Monika Kryemadhi i parashikon fundin Ramës: E rrëzoi nga pushteti rinia, por e dënoi me pak vonesë drejtësia!

473
Fjala në Kuvend e Kryetares së LSI-së Monika Kryemadhi
Edhe pushtuesit më gjakatar nuk kanë qënë kaq të pashpirt me ne shqiptarët, kur shikojmë gra dhe fëmijë, burra pleq dhe plaka shkodranë pothuajse çdo vit, jo vetëm nga Shkodra, por në të gjithë Shqipërinë, që për disa ditë me rradhë jetojnë nën pushtetin e ujit, që në vend që ta kenë bekim nga Zoti, po u kthehet në mallkim që po u shkatërron çdo gjë, shtëpi dhe katandi. 

Ndërkohë qeveria jonë shurdh-memece-qorre as nuk ja ndjen nëse janë gjallë ata njerëz, nëse kanë strehë ku të fusin kokën, apo nëse kanë ushqim për fëmijët e tyre. 
Kjo qeveri bezdiset nga fatkeqësia e njerëzve, sepse ajo mendon për ta vetëm një ditë, vetëm në ditën e votimit për t’ju blerë votën. 
Kjo qeveri nuk mendon sesi të punësojë qytetarët, por si ti taksojë ata dhe se si ti gjobisë. 
Dikush me të drejtë thotë “që shumë shpejt do të taksohemi për taksat që paguajmë”. 
Rruga e Kombit që pas shekujsh luftrash dhe konfliktesh lidhi vëllezërit e një gjaku, rrezikon të kthehet “në vijën e demarkacionit” të ri mes Shqipërisë dhe Kosovës. 
Për çfarë integrimi europian flasim, kur veriu i Shqipërisë përveç varfërisë ekstreme duhet tashmë të paguajë dhe taksën e izolimit?
Për çfarë integrimi ekonomik dhe tregtar e rajonal flasim kur populli më I varfër në Europë paguan taksën më të lartë të rrugës në Europë ?
Kjo qeveri e Rilindjes ka vetëm një projekt politik, “Shqipëria në shitje”. 
Kështu bëri me kanabisin duke e shndërruar Shqipërinë në “plantacionin e kanabisit më të madh në botë”, sikurse sot po e kthen në “kryeqytetin” e prodhimit dhe tranzitimit të drograve të forta.

Kështu bëri me shëndetësinë, ku së shpejti pas spitaleve do të japi dhe pacientët me koncension. 

Kështu bëri me arsimin, ku studentët i ktheu në klientë që paguajnë me çmime të kripura në universitetet private, të cilat janë kthyer në fabrika të letrave pa vlerë. 

Kështu bëri me energjinë elektrike, ku varfanjakët i zhyti në depresion deri në vetëvrasje, dhe mbushi burgjet me qytetarë të vobektë për një faturë elektrike që kushton më pak sesa kostoja e një dite burgu për një të burgosur.

Kështu, kjo qeveri po i “rreh” për vdekje qytetarët dhe bizneset me taksa, deri në atë pikë ku ajri që thithim dhe gjumi që flejmë do të na taksohen. 

Ujin e papijshëm në rubinetat e tyre, shqiptarët po e paguajnë si naftë, dhe naftën po e paguajnë sikur të jenë janë danez. 

Qeveria po ndërton kulla si kërpurdhat pas shiut, por ndërkohë nuk po ndërton asnjë fabrikë për të prodhuar. . 

Qeveria po lyen fasada dhe pllaka sheshesh, por nuk po ndërton asnjë rrugë. 

Kjo qeveri po heq nga skema e ndihmës ekonomike mbi 20 mijë familje të varfra, ndërkohë që zyrat e saj të punës bëjnë thirrje për 250 vende të lira pune. 

Kemi Kryeministrin e vetëm në botë që quan sukses “deportimin”, e 10% të shqiptarëve me arsyetimin se këta 300 mijë shqiptarë po shkojnë për një jetë më të mirë. 

Por me këtë llogjike prej artisti bohem, i bie që pjesa tjetër që po jeton këtu të jetë drejt “vuajtjes së përjetshme”…

Fatkeqësisht për ne dhe ekonominë tone, sot kemi më shumë shitës sesa konsumatorë, kemi më shumë dyqane bosh se sa blerës. Kemi shumë të rinjë të kualifikuar që duan të ikën jashtë Shqipërisë, por kemi pak të rinjë idealistë dhe të aftë që kanë mundësi të kontribuojnë për këtë vend. 

Sa herë dal në këtë podium për të folur ndihem e pazonja për të numëruar dhe renditur zullumet dhe aferat e kësaj qeverie dhe të këtij kryeministri që dhe pse nuk ka vënë kufje, është e qartë që nuk ka veshë për të dëgjuar, por të paktën të vendosi syzet për të parë jo atë që I ofron shqiptarëve në Facebook, por varfërinë dhe mjerimin ku ato janë pllakosur. Për ndjesitë është e kotë të flasësh, sepse ata që ka në krah sot dhe, që e këshillojnë dhe e dëgjojnë dhe bëjnë sikur e besojnë, e dinë më mire se unë dhe se ai, që nuk ka asnjë lloj ndjesie. Kështu ndoshta ka qenë gjithmonë për një njeri si Edi Rama që për hir të pushtetit dhe karriges së tij nuk ka kursyer askënd nga njerëzit e afërt, bashkëpunëtorët, madje ata që e njohin mirë e dinë që nuk ka kursyer as familjarët e tij kur ka qenë fjala për të ruajtur karriken. 

Por kjo u intereson pak ose aspak shqiptarëve. Sepse sot ,të zhytur në varfëri e mjerim, në kaos, të drejtuar nga qejfet e bandave dhe oligarkët e Edi Rames, atyre tashmë u ka humbur shpresa. 

Ky njeri që erdhi në pushtet me paratë e drogës dhe krimit, me arrogancën e një banditi nga ata që bredhin lirshëm rrugëve të qyteteve tona, sot nuk qeveris, por sundon me forcën që i jep Malavita dhe oligarkët me të cilët ndan tavolinat dhe pazaret. Edi Rama është sot njeriu me pushtet të pakufizuar, nga ekzekutivi në parlament, por mbi të gjitha edhe në drejtësi.

Sepse tashmë ai e ka kuptuar që e vetmja hallkë ku mund të fundosen ai dhe ministrat e tij për milionat e tenderava të vjedhur, koncensioneve të dhëna me çmime qesharake klientëve të tij apo rritja dhe vjedhja që po i bëjnë taksave që rëndojnë në xhepat e shqiptarëve, është drejtësia. Drejtësia, që pas zgjedhjes flagrante të Prokurores së Përkohshme me bekimin e Edi Ramës po shndërrohet në vegël qorre për të sulmuar kundërshtarët politikë. 

Ky njeri që reagon me kënaqësi të pashpjegueshme për çdo Vetting të çdo gjyqtari apo prokurori, ende nuk i ka kthyer përgjigje shqiptarëve : se çndodh me Drejtuesit e Policisë të cilët janë të dënuar dhe janë të larguar? Ku e ka ish ministrin që mbolli dhe kanabizoi, paratë e të cilave e sollën në pushtet? Ky që përshendet çdo ditë (dhe mire e bën në fakt) veprimtarinë e organeve të Vettingut a ka dijeni për pasuritë e tij dhe të bashkëpunëtorëve të tij? A e ka të qartë që në këtë sallë, në krahun e tij ka sot njerëz që e mbështesin që janë milionerë, por që nuk i justifikojnë dot as makinat që përdorin. Në grupin e tij zotëria ka deputetë që akuzohen ditën me diell që kanë vjedhur dhe tjetërsuar pronën e pronarëve të ligjshëm, që kanë deklaruar miliona euro pasuri, që bëjnë jetë luksoze dhe i sheh në shoqërinë e banditëve dhe kriminelëve. Por ai hesht për ta, jo sepse nuk i sheh, por sepse është një prej tyre. Ata e kanë atë si model dhe ai i ka zgjedhur ata si vasalë që të shërbejnë me besnikërinë e njerëzve që janë peng i një lideri të inkriminuar.

Ky njeri mund të kërkojë që shqiptarët ta duartrokasin për arritjen e Reformës në drejtësi, por ai nuk duhet të harrojë që këtë reformë e kemi bërë të gjithë së bashku. Dhe përpara se të marri lavdinë për reformën, të kthejë pak kokën në vathën e tij ku ka pasuri të fshehura, miliona të padeklaruara dhe shpërdorime që sado pak të mundohet ti fshehë, nuk do ti shpëtojnë dot drejtësisë. Sepse do të jetë ai i pari që do të përgjigjet për kriminalizimin dhe kanabizimin e Shqipërisë. Do të jetë ai që do të përgjigjet një ditë për vjedhjen dhe tjetërsimin e votës dhe sado i qetë te duket sot, unë që e njoh mirë e di që frikërat e tij përballë prangave dalin mbi çdo gjë. 

Ndaj të mos mundohet që të shmang vëmendjen e publikut me tema të stisura që i stis në darkë dhe ja u hedh shqiptarëve për ushqim në mëngjes, në mënyrë që të harrojnë sado pak varfërinë në të cilën ato kalojnë. Sado të përpiqet shqiptarët nuk harrojnë dot që sot paguajnë më shumë taksa. Sepse ky është një fakt që i rëndon në xhepat e tyre. Nuk ka nevojë të jesh ekonomist gjysmak, për të kuptuar që sot qytetarët paguajnë më shumë për shërbime që nuk i marrin. Javën që vjen mijëra biznese të vogla kanë paralajmëruar mbylljen. Sepse në mënyrë të papërgjegjshme, Qeveria e Rilindjes u rriti taksat. Unë nuk do ti marr kohë qytetarëve të thjeshtë tu shpjegojë skema ekonomike, të cilën e shpjegon me devotshmëri shumë të madhe në televizionin e tij ERTV, por jam këtu që tu tregoj shqiptarëve se u ka rritur taksën e biznesit të vogël që të pasurosh oligarkët e tij. Dhe ka zgjedhur ta bëjë këtë duke shkatërruar dyqanet e vogla, bizneset familjare të cilat ushqejnë sot mijëra familje. Zgjodhi të varfërojë një pjesë të shqiptarëve jo sepse nuk ka sy e vesh, as sepse nuk ka ndjesi, por e bëri qartasi për të ruajtur pushtetin e tij nëpërmjet oligarkëve që sot e mbajnë në pushtet. 
Ka zhdukur shpresën për rininë shqiptare sepse tmerrohet nga brezi që është arsimuar dhe formuar në demokraci e që e kupton fare qartë që pas fasadës së tij gjysmë moderne fshihen perversitete dhe kulisa politike të ngjashme me ato të diktatorëve më të egër, që nuk ka frikë ta fshehi që i adhuron ato. Ky njeri nuk e do rininë e këtij vendi, sepse për fatin e tij të keq po plaket në mjerim. Dhe ky mjeran kërkon forcën dhe mbështetjen e gjen tek banditët, tek ata që e sollën në pushtet dhe që sot e mbajnë peng të trilleve dhe pazareve të tyre. Është i tmerruar nga rinia e shkolluar, nga gjimnazistët dhe studentët sepse e ka të qartë që janë ata që kanë bërë revolucione dhe kanë shporrur diktaturat në këtë vend. Ndaj sot përpiqet me mish e me shpirt ti largojë ata nga Shqipëria. Edi Rama sot ëndërron çdo natë para se të flejë (edhe pse dyshoj nëse e zë gjumi apo jo) që të jetë pjesë e historisë së Shqipërisë, e historisë së këtij kombi. Sepse deliret e tij janë më të forta se ai. Dhe unë e siguroj që do jetë pjesë e historisë dhe teksteve shkollore ndoshta pas 50 vitesh. Ku në to do shkruhet : u përpoq me sa mundi të largonte shqiptarët nga vendi i tyre. Shkatërroi ekonominë ,sundoi me banda, me mënyrën si qeverisi largoi nga vendi mjekët, infermierët ,mësuesit ,inxhinierët ,ekonomistët, intelektualët dhe mbi të gjitha helmoi shpresat e rinisë. Por e siguroj zotin kryeministër se në kapitullin e tij të fundit të historisë do të shkruhet gjithashtu : e rrëzoi nga pushteti rinia, por e dënoi me pak vonesë drejtësia.
Sigal