Monika Kryemadhi: T´u ofrojmë shqiptarëve shpresën që e vrau qeveria e Ramës

243
Sigal

Monika Kryemadhi, kryetare e LSI, përmes një deklarate, ka shprehur falenderime për anëtarët e partisë së saj, lidhur me votimet e kryera dy ditë më parë, ku ajo u votëbesua si kryetare, pa pasur kandidat rival në garë.

“Pjesëmarrja juaj në zgjedhje ishte një manifestim i shkëlqyer solidariteti dhe besimi. Pjesëmarrja juaj në zgjedhje është një mesazh përgjegjësie dhe angazhimi. Pjesëmarrja juaj në zgjedhje është tashmë një sfidë e fituar, së pari me vetveten në një proces rindërtimi e vetëpastrimi, çka më bën mua sot, kryetaren më të nderuar, sepse kam nderin që të kem në krah njerëz të ndershëm, jo vetëm në partinë tonë, por njerëz që punojnë më përkushtim dhe e duan vendin e tyre”, tha Kryemadhi.

Në vijim, ajo thekson se jemi të vetëdijshëm për vështirësitë e mëdha që na presin, por ne jemi mësuar tashmë me vështirësitë, sepse ato kanë qenë sfida jonë, sepse ne prandaj jemi bashkë që të fitojmë mbi të gjitha sfidat që i kanë dalë përpara LSI-së.

“Dhe që të fitojmë mbi vështirësitë, ne duhet t’u ofrojmë shqiptarëve shpresën, atë shpresë që u mungon, atë shpresë e cila i është grabitur dhe vrarë nga qeveria pseudo rilindase.

Ne e kemi për detyrë t’ua kthejmë shqiptarëve shpresën dhe dimë ta bëjmë këtë gjë, sepse ne do të krijojmë vende të reja pune, sepse ne do të ndihmojmë familjet të menaxhojnë kostot e jetesës, të cilat kjo qeveri i ka rritur çdo ditë e më shumë.

Ne do të dimë të garantojmë për fëmijët e shqiptarëve që të kenë një arsim të mirë dhe cilësor, në mënyrë të tillë që të gjejnë vende pune me pagë të mirëpaguar. Ne do të bëjmë të mundur që çdo shqiptar të ndjehet ë Shqipëri si në shtëpinë e tij”, tha ajo.