Monika Kryemadhi: Rama përpiqet të intimidojë median

546
Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi ka reaguar ashpër ndaj sjelljes së kryeministrit Edi Rama me gazetarët. Në një status në Facebook, znj. Kryemadhi thotë se Rama përpiqet të intimidojë gazetarët dhe median që nuk i shërbejnë atij.
“I frikësuari i madh Edi Rama, pasi akuzoi dhe sulmoi për tre ditë me radhë akuzat e prokurorisë dhe prokurorët, sot në mënyrë të paprecedentë sulmoi gazetarët duke sharë dhe fyer në mënyrë të turpshme. Një kryeministër arrogant që fuqinë e gjen tek mandatet e blera me paratë e krimit sot shpalli si armiq dhe ata që për detyrë kanë t’i drejtojnë pyetje. Nuk e kuptoj ku e gjen këtë guxim një kryeministër në largim, që ndoshta nën efektin e lëndëve narkotike shfryu dufin dhe frikën para punonjësve të medias. Ai që u përpoq për ditë me radhë të intimidonte punën e prokurorisë sot bëri të njëjtën gjë me gazetarët dhe median që nuk i shërbejnë atij”, shkruan kryetarja e LSI-së.
Ajo i bën apel medias, organizatave të të drejtave të njeriut dhe Trupit Diplomatik në Tiranë të reagojnë. Drejtësia dhe media, thotë ajo, janë dy pushtete që “siç duket i ka ende jashtë kontrollit”.
“I bëj thirrje medias, organizatave në mbrojtje të të drejtave të njeriut, Trupit Diplomatik në Tiranë të reagojnë për këtë sjellje rrugaçërore të një kryeministri që nuk ndalet për të patur pushtet mbi drejtësinë dhe median. Të vetmet pushtete që siç duket i ka ende jashtë kontrollit. Sot është një ditë e zezë për demokracinë në Shqipëri dhe si e tillë na takon të gjithëve përgjegjësia për të shkulur nga rrënjët këtë klikë kriminale që nuk kursen askënd”, shkruan znj. Kryemadhi.
Sigal