për meremetimin e lapidarëve të dëshmorëve, të monumenteve të Luftës Antifashiste, të pllakave përkujtimore të familjeve baza të LANÇ-it etj., etj.. Qe thënë se do të ngrihej dhe një Komision Shtetëror për 70 -vjetorin e çlirimit të atdheut, por as kemi dëgjuar e as kemi lexuar gjë për veprimtarinë e tij. Sa duket qe një përpjekje e ulët, e pandershme për të mashtruar opinionin publik dhe për t’i bërë nder atyre që hedhin baltë mbi LANÇ-in dhe bashkëpunëtorëve të pushtuesve nazifashistë. Aq kohë sa ka mbetur, nuk mjafton për të realizuar detyrat që shpalli Komisioni Shtetëror për 70- vjetorin e çlirimit të atdheut, qoftë për propagandimin e LANÇ-it, qoftë për të zbatuar detyrat për meremetimin e simboleve të saj. Hajt qeveria e mëparshme që ishte pro fashiste, po shumë keq dhe për qeverinë e sotme, e cila anashkalon e përbuz ngjarje të tilla, që kanë bërë dhe kanë shënuar epokë!

Kohët e fundit disa parti të majta kanë krijuar Frontin e Majtë Shqiptar. Për të saktësuar dhe të vërtetën rreth këtij problemi, çfarë është ky bashkim?

Po, Fronti i Majtë Shqiptar është krijuar më 15 mars 2014. Front është një aleancë partish të majta, e gërshetuar me lëvizjen e protestës së masave të popullit. Në radhë të parë, Fronti është organizatë politiko-shoqërore popullore dhe jo një parti komuniste. Se në radhët e tij bëjnë pjesë njerëz me bindje të ndryshme, mjaft që të pranojnë dhe të punojnë për të jetësuar Platformën e Frontit. Paraqitja e Frontit të Majtë Shqiptar, si bashkim i komunistëve në një parti komuniste dhe me synim rivlerësimin e figurës së Enver Hoxhës, siç ka ndodhur në ndonjë rast, është një vlerësim i gabuar i tij. Po kështu, Fronti as ka bashkuar e as përfaqëson gjithë të majtën shqiptare, siç është thënë gabimisht nga ndenje media. Në lidhje me qëndrimin ndaj Enver Hoxhës, Platforma e Frontit shprehet qartë, e “vlerëson dhe nderon Enver Hoxhën si udhëheqësin politik të LANÇ-it e Komandantin e Përgjithshëm të saj, si udhëheqësin e ndërtimit e të mbrojtjes së socializmit, si edhe si personalitetin e burrin më të madh të shtetit shqiptar, përkrah dy figurave të tjera të mëdha, Skënderbeut e Ismail Qemalit”. Ahmet Zogu dhe Enver Hoxha nuk mund të krahasohen për asgjë! Enver Hoxha qëndron në majën e Panteonit shqiptar, ndërsa Ahmet Zogu e ka vendin në bodrumet e historisë. Në mënyrë cinike është përfolur nga e djathta se PS-ja e LSI-ja janë parti të lidhura me Enver Hoxhën dhe vazhduese të PPSH-së, ndërkohë që, ato nuk kanë asgjë të përbashkët. Dihet se, PS-ja e LSI-ja janë distancuar me kohë prej tyre  dhe si rrjedhim, Enveri as nuk ka nevojë për mbrojtjen e partive borgjeze. Enver Hoxhën e mbrojnë njerëzit e thjeshtë të popullit, e mbrojnë komunistët, e mbron vepra e tij gjigande në shërbim të popullit, të kombit e të vendit të tij. Fronti i Majtë Shqiptar nuk merret me veprimtari të mirëfillta ideologjike. Ai synon të tërheqë masat e popullit në veprimtaritë e aksionet kundër padrejtësive, shtypjes e shfrytëzimit borgjez dhe në përgatitjen e tyre për të sjellë popullin në pushtet. Brenda tij, Fronti ka një bashkëpunim të koordinuar mirë ndërmjet partive që e përbejnë, në krye të të cilit qëndron Këshilli i Përgjithshëm (Provizor) dhe Kryesia e tij.