Mjaft më, me fjalë dhe hartime të bukura! Bëni, një herë të vetme, VEPRIM-in e duhur!

347
Sigal

Nga Klodi Stralla

Dje, një mikja ime e fb-ut, përmes një statusi, përcillte qëndrimin e Kishës ortodokse (KOASH-it) ndaj masës të fundit të Kryministrit. Rama në lidhje me karantinimin e plotë të popullatës, kësaj here jo si zakonisht, por duke filluar nga dita e premte deri të hënen në mëngjez, duke e konsideruar këtë urdhër qeveritar si cënim të lirisë të besimtarëve ortodoksë për të festuar Pashkët.

Është e tepërt të them se përmbajtja e deklaratës të Kishës, e përfaqësuar nga njëfarë Miron Cako, përgjegjës i Zyrës të Katekizmit, ishte, nga kreu në fund, një lumë servilizmash, të shtira e të pështira, ndaj qeverisë dhe personalisht kryeministrit tonë. Për të mos thënë pastaj që deklarata ishte edhe kontradiktore në përmbajtjen e saj. Nga njëra anë i cilësonte kufizimet e reja si dashakeqe dhe të qëllimta, për t’i penguar besimtarët ortodoksë të kryenin ritualin e Pashkëve dhe, nga ana tjetër, në çdo paragraf të tekstit, deklarohej se besimtarët janë njerëz të bindur ndaj ligjeve e regullave të shtetit dhe do t’i respektojnë ato!

Historia e besimeve (kur ka besimtarë të vërtetë) është e mbushur përplot me raste kur besimtarët i janë kundërvenë arbitraritetit të shtetit, kur ai ka nëpërkembur, me qëllim apo për arrogance, nevojat për ushtrim të besimit të tyre të ligjshëm. Të tillë kanë qenë besimtarët trima, polakë, hungareze e kroatë të periudhës të egër antifetare të kohës të Stalinit, të udhëhequr nga kardinalët e tyre legjendarë Vishinski, Minxenti dhe Stepinac, por edhe besimtarët dhe klerikët tanë martirë katolikë të viteve të para të pas luftës.

Kisha i ka të gjitha mundësitë që proçesionin fetar të Pashkeve ta organizojë në mënyrë të tillë që të permbushe edhe nevojat shpirtërore të besimtarëve të vet në ditën e tyre më të shenjtë, por edhe të respektojë distancimin fizik që dikton lufta ndaj virusit. Njerëzit tashmë janë vetëdijësuar për riskun që mbart kontakti i shpeshtë fizik mes tyre. Ajo mund t’u drejtohet besimtarëve përmes televizorit dhe të kërkojë mirkuptimin e tyre, por jo të nënshtrohet si skllavi ndaj të zotit dhe, për më keq, nënshtrimin ta shoqërojë me servilizëm të shtirur ndaj të parit të qeverisë.
Jezusi, që ata i luten dhe e adhurojnë në këtë ditë të shenjtë, u kryqëzua në kryq sepse nuk pranoi të mohonte besimin, ndërsa besimtarët e sotëm dhe barinjtë e tyre (nëse ka ende të tillë), nuk kanë kurajo ta shpërfillin një vendim qeveritar, arrogant e të pajustifikuar. Turp!

PS. Ky apel vlen për të gjitha komunitetet fetare.