Sigal

Këshilltarja e Bashkisë Tiranë, Mirela Bogdani nga radhët e partisë FRD i ka kthyer përgjigje nëpunësit të FRD-së në Bashkinë e Tiranës, i cili kishte deklaruar më herët se vendimi i Bogdanit për t’u larguar na koalicioni i majtë nuk përfaqëson FRD-në. Për t’i kthyer përgjigje, Bogdani shkruan se ajo përfaqëson qytetarët e Tiranës që i besuan votën, duke e quajtur nëpunësin një vasal të Erion Veliajt. “Unë përfaqësoj 6000 qytetarët e Tiranës që më kanë dhënë votën, kurse ti je thjesht një vasal dhe vartës i Erion Velisë dhe interesi yt i vetëm është t’i bësh hyzmetin rrogës dhe pozicionit të nënkryetarit, të cilat janë e vetmja gjë që të shqetëson ti humbasësh. Unë jam e zgjedhura e qytetarëve, ti je hyzmeqari i Erion Velisë”- shkruan Bogdani. Më tej Bogdani shkruan se për vendimin dhe deklaratën e saj për tu larguar ka folur personalisht dhe jo në emër të FRD-së. “Unë edhe pse anëtare e Kryesisë së FRD-së, drejtuese e Departamentit të Integrimit, anëtare e degës së Tiranës, ndryshe nga fletërrufeja jote infantile, ku thua që nuk përfaqësoj prej kohësh asnjë forum- dhe mbi të gjitha e vetmja këshilltare e votuar nga qytetarët e FRD-së në Tiranë, në vendimin dhe deklaratën time nuk kam folur në emër të FRD-së por timin personal”- deklaron Bogdani.