Mosfunksionimi i radarëve, Luan Rama: Titullarët të thirren në seancë dëgjimore. Prokuroria, të hetojë

537
Nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Luan Rama, i ka kërkuar Komisionit të Sigurisë që të thërrasë në seanca dëgjimore titullarët në institucionet shtetërore, që janë përgjegjëse për funksionimin apo jo të radarëve. Në një konferencë për mediat, ai theksoi se ky është një proces delikat që kërkon angazhimin e të gjithë strukturave, pasi puna e policisë për kapjen e trafikantëve po dështon.
Ndonëse vlerëson nismën e ministrave Xhafaj dhe Xhaçka për të verifikuar dhe identifikuar problemet që kanë të bëjnë me mosfunksionimin e monitorimit të hapësirës detare, ai thotë se mund të bëhej më shumë në këtë drejtim.
Sakaq ai i bën thirrje prokurorisë që të hetojë rastet për të cilat ka indicie.
“Mosfunksionimi i sistemit të radarëve është një çështje tejet shqetësuese. Dy muaj më parë kjo çështje u bë publike për shkak të një letre që Drejtori i Përgjithshëm i Policisë i dërgoi Ministrit të Brendshëm, ku e vinte në dijeni të mungesës së bashkëveprimit për shkak të eficencës së sistemit të radarëve.
Jo vetëm 7 radarët që disponojnë forcat tona detare, por edhe 11 radarët që disponon policia e shtetit nuk kanë kapacitetin për kontrollin e gjithë sipërfaqes detare.
Në funksion të transparencës Komisioni i Sigurisë duhet të nisë seanca dëgjimore me titullarët, për të verifikuar situatën.
Nuk është e rastit që pikërisht në periudhën 2015-2016 kur është edhe rekordi i prodhimit të lëndëve, narkotike, kanabisit, etj; pikërisht në të njëjtën kohë nuk kanë funksionuar, apo nuk kanë qenë në funksion sistemet e radarëve.
Përshëndes nismën e ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, dhe ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, për të verifikuar dhe identifikuar problemet që kanë të bëjnë me mosfunksionimin monitorimit të hapësirës detare. Por kaq është shumë pak. Duhet të ishte nisur një investim ligjor nga prokuroria, ndonëse ka patur indicie për këtë problematike. Është skandaloze dhe e pafalshme që megjithëse janë investuar miliona euro të taksapaguesve shqiptarë, situata ka qenë e dëmshme”, tha Luan Rama.
Sigal