Monika Kryemadhi flet nga Dibra: Rama e dorëzoi shtetin në dorë të mafias

583
Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, ka zhvilluar sot një takim me strukturat e LSI në Dibër.
Duke akuzuar kryeministrin Rama si përgjegjësin kryesor për gjendjen e vështirë ekonomike të qytetarëve shqiptarë, ajo tha se populli duhet të reagojë.
Kryemadhi, në takimin e saj të parë me strukturat në Dibër, si kryetare e LSI, u shpreh se “Shteti është i kapur nga mafia, dhe investitorët e shohin vendin si ‘Kolumbinë e Europës”.
“Rama e dorëzoi shtetin në dorë të mafias”, tha ajo.
“Sot kemi një qeveri pa program. Po shohim teatër si shkarkohen e emërohen drejtorë, prefektë, si dhe prova gjenerale në televizione që i përgatisin kryemninistrit Rama të ardhmen e tij qeverisëse. Emërimi i 12 prefektëve është teatri i radhës i Ramës”, u shpreh Kryemadhi.
Fjala e Kryetares së LSI-së, Monika Kryemadhi, në takimin me strukturat e LSI-së në Qarkun Dibër
Unë jam bijë e kësaj zone. Gjithmonë kam luftuar dhe jam përpjekur për të bërë diçka. Para 8 kam kandiduar në këtë zonë dhe është një zonë e jashtëzakonshme, mjaft mikpritëse. E shikoj që edhe pse vitet kanë kaluar varfëria nuk ka ndryshuar. Shikoj që investimet nuk janë rritur, madje janë ulur. Është përkeqësuar qoftë infrastruktura apo qoftë edhe zhvillimi i kësaj zone. 
Sigurisht që kjo nuk më jep shansin për të ngritur zërin por për të ulur kokën dhe për të kërkuar falje si një dibrane por edhe si një politikane që duhet ta kishte ngritur zërin më shumë për këtë zonë, me bindjen se ky popull meriton më shumë sepse është një popull punëtor, i mençur por edhe i vuajtur. Politika e ka përdorur herë pas herë por kur i ka ardhur mundësia për t’i kthyer këtij populli atë që meriton e ka harruar gjithmonë. 
Dua t’ju falënderoj sinqerisht për angazhimin tuaj por edhe për përballjen e jashtëzakonshme me krimin, me bandat, me shtetin, me policinë në zgjedhjet e 25 qershorit. Në fakt po nga ky podium dua të kërkoj përsëri falje, jo vetëm për ju por për të gjithë shqiptarët sepse zgjedhjet lokale të 2016-s ishin prova gjenerale që Edi Rama, se si mund të blihet vota, se si mund të përdoren bandat dhe krimi i organizuar, për të ndryshuar votën e qytetarëve dhe realitetin politik siç e mendojnë zgjedhësit. 
Zgjedhjet e 2016-ës ishin një shembull shumë i shëmtuar që i hapi rrugën masterplanit të madh të vjedhjes së votës, në mënyrën më të tmerrshme, por edhe të shitblerjes së saj, të kërcënimit të votuesve apo përdorimit të strukturës së shtetit dhe të parave të krimit. 
U këmbyen votat e qytetarëve me parcelat e hashashit që mbaheshin dhe ruheshin nga kryepleqtë. U këmbyen votat e qytetarëve me paratë e drogës, u këmbyen votat e qytetarëve me vendet e punës dhe me kërcënimet për vendet e punës. 
Edhe pse Edi Rama dhe narkoshteti i tij e bënë këtë skemë, unë dua të falënderoj shumë strukturat e LSI-së së Dibrës pasi në qytete ne patëm dyfishim të rezultatit. Dhe kjo erdhi pas punës së jashtëzakonshme që bënë strukturat. 
E them këtë sepse Qarku i Dibrës ishte një nga qarqet më të dhunshme dhe të deformimit të votës që ka pasur ndonjëherë. Edhe në qarqet e tjera por në Dibër kjo ka qenë më prezente. Ky falënderim sinqerisht vjen nga zemra, sepse votat e LSI-së në këtë qark, kanë qenë vota heronjsh, nuk janë as vota partie, as vota interesi, por janë vota bindjeje, vota zemre dhe vota shprese. Janë vota shprese sepse njerëzit shpresojnë dhe besojnë që ne duhet të jemi një vend, i cili duhet të jetë anëtar i Bashkimit Evropian. Prej 27 vitesh jemi një vend në tranzicion dhe kjo për shkak të klasës politike, për shkak të konfliktit politik, për shkak të korrupsionit, për shkak të krimit të organizuar, për shkak të kapjes së shtetit nga mafia, nga bandat dhe nga kriminelët.
Ekonomia në Shqipëri po vjen çdo ditë e më shumë duke u përkeqësuar, duke polarizuar problemet sociale dhe duke varfëruar çdo ditë e më shumë shqiptarët. Besoj se pjesa më e madhe e juaja e dini mjaft mirë që pensionet nuk janë rritur, pagat nuk janë rritur dhe mundësia për të blerë ushqimin është shumë e vështirë. Pra, inflacioni është rritur dhe ajo çfarë ka ndodhur është që situata sa vjen e përkeqësohet çdo ditë e më shumë.
Banka Botërore sapo konfirmoi se Shqipëria ka bërë hapa pas përsa i përket bërjes së biznesit, pra Doing Bussines, ku vihet re një përkeqësim të renditjes së Shqipërisë në këtë analizë, duke u pozicionuar 7 vende më poshtë. Çdo të thotë kjo? Kjo do të thotë që taksat e larta dhe korrupsioni qeveritar po e përkeqëson klimën e biznesit. Pra, investitorët e huaj nuk e shikojnë Shqipërinë si një vend potencial për të ardhur dhe për të investuar këtu. Duke pasur parasysh që fqinjët tanë, Maqedonia është në vendin e 11-të, Kosova në vendin e 40-të, ndërsa Shqipëria në vendin e 65-të. Pra, investitorët e huaj e shikojnë Shqipërinë si Kolumbinë e Evropës, çka do të thotë se vendi ynë çdo ditë e më shumë do të varfërohet dhe përkeqësohet. Shqiptarët çdo ditë e më shumë do të jenë të varfër dhe besoj se ju e dini më mirë se unë se sa më i varfër të jesh, sa më i pashkolluar të jesh, aq më e lehtë është për të qenë viktimë apo peng i krimit dhe i bandave. Sepse nëse njerëzit nuk do të kenë mundësi të ushqejnë fëmijët e tyre, do të detyrohen të bëhen argatë në fushat e kanabisit. Nëse njerëzit nuk do të kenë mundësi të shkollojnë fëmijët e tyre, do të detyrohen të ngrenë plaçkat dhe të emigrojnë, duke e shpopulluar këtë vend.
Mund të kishim folur pafundësisht për situatën ekonomike, për varfërinë, por do doja të theksoja diçka. Sa më shumë të fillojmë duke u qarë dhe duke përmendur problemet, aq më shumë do ta ulim kokën. Kemi vetëm një rrugë, ndërgjegje dhe zgjim të vetëdijes kombëtare. E them këtë sepse është shumë e rëndësishme ngaqë kemi bërë beteja shumë më të forta e të vështira dhe kemi arritur qëllimin në të mirë të vendit dhe të ardhmes së fëmijëve tanë. Pse e them këtë? E them këtë sepse Edi Rama ka instaluar narko-shtetin, e ka dorëzuar shtetin dhe tepsinë e tij në duart e bandave dhe të krimit të organizuar dhe çdo ditë e më shumë çdo segment i shtetit shqiptar është gjithmonë në funksion të tyre. 
Kryeministri Lolo apo Kryeministri i Lolos bëri fushatë nëpër gjithë Shqipërinë duke na përmendur tepsinë, timonin, tutat e sportit dhe atletet. Bëri fushatë në mënyrën më të hapur pa lexuar asnjë fjalë në program, pa dhënë asnjë projektim për të ardhmen dhe sot ne kemi një qeveri pa program. Kemi një qeveri që po shikojmë teatër se si emërohen apo çemërohen drejtorët apo prefektët dhe sigurisht që shikojmë dhe prova gjenerale apo teatrin e radhës nëpër televizione, të cilat nuk janë gjë tjetër veçse kazani i oligarkëve, të cilët i përgatisin z. Rama apo kryeministrit Lolo të ardhmen e tij qeverisëse. 
Unë kam një besim dhe besoj te të rinjtë dhe te gratë. Jo se nuk kam besim tek burrat, kam besim shumë të madh sepse gratë pa burrat nuk do ishin asgjë dhe të rinjtë pa prindërit e tyre nuk do ishin asgjë. Besoj tek gratë sepse besoj tek forca e nënës dhe tek lufta që bën një nënë për fëmijën e saj. Sakrifikon çdo gjë që fëmija e saj të ketë ushqim, jetë dhe një shkollë të garantuar e më të mirë. Besoj tek energjia e të rinjve sepse besoj tek ëndrrat dhe shpresat e tyre për të jetuar dhe drejtuar këtë vend. Besoj tek forca e familjes shqiptare të cilët kanë përballuar me vështirësi çdo dhimbje, luftë, situatë të vështirë për të krijuar një të ardhme më të mirë për brezat që do vijnë. Besoj tek LSI-a sepse besoj tek vlerat e të gjithë atyre njerëzve që i janë bashkuar kësaj partie 13 vjet më parë duke ardhur e duke u shtuar çdo ditë e më shumë. Besoj te këta njerëz të cilët besojnë për ta ndryshuar këtë realitet të hidhur. Është një rrugë e vështirë por është një rrugë e cila do ta bëjë të mundur realizimin e ëndrrës të shqiptarëve për të pasur një Shqipëri evropiane. 
Nuk dua të zgjatem shumë sepse dua që këtë takim ta kthejmë në një bashkëbisedim sepse nganjëherë fjalët tona janë të tepërta, por fjalët tuaja janë shumë më të rëndësishme sepse keni qenë ju ata misionarë dhe ata mesazherë të shpërndarjes së mesazhit të LSI-së. Ky është takimi im i parë si Kryetare e LSI në qarkun e Dibrës, por nuk është takimi im i parë si themeluese e LSI apo si drejtuese e LSI-së në këtë qark. Gjëra shumë të pamundura, i kemi bërë të realizueshme dhe jam e bindur që do të bëjmë akoma gjëra të tjera më të vështira por që do të jenë të prekshme për të gjithë. 
Ne ditën e dielë, kemi Konventën Kombëtare të LSI që mblidhet në pallatin e sportit Asllan Rusi. Është një konventë për të cilën shumë pyesin, pse e bëni këtë Konventë? Cila është arsyeja? Sepse LSI është një parti që konsideron bazën e saj, konsideron anëtarët e saj, mblidhemi, diskutojmë, marrim vendime, sepse është shumë e rëndësishme për të marrë vendime shumë të rëndësishme në të ardhmen e Shqipërisë. Në këtë situatë në të cilën gjendet Shqipëria, në këtë situatë, ku krimi i organizuar drejton shtetin, policinë, çdo institucion shtetëror, dhe në këtë situatë të jashtëzakonshme ku ne si LSI së bashku me të gjitha partitë e tjera të cilat duan t’i thonë stop krimit, sot bandave, stop kanabizimit të vendit, për ta zhvilluar këtë vend si një shtet europian, dhe jo për ta zhvilluar si një shtet kolumbian, jo si një narko-shtet, ku droga, krimi dhe mafia janë elementët kryesorë. 
Çdo ditë dhe më shumë qytetarët ndërgjegjësohen, edhe pse terrori kriminal është prezent kudo në zyrat e shtetit, në zyrat e Policisë, në rrugë dhe kudo. Unë them se kjo gjë do të marrë fund, sepse këto janë edhe përpëlitjet e fundit të mostrës kriminale që ne vetë kemi instaluar, diku me votën tonë, diku duke mbyllur sytë, diku edhe duke mbyllur gojën. Prandaj, mendoj që sot më shumë se kurrë është momenti që të gjithë të zgjohemi, të sensibilizohemi, zërin tonë ta çojmë kudo, në çdo rrugë, në çdo rrugicë, në çdo derë për t’i zgjuar shqiptarët dhe për t’i trimëruar ata, sepse shqiptarët janë shumë më shumë në numër sesa disa banditë që kanë uzurpuar kupolën e shtetit. Unë ju falënderoj shumë. Ju jam mirënjohëse në përulje për gjithë angazhimin tuaj, për gjithë forcën dhe besimin që ju i keni dhënë, jo vetëm Lëvizjes Socialiste për Integrim, por të gjithë atij brezi që po kontribuon për ta ndryshuar realitetin këtu.
Sigal