Presidenti Meta dekoron patriotin Elez Isuf Ndreu: Mirënjohje për gjithçka i dha çështjes shqiptare

319
Sigal

Presidenti Ilir Meta ka dekoruar sot në Dibër patriotin e njohur Elez Isuf Ndreu. Presidenti Meta shprehet se prijësi legjendar i dibranëve ka dhënë dha një kontribut të spikatur në mbrojtjen dhe konsolidimin e shtetit shqiptar. Ndaj nuk mund të mos përulesh me respekt para veprës dhe jetës së Tij sa herë viziton Peshkopinë.

Mesazhi i plotë i kreut të shtetit:

“Elez Isuf Ndreu, prijësi legjendar i dibranëve dhe shqiptarëve, i cili luftoi kundër të gjithë pushtuesve të Shqipërisë që njohu gjatë jetës së tij, është nga burrat e mëdhenj të Dibrës e kombit tonë, që siç thotë populli: “Kjo Shqipëri ka njohur burra që nuk njohin dy flamura”.

Përherë në ballë të betejave për Pavarësinë dhe Lirinë, moscopëtimin e trojeve shqiptare dhe bashkimin kombëtar, ai dha një kontribut të spikatur në mbrojtjen dhe konsolidimin e shtetit shqiptar. Ndaj nuk mund të mos përulesh me respekt para veprës dhe jetës së Tij sa herë viziton Peshkopinë.

Në vlerësim dhe mirënjohje për gjithçka i dha çështjes shqiptare, pata kënaqësinë ta vlerësoja Elez Isuf Ndreun, pikërisht në Dibër, vendin e origjinës së tij, me Dekoratën e Flamurit Kombëtar, më të lartën e Republikës.

Të mësojmë nga gabimet që kemi bërë këto 100 vite, ta ruajmë e ta forcojmë shtetin shqiptar, gjithmonë gati kundër çdo kërcënimi të jashtëm dhe të brendshëm.

Krenarë për të parët tanë mund të jemi vetëm nëse ecim në gjurmët e tyre, syçelët në mbrojtje të Pavarësisë, Lirisë dhe Sovranitetit të Atdheut dhe Popullit tonë! 🇦🇱”.