Miratohet projektligji për strehimin social – Ja kategoritë që përfitojnë

550
Këshilli i Ministrave miratoi sot projektligjin “Për strehimin social”, propozuar nga Ministria e Zhvillimit Urban. Ky projektligj vjen në kuadër të prioritetit të Qeverisë Shqiptare për strehimin social, për vetë impaktin dhe ndjeshmërinë e lartë që kjo çështje ka për qytetarët.
Ministria e Zhvillimit Urban, si institucioni që mbulon çështjet e strehimit, gjatë vitit 2013-2016 ka marrë nisma të rëndësishme në fushën e legjislacionit, sikurse dhe në fushën e investimeve direkte, duke arritur që për herë të parë në më se 25 vjet, të hartohen politika sociale konkrete dhe të zbatueshme që i përgjigjen nevojave të qytetarëve, veçanërisht kategorive në nevojë.
Në Qershor të vitit 2016, Këshilli i Ministrave miratoi për herë të parë Strategjia e Strehimit Social 2016-2025, shoqëruar me një plan-veprimi konkret të detajuar. Kjo strategji nxori në pah situatën reale të strehimit, identifikoi nevojat për të mbështetur këtë sektor në kushtet e reja të reformës administrative-territoriale, si dhe diktoi nevojën për ndryshime ligjore.
Në bashkëpunim me Programin për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara (UNDP) dhe me ekspertë të fushës, nisi puna për ndryshimin në ligjin ekzistues, nr. 9232, datë 13.05.2004 “Për programet sociale për strehimin e banorëve të zonave urbane”, i ndryshuar, i cili nuk i përgjigjej të gjitha kërkesave të familjeve në nevojë. Si rezultat i ndryshimeve, ligji i sipërcituar u prek në masën 80 % të tij. Kjo solli domosdoshmërinë e një ligji të ri.
Duke vlerësuar rolin e të gjithë aktorëve, Ministria e Zhvillimit Urban ngriti grupin e punës ndër-institucional ku u përfshin institucione qendrore si: Ministria e Zhvillimit Urban, Ministria e Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, Ministria e Çështjeve Vendore apo Enti Kombëtar i Banesave, që merren me trajtimin e çështjeve lidhur me strehimin, disa njësi të vetëqeverisjes vendore si bashkitë Tiranë, Durrës dhe Berat; si dhe grupin këshillimor me përfaqësues të Ministrisë së Financave, Avokatit të Popullit, institucioneve të tjera shtetërore, shoqërisë civile, shoqatave të ndryshme dhe aktorë të tjerë.
Drafti i projektligjit iu dërgua për mendim rreth 125 subjekteve: të gjitha ministrive, 61 bashkive të vendit, shoqatave/organizatave që operojnë në funksion të mbrojtjes së të drejtave dhe interesave të grupeve në nevojë, institucioneve të pavarura, aktiviteti i të cilave ndërthuret ngushtësisht me politikat e strehimit dhe të institucioneve që zbatojnë këto politika, si dhe ekspertëve të fushave të ndryshme.
Për javë me rradhë Ministria e Zhvillimit Urban zhvilloi konsultime publike me të gjitha bashkitë në vend në 4 qytete (Tiranë, Pogradec, Lezhë e Vlorë), në funksion të përmirësimit dhe sugjerimeve të grupet e interesit për draftin e projektligjit.
Synimi kryesor i këtij dokumenti të rëndësishëm ligjor ka qenë garantimi me strehim të përshtatshëm dhe të përballueshëm i kategorive në nevojë.
Ndryshimet ligjore parashikojnë dyfishim të programeve të strehimit. Këto programe janë: Programi i banesave sociale me qira; Programi për përmirësimin e kushteve të banesave ekzistuese ose të përmirësimit të kushteve, deri në një ndërtim të ri; Programi i banesave me kosto të ulët; Programi për zhvillimin e zonës me qëllim strehimi; Programi për krijimin e strehëve të përkohshme; Programi i banesave të specializuara.
Përparësi në përfitimin nga programi i përmirësimit të kushteve ekzistuese si dhe të përmirësimit deri në ndërtim të ri, kanë familjet/individët, ku mungojnë shërbimet bazë siç mund të jenë vendbanime ose banesa individuale të komunitetit rom, komunitetit egjiptian, komuniteteve të zonave rurale e të ngjashme me to, të personave me statusin e jetimit, personave me aftësi të kufizuara; familjeve të policëve të rënë në detyrë, prindi i vetëm, të moshuarit dhe viktimat e trafikimit.
Në projektligjin e miratuar sot në Këshillin e Ministrave, trajtohet për herë të parë programi i banesave të specializuara. Janë banesa që adresojnë një nevojë specifike strehimi, ku përfshihen banesat për të moshuarit dhe/ose personat me aftësi të kufizuar, për viktimat e trafikimit, viktimat e dhunës në familje, fëmijët, të cilët janë pa kujdes prindëror ose janë marrë në mbrojtje nga shteti dhe që përgatiten për të kaluar në jetën e pavarur, të miturit nga 14-18 ose të rinjtë 18-21 vjeç pas lirimit ose kryerjes së programeve, që lidhen me drejtësinë penale dhe vajzat nëna.
Duke marrë në konsideratë sugjerimet e Këshillit të Europës, për herë të parë ligji bën të mundur ndalimin e dëbimit me forcë (force viction), duke mundësuar lehtësimin e procedurave të zhvendosjes së qytetarëve si një detyrim për sigurimin e strehimit alternativ të përshtatshëm.
Në dispozitat tranzitore të këtij ligji, njësitë e vetëqeverisjes vendore, nga hyrja në fuqi e këtij ligji dhe deri në dy vjet nga hyrja në fuqi e tij, parashikojnë në programet sociale të strehimit që jo më pak se 5 për qind e vendeve nga çdo program, për çdo vit brenda kësaj periudhe, të plotësohen nga familje të komuniteteve rome e egjiptiane.
Një tjetër risi e ligjit është krijimi i fondit publik i banesave sociale, i cili është tërësia e banesave, krijuar nga organet e vetëqeverisjes vendore dhe/ose qendrore, subjektet private fitimprurëse ose jofitimprurëse, financimeve nga taksat e ndikimit në infrastrukturë si dhe donacione e burime të tjera të ligjshme.
Një ndër ndryshimet kryesore në këtë projektligj është edhe marrëdhënia e re që vendoset me biznesin privat në formën e Partneritetit Publik Privat.
Projektligji parashikon për herë të parë edhe mënyrën se si sektori privat kontribuon në krijimin e fondit publik. Çdo shoqëri ndërtuese ose investitor që, investon dhe kryen ndërtime me sipërfaqe ndërtimore banimi për efekt përfitimi, mbi 2000 metra katrorë, siguron kalimin pa shpërblim e të paktën 50 metrave katrorë sipërfaqe funksionale dhe që të plotësojë kushtet e një strehimi të përshtatshëm, në favor të fondit publik, të banesave sociale me qira.
Pas miratimit në Këshillin e Ministrave, projektligji “Për strehimin social” do të kalojë për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Shqipërisë.
Aktualisht, Ministria e Zhvillimit Urban ka nisur punën për hartimin e 33 akteve nënligjore, 21 vendime të Këshillit të Ministrave dhe 12 udhëzime të cilat do të garantojnë zbatueshmërinë e ligjit të ri.
Sigal