Monopoli në shëndetësi/ Firma që ka gllabëruar tenderat e pandemisë, helmin e gjarpërit, pajisjet mjeksore dhe plumbçet e doganave

197
Sigal

 Farma Net Albania, një kompani e preferuar e Rilindjes, po vijon që të mbushë arkat e saj me paratë publike. Në vijimësi tenderat e fituara nga kjo shoqëri procedurat e ndjekura kanë qenë shumë të dyshimta.

Madje, ka pasur indicie të forta se gjithçka ka qenë e paracaktuar, duke vendosur specifikime në dokumente që favorizonin dukshëm këtë kompani. Mjaftojmë të kujtojmë për helmin e gjarprit, ku Ministria e Shëndetësisë, përcaktoi në tender se duheshin flakonë 5 mililitra, ku këtë sasi e ka në Shqipëri vetëm Farma Net Albania. Kompanitë e tjera kanë flakonë 1 dhe 10 mililitër sipas Boldnews.

Ndërkohë, para pak ditësh, në raportuam për një tjetër procedurë të fituar nga kjo kompani, me një procedurë zvarritëse prej 7-8 muajsh, ku në fund Farma Net Albania arriti të fusë në arkat e saj plot gjysëm milioni euro. Bëhej fjalë për tenderin e pajisjeve të Maternitetit të Beratit, pajisje të cilat duhet të instaloheshin në fillim të vitit. Por, a ka qenë materniteti procedura e fundit e dyshimtë? Normalisht jo, pasi Farma Net Albania ka fituar një tjetër tender të dyshimtë., me vlerë 138 milionë lekë.

Sipas dokumenteve, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, ka shpallur fituesin e një tenderi të shpallur në muajin dhjetor 2020. Fitues, Farma Net Albania, e cila pasi “ropi” fondet e Ministrisë së Shëndetësisë, madje edhe tenderat “sekret” dhe “urgjentë” për Covid 19, tashmë po fiton edhe nga ministritë e tjera të linjës.

Sipas dokumentit të mësipërm, kjo kompani është shpallur fituese e procedurës me objekt “blerje plumbçe metalike, plumbçe plastike dhe tel lidhës i plumbosjes”. Në dokument thuhet se koha e zhvillimit të tenderit është në dhjetor 2020, ndërsa vlera e kontratës 138 milionë lekë të vjetra.

Por, si ka mundësi që Drejtoria e Doganave e shpall fituese këtë kompani për një tender të dhjetorit 2020? Përse zgjatën procedurat plot 8 muaj? Këtyre pyetjeve mund t’i përgjigjet Drejtoria e Doganave, e cila bëri letra këto 8 muaj dhe në fund, me “dy rreshta” e shpalli fituese, sikur këto 138 milionë lekë të jenë “lekë xhepi”.

Por, të nderuar, pavarësisht se mund të gjenerojë disa të ardhura Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, ato para’ janë të të gjithëve ne. Janë të Buxhetit të Shtetit. Dhe, në vend që të bëhen procedura fiktive, ato para’ mund të përdoren gjetkë, atje ku ka nevojë vërtetë institucioni. Apo, ku mund t’i shërbejë qytetarëve dhe jo t’i shërbejë arkave të një kompanie private. Por, nëse Doganat janë vënë “në rrësht”, ku është drejtësia? SPAK-u?!

Mjaftojnë investigimet mediatike (jo vetëm të BoldNews.al) për të nisur një procedim penal kryesisht. Nga tenderat e pandemisë, te helmi i gjarprit, pajisjet mjekësore dhe së fundmi plumbçja e Doganave!