Miratohet drafti i ligjit të ‘Vetting”-ut’, PD nuk merr pjesë

328
Komisioni i posaçëm reformës në drejtësi ka miratuar në parim ligjin për verifikimin e integritetit të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Pas mbledhjes, në një prononcim për mediat, deputeti Pandeli Majko tha se është miratuar drafti i ligjit të “Vetting”-ut. “Shteti shqiptar, në procesin e ‘Vettingut’ ka pranuar në mënyrë kushtetuese praninë e një pale ndërkombëtare. Ne i kërkuam mirëkuptimin kolegëve të opozitës. Ne do të pranonim gjithçka që do të ofronin ndërkombëtarët dhe sot janë miratuar të gjitha komentet e Euralius dhe OPDAT”, tha Majko. Por Partia Demokratike ka reaguar, duke thënë se ligjin devijon nga Kushtetuta e miratuar në Kuvend me 22 korrik. Bashkëkryetari i Komisionit të posaçëm të reformës në drejtësi, Oerd Bylykbashi, tha se amendamentet e opozitës janë hedhur poshtë pa asnjë argument.
“Opinioni i PD-së tregonte problemet e rënda kushtetuese. Ky opinion nuk u respektua në asnjë moment në projekt ligjin e miratuar sot në komision. PD, edhe pse propozoi një numër të madh ndryshimesh, u hodhën poshtë pa asnjë lloj argumenti nga mazhoranca, – tha deputeti demokrat. – Ky projekt ligj që miratoi sot shumica, është anti-kushtetues. Ne do të marrim hapa të tjera e kushtetuese. Ky ligj devijon rëndë nga kushtetuta e miratuar në 22 korrik. Janë 47 amendamente për një pjesë të ligjit. Ne do vazhdojmë me hapa të tjerë e kushtetues. Sot, është një kambanë e fortë alarmi për të kuptuar se si ka ndër mend të vazhdojë procesin kjo mazhorancë”, – tha ai.
Mbledhja e komisionit të posaçëm për reformën në drejtësi nisi me kundërshtimet për ligjin e “Vettingut”. Mësohet se Partia Demokratike kishte sjellë në Komisionin e Posaçëm të Reformës në Drejtësi amendamentet e saj, pasi sipas PD-së, EURALIUS ka reflektuar vetëm mbi 20 shqetësime thelbësore të ngritura nga PD-ja nga 50 që ishte numri i tyre në total. Vetëm pak ditë më parë u prezantuan komentet e EURALIUS mbi opinionin e PD për ligjin e “Vettingut” në komisionin e posaçëm të reformës në drejtësi. Ekspertët e EURALIUS kanë publikuar rekomandimet e tyre për 10 propozimet e bëra nga Partia Demokratike, që kanë të bëjnë me ligjin për rivlerësimin e gjyqtarëve e prokurorëve. Materiali që demokratët kishin paraqitur për këtë çështje ishte 55 faqe.
Sigal