Miratohet marrëveshja ndërmjet qeverisë shqiptare dhe SHBA për kontrollin e narkotikëve

391
Sigal

Këshilli i Ministrave miratoi në mbledhjen e së mërkurës një sërë vendimesh të rënëdësishme. Qeveria vendosi miratimin, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për kontrollin e narkotikëve dhe zbatimin e ligjit.
Kështu, qeveria miratoi në parim, marrëveshjen e huasë, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, për projektin “Ofrimi i shërbimeve publike me në qendër qytetarin”, për shumën 29 300 000 (njëzet e nëntë milionë e treqind mijë) euro.
Qeveria miratoi edhe marrëveshjen me shkëmbim notash, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, për projektin “Mbështetje e integruar e ekonomisë dhe punësimit”
Qeveria gjithashtu përcaktoi rregullat dhe procedurat për vlerësimin e ndikimit në mjedisin ndërkufitar.

Këshilli i Ministrave përcaktoi sot edhe procedurat dhe kërkesat e hollësishme për lidhjen e marrëveshjeve vullnetare, ndërmjet organizatave dhe grupeve që përfaqësojnë interesa të caktuara, grupeve të operatorëve ose operatorëve individualë me autoritetet përkatëse, nëpërmjet të cilave ata angazhohen për realizimin e një niveli më të lartë mbrojtjeje të mjedisit, sesa ai i përcaktuar në legjislacionin e posaçëm, për një përbërës mjedisor.
Qeveria vendosi gjithashtu miratimin e marrëveshjes së bashkëpunimit në fushën e sigurisë, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Turqisë.
KM vendosi edhe miratimin, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, për bashkëpunimin financiar 2013 për projektin “Rezervati ndërkufitar i biosferës Prespë”.

Qeveria miratoi sot edhe listën e sëmundjeve profesionale.