Monika Kryemadhi: Pa i dhënë përgjigje shitblerjes së votës, Reforma Zgjedhore thjesht do të riciklonte problemet e së shkuarës

1211
Sigal

Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi priti sot në takim Ambasadorin e ri të Bashkimit Europian në Shqipëri, Z. Luigi Soreca.
Gjatë takimit Znj. Kryemadhi nënvizoi vullnetin e Lëvizjes Socialiste për Integrim për mbështetjen dhe përshpejtimin e procesit të Integrimit Europian.
Në lidhje me Reformën në Drejtësi Znj. Kryemadhi theksoi se kjo reformë është bllokuar nga mazhoranca me qëllimin e vetëm kapjen e saj, duke minuar konsensusin e 21-22 Korrikut 2016 dhe qëllimin për të cilin kjo reformë u ndërmor. Bllokimi i ngritjes së institucioneve të reja të drejtësisë është bërë me qëllim nga mazhoranca për t’u ruajtur nga ndëshkimi lidhur me gjithë aferat korruptive dhe kriminal, ku ajo është përfshirë. “Kthimi në frymën, parimet i 21-22 korrikut 2016, të një Reforme që në atë kohë mori dhe mbështetjen e Komisionit të Venecias është rruga e vetme për implementimin e një reforme të drejtë, të paanshme e të barabartë për të gjithë qytetarët shqiptarë”, tha Kryetarja e LSI-së.
Përsa i përket Reformës Zgjedhore Znj. Kryemadhi nënvizoi se reforma është bllokuar nga mazhoranca në mënyrë të qëllimshme për ta kapur atë, dhe për të deformuar thelbin e saj. “Pa i dhënë përgjigje, problemit më madhor që shkatërron zgjedhjet në Shqipëri, shitblerjes së votës, Reforma Zgjedhore thjesht do të riciklonte problemet e së shkuarës pa ndryshuar asgjë, nga objektivi për zgjedhje të lira dhe të ndershme në Shqipëri”, theksoi Kryetarja e LSI. Ajo nënvizoi se konfirmimi nga Këshilli i Europës, se mbi 20 përqind e votave janë shitur dhe janë blerë si dhe konfirmimi nga raporti i OSBE/ODIHR se kriminelët janë përfshirë në fushatë si pjesë e shtabeve elektorale apo si kandidatë, kërkon përgjigje të fortë dhe të menjëhershme në reformën e re zgjedhore, pasi në të kundërt demokracia në Shqipëri do të rrënohet dhe Shqipëria do të vazhdojë të jetë turpi i Evropës për nivelin e zgjedhjeve që ajo zhvillon.