Moikom Zeqo:Përparësia e kulturës mbi politikën është emancipimi i vetë politikës

436
Sigal

Vota e 23 Qershorit është edhe një apel afatgjatë dhe imediat për ta kulturuar më në fund vetë politikën!

Deri tani, gjithë debati politik është përfshirë në sferën e ekonomisë, duke anashkaluar Kulturën. Madje, fatkeqësisht, muajt e fundit në vendin tonë kanë ndodhur ngjarje fatale të Trashëgimisë Kulturore, sikurse prishja e afreskeve të Onufrit, cilësimi i amfiteatrit antik të Durrësit si më i rrezikuari në Europë, rreziku i daljes të Beratit nga kujdestaria e UNESCO-s, dëmtimet muzeale në qytetin e Gjirokastrës, etj.. Studiuesi dhe politologu Moikom Zeqo në intervistën për “Telegraf”, pikërisht me fokusimin e raporteve të politikës me Kulturën, shtron domosdoshmërinë e përparësisë që duhet të ketë kultura mbi vetë politikën, pasi kjo është edhe mënyra e emancipimit të vetë politikës.

– Zoti Moikom, a ishte vota e 23 Qershorit thjesht një reagim politik, apo edhe reagim kulturor?

-Në radhë të parë, detyrimisht, konkretisht dhe juridikisht është një reagim politik i jashtëzakonshëm. Një reagim madhor, i koncentruar këto 22 vjet tek qytetarët shqiptarë, kundër projektit, apo eksperimentimit të qeverisjes berishiane- qeverisje kjo arketipale, antidemokratike, si deformim dhe mutacion i mbrapshtë i ideve, koncepteve formale me substancë autoritariste, me një virtualizëm primitiv ekonomik, plot korrupsion, me struktura klienteliste të frikshme, e kundërta e një vizioni demokratik të përparuar. Reagimi popullor qe një lloj plebishiti për të rregulluar, apo gjetur ekuilibrin e shmangur, të humbur të politikës së vërtetë. Por çdo veprim, apo dukuri politike është konceptual ( pra dhe mendor !) .

– Ç’do të thotë kjo?

– Kjo do të thotë se vetëdija  e popullit në të vërtetë qe më e lartë dhe e ndryshme në konceptet  parakë, bazorë nga ajo e klasës politike dhe sidomos ndaj mitit soterik (në thelb alibik ) të shëmbëlltyrës së Berishës. Pra vota e pashembullt popullore qe edhe një reagim i shkëlqyer kulturor kundër antikulturës politike berishiane ,ose gjithçkaje të ngjashme me të.

Së pari, kundër ligjërimit të tmerrshëm politik plot sharje, anatemime të skajshme, shantazhit të egër, fyerjeve, akuzave nga më të çuditshmet ndaj kundërshtarëve  politikë, kundër opozitës, presidentit, kryeprokurores, deputetëve etj. Kurrë nuk ka ndodhur -mos ndodhtë kurrë ! – që Kryeministri dhe Kryetarja e Kuvendit të artikulojnë kaq mjerueshëm dhe banalisht ligjërimin politik publik. Carl Gustav  Jung-u ka shkruar se sharjet tregojnë psikikisht një stad të ulët të të menduarit normal dhe të qytetëruar. Dhe kjo  ndodhi në Shqipëri si një katrahurë e rëndë. Dhe ndodhi për shumë, shumë kohë, për fat të keq !

Së dyti, kultura e qeverisjes (etatiste) u bë një ideologji primitive e privitazimit të institucioneve, ku  edhe vetë institucioni i partisë dhe i kryetarit qe ai i klubit të Njëshit, i tribusë, servilizmit, i korruptimit të stimuluar,i  gllabërimit antikushtetues të të gjitha pushteteve. Kjo qe antikultura më antidemokratike e këtij tranzicioni, alikimia më e rrezikshme e  deformimit dhe shkatërrimit. Reagimi popullor e kundërshtoi fuqishëm edhe këtë antikulturë retrograde, në thelb antipopullore.

Së treti, reagimi popullor qe shprehje e thukët, e epërme  e faktit që kultura e ndëshkueshmërisë, e së drejtës ndaj krimit të organizuar, por edhe ndaj krimit shtetëror, të ngrihet nga humnera ku e ka hedhur berishizmi, në mënyrë që të besohet tek e drejta dhe e drejta të vihet  në vendin kryesor, të ringjallet,- pra kultura e ndëshkueshmërisë të jetë struktura kushtetuese e respektimit të ligjeve demokratike dhe e të jetuarit, sipas këtyre ligjeve demokratike. Kjo kërkon  reformat ë thella në rrafshin e drejtësisë, gjykatave, pra krijimin e kulturës së mirëfilltë juridike shqiptare, e kulturës universale juridike që është substanca e patjetërsueshme e vetë qytetërimit modern,integrues.

Së katërti, reagimi popullor qe kundër modelit të alambikuar keq  të ekonomisë informale dhe virtuale, për një projekt vizionar ekonomik me një kulturë të shumëfishtë profesionale dhe shkencore, për një kulturë të vërtetë, reale në fushën e punësimit, prodhimit shoqëror, të arsimit, të shëndetësisë,-një projekt të protagonizmit ekonomik bazuar në burimet dhe pasuritë natyrore dhe potencialet e njerëzve, sipas paradigmave europiane më të zhvilluara,- një projekt të perspektivës integruese.

– A duhet të ndryshojë ligji për Trashëgiminë Kulturore?

– Po, duhet  ndryshuar dhe përsosur ligji i Trashëgimisë Kulturore, sepse ka ardhur koha për një gjë të tillë të domosdoshme, ndonëse në shumë pika kryesore ky ligj është konceptuar drejt juridikisht. E keqja ka qenë moszbatimi i këtij ligji në praktikë. Ky ligj duhet të fuqizonte arkeologjinë shqiptare, studimet, ruajtjen e restaurimin e monumenteve, mbrojtjen e trashëgimisë etnografike, antropologjinë, ikonografinë shqiptare të shekujve, qytetet muzeorë, fondet albanologjike të bibliotekave, trashëgiminë e shkrimtarëve të shquar dhe dijetarëve të mëdhenj, që kanë vdekur, të stimulojë përkthimet në gjuhë të huaja të veprave më përfaqësuese të letërsisë shqipe- ato janë pjesë e trashëgimisë madhore kombëtare, pra ky ligj të përurojë atë që është e përjetshme dhe e patjetërsueshme  Shqipërinë Kulturore. Çdo integrim më shumë se sa politik dhe ekonomik është në substancë integrim kulturor – para së gjithash dhe në mënyrë eksplicite –po e ritheksoj : integrim kulturor!

– Qeveria e re e së Majtës, a mendoni se do të jetë edhe qeveri kulturore, apo thjesht politike?

– Shpresoj që të bëjë diçka pozitive patjetër, do të ketë kulturë më shumë, më shumëanshmërisht në politikë, si dhe politikë për vetë kulturën. Pa bërë këtë nuk ka emancipim. Për këtë duhen mobilizuar tërë kapacitetet mendore dhe intelektuale më të shquara të Shqipërisë, për të bërë kapërcimin e Rubikonit të kulturës nga politika. Me mediokritet nuk bëhet politika, sepse mediokriteti është dështimi i vetë politikës- kjo është një rregullsi e pashmangshme dot, nuk i fshihesh, nuk e mohon.

– Ju si do ta gjykonit politikën e Edi Ramës, që ministrat të mos jenë deputetë? Risi? Eksperiment? Apo një përpjekje që të mbajë nën presion, në kuptimin e diktatit të vet, ministrat?

– Ideja e Ramës që ministrat të mos jenë deputetë është  e drejtë, madje shumë e saktë dhe e mençur- më pëlqen kjo ide dhe e mbështes. Por ama ministrat duhet të përzgjidhen si personalitete  – dhe të tillë e majta ka padyshim, nuk i mungojnë. Kjo nuk ka të bëjë me diktatin e kryeministrit, ka të bëjë me vizionin. Por vështirësitë do të jenë shumë të mëdha, nuk  ekziston shkopi magjik, por vullneti ftillëzon suksesin- për këtë jam i bindur. Ndërlikueshmëria e rëndë e problemeve, që ka përpara qeveria e së majtës, kërkon  domosdoshmërisht vetëm kapacitete adekuate të shquara për t’i përballuar.

Jeni ndër kriticistët e ministrisë së Kulturës. Si do të konceptonit një vizion të ri të Ministrisë së Kulturës të së Majtës?

 -Krejt ndryshe nga ç’ka qenë deri më tani. Deri më sot, ministria e Kulturës është konceptuar, edhe nga qeveritë e majta dhe të djathta,  si  ministria Hirushe, më e varfra, por për saktësi ajo është më përfaqësuesja e identitetit kulturor dhe kombëtar. Administrata e saj duhet rikonceptuar dhe të përfaqësohen nga profesionistët dhe jo nga militantët, që nuk marrin erë nga kultura, fondet e saj duhen rritur, vizioni i saj duhet materializuar në maksimum dhe pa asnjë dilemë burokratike. Meqë ra fjala, edhe peizazhi dhe natyra është pasuri e jashtëzakonshme kulturore në një kuptim ekologjik, por edhe estetik sipëror. Aksioni i drejtë, logjik  i kryeministrit Rama për të prishur ndërtimet pa leje në bregdetin e jugut, në Vlorë dhe në Llogara, etj., është  një aksion gjithashtu i vërtetë kulturor, tejet i rëndësishëm – një kumt i qartë se çdo gjë e kundërligjshme do të përballet me ligjin. Ta ruash natyrën, sipas kritereve ligjore vizionare, do të thotë të jesh i përgjegjshëm, deri në fund për trashëgiminë tonë kombëtare të mijëvjeçarëve edhe për gjeneratat e ardhshme, do të thotë të  mishërosh një kulturë politike të lartë.

– Për një mirëfunksionim të punëve, a duhet që ministria e sotme të ndahet në ministri të Kulturës dhe në ministri të Turizmit dhe përse?

– Jam i bindur se kultura dhe turizmi duhet të jenë dy dikastere më vete – jam kundër formave hibride” edhe ashtu edhe kështu” – dy ministri më vete janë një sintezë më e mirë. Fuksionalizimi bëhet më i plotë, më rezultativ.

– Organizma ndërkombëtare të Trashëgimisë Kulturore paralajmërojnë se rrezikohen të shkatërrohen monumente të Kulturës botërore, si Amfiteatri i Durrësit. Berati rrezikohet të dalë nga listat e UNESCO-s, si qytet muze. Në Gjirokastër trashëgimia kulturore po rrënohet me ndërtime të kota dhe restaurimet dështojnë. Përse kjo politikë e shpërfilljes ndaj trashëgimisë kulturore

– Kam shkruar shumë për këtë temë, ndaj do t’ju përgjigjen shkurt. Antikultura shtetërore, sidomos e këtyre 8 viteve, i katandisi keq monumentet – shkatërroi imazhin e Krujës, kryeqytetit skënderbejan të mesjetës shqiptare, rrezikoi seriozisht  për ta nxjerrë Beratin dhe Gjirokastrën nga lista e UNESCO-s, nuk restauroi asnjë kështjellë, ose monument tjetër, lejoi të shkatërroheshin barbarisht afresket e Onufrit, të prishej lagjja antike e zbuluar në Durrës – diçka e ngjashme me monumentet e Pompeit, për nga rëndësia unikale arkeologjike, nuk çau kokën, nuk bëri asnjë përpjekje për ta mbrojtur amfiteatrin e Durrësit – i shpallur tashmë si një nga 7 monumentet më të rrezikuara në botë. Qeveria e re duhet ta lexojë qartë edhe këtë “libër të gabimeve” dhe të reflektojë.

– Si duhet të ndërtohen raportet e reja të marrëdhënieve të shtetit shqiptar me organizma ndërkombëtare, por më shumë, me UNESCO-n?

– Raporte dinjiteti dhe përgjegjësie dyanësore (bilaterale). Këto raporte duhet të jenë të gjalla dhe krijuese larg çdo burokracie formale dhe pa asnjë kuptim substancial. Po kjo do shumë kohë dhe varet edhe nga densiteti dhe shkalla e integrimit tonë europian.

– A mund të ketë vizion e perspektivë turizmi kulturor në Shqipëri? Kemi parasysh që shumë vlera të trashëgimisë tonë kulturore me vlera botërore, “flenë” në shpërfilljen e harresës e të ferrave e drizave.

– Turizmi kulturor ka prespektivë, por në fillim duhet  përmirësuar situata e rëndë e monumenteve të Shqipërisë – pra jemi të vonuar, por jo në  mënyrë fatale. Turizmi kulturor është  edhe elitar dhe nga kjo pikëpamje kërkon shumë më tepër vizion, organizim dhe infrastrukturë.

–  Cilat duhet të jenë marrëdhëniet e reja që duhet të ndërtojë qeveria e re me njerëzit e kulturës?

– E kundërta e atyre që kanë  qenë deri më tani. E kundërta e atyre marrëdhënieve që politika ka patur me njerëzit e kulturës këto 22 vjet. Këtu duhet vërtetë rilindje. Vetëm politikanët e mëdhenj janë njëkohësisht edhe protagonistë realë të kulturës! Kjo është paradigma e zhvillimit!

– Dua të evidentoj përsëri në vëmendjen e qeveritarëve një problem. Jemi i vetmi vend në Europë që nuk kemi një organ të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, madje asnjë program e gazetë të mirëfilltë për kulturën dhe artin, ndërkohë që jemi në 2013-n. A mund të ecet kështu?

– E preka pak më sipër këtë motiv krejt të pamotivuar. Rezidenca e shkrimtarëve dhe artistëve është prona e tyre e njohur me ligj- organizata ( me kritere demokratike funksionimi ) e shkrimtarëve dhe  artistëve juridikisht ekziston, por atë nuk e përfill mendjelehtësish askush nga shtetarët. Shteti duhet ta zgjidhë ligjërisht çështjen e një rezidence, si dhe të botimit të organeve për kulturën dhe artin. Atë që nuk u bë për 8 vjet nuk duhet ta kthejë në një “perpetuum mobile” pa asnjë zgjidhje konkretë qeveria e re e së majtës. Mendoj se do të bëhet  diçka e mirë dhe si duhet edhe në këtë aspekt kulturor të mirëfilltë, kombëtar.

Kur raporti i politikës me kulturës është negativ, nuk ka të ardhme për shoqërinë

– Dështimi i qeverisjes “Berisha”, përveç edhe politik, ishte edhe kulturor? Sepse jemi dëshmitarë që shumë trashëgimi kulturore u dëmtuan, madje, saqë rrezikohen që Berati të dalë nga lista e UNESCO-s, si qytet muze, të kërcënohet amfiteatri me rrënin, etj..

– Çdo dështim politik është në thelb edhe dështim kulturor – kjo nuk ka asnjë diskutim, apo kundërthënie. Niveli i politikës është niveli i koncepteve, ideve, i të menduarit, i të reflektuarit të padyshimtë të nivelit real kulturor ( të pafalsifikueshëm dot!). Një propagandë e shfrenuar, e mediatizuar marrëzishëm është një kitsch-kulturë, pra e kundërta e kulturës serioze. Por ky spektakolarizëm i zhurmshëm,  pa kufi, egoman, si truke  hutuese, të kota prestigjiatori  vetëm e mbulon dhe e fsheh të vërtetën, është antikultura e mashtrimit të  koduar. Përsa i përket qeverisjes së këtyre 8 viteve, me institucionet e kulturës katrahura ka qenë akoma më rrënuese. Pseudoreforma e vitit 2008 për Akademinë e Shkencave qe shkatërrimi gati i pariparueshëm i saj, nuk botohen më revistat shkencore autoritative. Instituti i arkeologjisë u prish, nuk bëhen ekspedita kërkimore, as kuvende shkencore për ilirët, për etnogjenezën e shqiptarëve, gjuhësia shqipe është mpirë, gëlon diletantizmi dhe sharlatanizmi pseudoshkencor, shkenca e historisë është klientelizuar nga interesat politike, çështja kombëtare është  butaforizuar mjerueshëm, albanologjia seriozë është tjetërsuar, po kështu edhe studimet për artin, etnografinë, kurse shkencat për gjeologjinë, fizikën, matematikën, pasuritë  detare, bujqësinë, zoologjinë, naftën, mineralet etj, kanë një vdekje të bardhë në Shqipëri. E pabesueshme! Po ja që kështu është e vërteta! Në këto 8 vjet respekti dhe nderimi për artistët e teatrit dhe filmit nuk ekziston, as për artistët e arteve figurative dhe pamore dhe akoma më keq është gjendja me shkrimtarët e Shqipërisë, statusi i të cilëve është zero, ose nën zero nga politika dhe kushtet ekzistenciale – e drejta e punës së tyre krijuese nuk paguhet nga botuesit. Shqipëria është shteti i vetëm në Europë, ku e drejta e pronës intelektuale nuk njihet dhe nuk merret në konsideratë. Ju rrëmbye shkrimtarëve dhe artistëve, në kundërshtim me ligjin, rezidenca e tyre, u vodh dhe u shkatërrua biblioteka shumë e pasur e tyre, – sot Shqipëria është ndoshta i vetmi vend në Europë dhe ndoshta në botë, ku nuk ka një organizatë krijuesish, nuk ka asnjë organ letrar të tyre për të përfaqësuar letërsinë dhe kulturën shqiptare. Kjo është gjithashtu diçka e paimagjinueshme për një vend dhe një shtet normal- është anomarliteti më i skajshëm më antiart dhe antikulturë  që ka ndodhur ndonjëherë. E dhimbshme, por edhe qesharake! E vrazhdë dhe idioteske!

-Sipas jush, cilat duhen të jenë raportet midis politikës dhe kulturës?

– Në shoqëritë e pacivilizuara raporti i politikës me kulturën është negativ, pra një raport apokaliptik, pa asnjë të ardhme! Kështu ka ndodhur këto 22 vjet tek ne. Duhet përmbysur ky raport progresivisht dhe konceptualisht. Nuk mund të ketë politikë të vërtetë  jashtë, apo në kundërshtim me kulturën e vërtetë. Politika dhe kultura janë pjesë të një ekuacioni mendor. Politikanët janë pengu i kulturës së tyre, por shpesh politikanët janë  qenie efemeride, për shkak të limitimit të mandateve dhe të rotacionit kushtetues së pushtetit, kurse njerëzit e kulturës nuk kanë nevojë për mandate dhe rotacion dhe kjo përbën një përparësi të dukshme të tyre në të gjitha kuptimet. Personalitetet e mëdha të kulturës, në pikëpamje perspektive  dhe të substancës historike, janë më të rëndësishëm se sa politikanët, madje edhe kur politikanët janë të suksesshëm. Ajo çfarë mbetet më shumë nga etapat historike janë struktura kulturore,  si  formë dhe përmbajtje më sintetike se sa  kronologjitë politike. Por nuk mund të bëhet edhe pa politikanët domosdo, ndaj politikanët që respektojnë kulturën gjejnë aty-në e tyre më ideale dhe më të mençur  për të afirmuar vetveten. Vota e 23 Qershorit është edhe një apel afatgjatë dhe imediat për ta kulturuar më në fund vetë politikën!