Sigal

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi e ftuar në emisionin “Open” në Top Channel, ka folur për situatën e krimit në vend.

Sipas Kryemadhit, bandat kriminale kanë qenë gjithmonë prezent në vendin tonë. “Kemi pasur probleme me bandat. Kemi pasur probleme në ’97-n, në ’98-n, por situata nuk ka qenë ndonjëherë kaq alarmante sa është sot. Por, kurrë nuk ka bërë vaki që krimineli ose banditi të jetë pjesë e jetës sonë të përditshme të vendimmarrjes”.

Gjithashtu Kryetarja e LSI-së ka theksuar prezencën e kriminelëve në zyrat e shtetit. “Ajo që shikojmë ne është shumë e rëndësishme, prezenca e kriminelëve në zyrat e shtetit. Nuk hyn krimineli, por hyn e dashura e tij, hyn motra e tij, bashkëshortja. Mjafton të shikosh insta-story e të dashurave e grave e drug-dealer shqiptarë, është më se e mjaftueshme se si i kemi prezent në zyrat e Kryeministrit” ka thënë Kryemadhi.

 

Intervista e Plotë 

Znj. Kryemadhi, çfarë është ky binom krim dhe politikë? Çfarë do krimi nga politika dhe anasjelltas?

Përsa i përket çështjes së lidhjes së politikës me krimin, ne jemi 27 vite në tranzicion dhe nuk mund të themi që kemi ndonjë demokraci të konsoliduar. Kemi pasur probleme me bandat. Kemi pasur probleme në ’97-n, në ’98-n, por situata nuk ka qenë ndonjëherë kaq alarmante sa është sot. Por, kurrë nuk ka bërë vaki që krimineli ose banditi të jetë pjesë e jetës sonë të përditshme të vendimmarrjes. Por, kë quajmë ne pjesë të vendimmarrjes? Pjesë e vendimmarrjes nuk është thjesht të qenit përfaqësues në qeveri. E dimë shumë mirë përfaqësimin në Parlament, përfaqësimin në qeveri. Problemi më i madh në këtë vend është vetë klasa politike dhe zgjidhja do të ishte krijimi i një marrëdhënieje institucionale dhe krijimin e një sistemi të pacënueshëm. Sepse ajo që mendoj unë është që nuk është çështja thjesht problemi për t’i thënë tjetrit që ti je kriminel dhe ta heqësh nga politika. Problemi është që ta fusësh në burg, sepse përndryshe ai do të vazhdojë të bëjë tenderë, vazhdon të ketë ndikim në ekonominë shqiptare, vazhdon të injektojë paratë e drogës dhe krimit nëpërmjet oligarkëve të Edi Ramës.

Pse u krijua ky binom?

Krimi është krijuar si një rrjet për të vazhduar dhe uzurpuar të gjithë sistemin. Unë tani që po vija, më erdhi një informacion që nuk e dija, dje në Vlorë një trup me kokë të prerë dhe nuk ka asnjë sqarim për këtë gjë. Është fshehur. Pra ky është krimi, ku krimi ty të ka hyrë në çdo institucion. Ne dëgjojmë pafundësisht se si kriminelët që janë në kërkim,bëjnë sherr nëpër club-e, dhunë dhe nuk del gjëkundi, zhduken. Ndërkohë që del deklarata e policisë, u arrestua filan fisteku se kishte pa paguar 10 mijë lekë faturë të energjisë elektrike. Kishte pa paguar po themi taksa në zyrën e bashkisë apo.. U arrestua filan plak, në filan fshat se po shiste 10 tufa majdanoz dhe nuk thotë njeri për atë që është më e rëndësishme, që të gjithë po e shikojmë që sot është shumë problematike.

Krimi kërkon mburojë, politika çfarë kërkon tek krimi?

Politika tashmë është bërë argat e krimit për hir të së vërtetës. Ne e shikojmë që ne si opozitë pak nga pak dhe kjo është arsyeja që po fillojmë të veprojmë e të largohemi. Nuk mund të jemi fasadë e as bojërat e pikturës të telajos që na paraqitet nga Kryeministri bashkë me krimin. Se ajo që shikojmë ne është shumë e rëndësishme, prezenca e kriminelëve në zyrat e shtetit. Nuk hyn krimineli, por hyn e dashura e tij, hyn motra e tij, bashkëshortja. Mjafton të shikosh insta-story e të dashurave e grave e drug-dealer shqiptarë, është më se e mjaftueshme se si i kemi prezent në zyrat e Kryeministrit.

Ju jeni politikane e vjetër në eksperiencë. I njihni mirë pothuajse gjithë parlamentarët. Sipas jush, sa e kalojnë vetingun nga ato 140 deputetë?

Nuk jam prokurore, as gjyqtare por unë mendoj që procesi i vettingut është një proces për hir të së vërtetës është një gjë që duhet bërë. Pse duhet bërë? Se të gjithë terezit thonë që ne po vetohemi, po hetohen policët, prokurorët, gjyqtarët, pse jo mos të hetohen dhe politikanët. Pavarësisht se pjesa më e madhe e tyre janë hetuar. Për shkak të kësaj, jo vetëm janë hetuar, por edhe survejuar në veprimtarinë e tyre.

Ju bëni përgjegjës kryeministrin për mosintegrimin e vendit në BE?

Sigurisht. Nga eksperienca ime me aq vite sa kam në politikë, kam punuar me shumë figura të njohura politike ndër vite si me Bashkim Finon, me Ilir Metën, me Fatos Nanon, me Pandali Majkon, por një kryeministër si ky që ulet këmbëkryq në tavolinë me kriminelët, nuk kam parë ndonjëherë. Një shkrirje të politikës, pra kryeministri të kthehet në një argat të bandave, të mercenarëve, unë nuk kam parë ndonjëherë. Domethënë është kaq e hapur dhe kaq flagrante, saqë tashmë edhe ne po fillon të na duket normale. Aq sa edhe kur bëjmë shaka me njëri – tjetrin themi: Ku je mor kriminel?