Nga amnistia penale përfitojnë rreth 600 persona të dënuar, të cilët do të kenë mundësinë t’i kalojnë festat e fundvitit pranë familjarëve të tyre.
Në mbrëmjen e së mërkurës Këshilli i Ministrave miratoi një ndër dokumentet më të rëndësishëm prej të cilit rreth 620 persona, të cilët vuajnë dënime do të përfitojnë. Projektligji “Për dhënie amnistie”, pritet të ketë më shumë të favorizuara kategoritë e të dënuarëve gra dhe të mitur. Në mbrëmjen e së mërkurës, pas mbledhjes së qeverisë, ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja u shpreh se nga ky moment ky projektligj do të depozitohet në Kuvend, ku nevojitet miratimi me shumicë të cilësuar. Manja u shpreh se “qëllimi i këtij projektligji është përjashtimi tërësisht apo pjesërisht nga dënimi i personave, që përfitojnë sipas kritereve të këtij projektligji”. “Parimet e amnistisë dihen: Parimi i humanizmit, parimi i rehabilitimit dhe edukimit të personave të dënuar, mbrojtja e interesit publik, por edhe mbrojtja e interesit të të miturve, të cilët me këtë projektligj si kategori janë përfituesit më të mëdhenj, së bashku edhe me gratë e dënuara”, u shpreh Manja. Ministri i Drejtësisë bëri të ditur se efektet e këtij projektligji shtrihen për të gjithë personat për të cilët është marrë vendim i formës së prerë deri në datën 30 nëntor 2023. “Nga kjo amnisti, nëse do të marrë votën e deputetëve në Kuvendin e Shqipërisë, përfitojnë rreth 600 persona të dënuar, të cilët do të kenë mundësinë t’i kalojnë festat e fundvitit pranë familjarëve të tyre. Tashmë projektligji për dhënie amnistie është në Kuvendin e Shqipërisë, do të ndjekë procedurën parlamentare sipas rregullores së Kuvendit, sepse është një projektligj që votohet me shumicë të cilësuar dhe pasi të marrë votën e deputetëve do të komunikojmë edhe me Presidentin e Republikës që të ketë një dhënie pëlqimi paraprak për hyrjen në fuqi të këtij ligji”, u shpreh Manja. Ministri theksoi se kategoritë që përfitojnë më së shumti nga kjo amnisti janë gratë e dënuara dhe të miturit, të cilët do të kenë një mundësi që t’i kthehen proceseve të rehabilitimit dhe risocializimit pranë familjeve të tyre dhe shoqërisë.
Kush pritet të përfitojë më shumë
Rreth 620 të dënuar do të përfitojnë nga amnistia penale. Përmes kësaj amnistie, përfitojnë dhe përjashtohen nga vuajtja e dënimit, burrat e dënuar me burgim deri në 3 vjet ose çdo lloj dënimi tjetër më të butë, duke përfshirë gjobën ose një nga llojet e alternativave të dënimit me burgim, për dënime të dhëna deri në datën 30.11.2023, pavarësisht nga koha e mbetur nga dënimi. Po ashtu përfitojnë meshkujt e dënuar me burgim, të cilëve, deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, u ka mbetur pa vuajtur nga ky dënim deri në 3 vjet. Gjithashtu burrat e dënuar të cilët, në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, janë baras ose mbi moshën 60 vjeç. Ndërsa përfitojnë dhe përjashtohen nga vuajtja e dënimit, gratë e dënuara, me burgim deri në 4 vjet ose çdo lloj dënimi tjetër më të butë, duke përfshirë gjobën ose një nga llojet e alternativave të dënimit me burgim, për dënime të dhëna deri në datën 30.11.2023, pavarësisht nga koha e mbetur nga dënimi. Ndërsa femrat e dënuara me burgim, të cilave, deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, u ka mbetur pa vuajtur nga ky dënim deri në 4 vjet. Po ashtu gratë e dënuara, të cilat, në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, janë baras ose mbi moshën 50 vjeç. Po ashtu edhe personat e dënuar me burgim, të cilët, në kohën e kryerjes së veprës penale, kanë qenë baras ose nën moshën 18 vjeç. Ndërkohë, amnisti nuk mund të përfitojnë të dënuarit për krime kundër njerëzimit, krime kundër jetës të kryera me dashje, ku përfshihen vrasjet. Nuk amnistohen ata që kanë kryer krime kundër shëndetit, krime seksuale, pengmarrësit, kundër moralit e dinjitetit, fëmijëve, martesës dhe familjes. Ministria e Drejtësisë propozon që nuk mund të përfitojnë të dënuarit për grupe kriminale dhe krime kundër shtetit, falsifikimit të dokumenteve, që cënojnë regjimin juridik të tokës dhe ndërtimeve apo kundër mjedisit. Të dënuarit që nuk kanë asnjë të drejtë amnistie janë edhe ato që kanë kryer krime kundër pavarësisë dhe rendit kushtetues, që kanë cënuar marrëdhëniet me shtetet e tjera, terrorizëm, krime kundër autoritetit të shtetit apo kundër drejtësisë. Amnistia, e cila pritet të kalojë në Kuvend në votim, nuk u jep ulje dënimi edhe atyre që prekin zgjedhjet e lira, krimet e bandave të armatosura dhe organizatave kriminale. Nuk përfitojnë ulje të dënimit edhe ata që i janë shmangur ndjekjes penale dhe ata që detyrohen të deklarojnë pasurinë dhe subjektet që gjykohen nga Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe hetohen nga SPAK.
Kriteret për përfitimin e amnistisë nga vuajtja e dënimit
Përjashtohen nga vuajtja e dënimit:
a) personat meshkuj, dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë, me burgim deri në 3 vjet ose çdo lloj dënimi tjetër më të butë, duke përfshirë gjobën ose një nga llojet e alternativave të dënimit me burgim, për dënime të dhëna deri në datën 30.11.2023, pavarësisht nga koha e mbetur nga dënimi.
b) personat femra, dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë, me burgim deri në 4 vjet ose çdo lloj dënimi tjetër më të butë, duke përfshirë gjobën ose një nga llojet e alternativave të dënimit me burgim, për dënime të dhëna deri në datën 30.11.2023, pavarësisht nga koha e mbetur nga dënimi.
c) personat meshkuj, dënuar me burgim, të cilëve, deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, u ka mbetur pa vuajtur nga ky dënim deri në 3 vjet.
ç) personat femra, dënuar me burgim, të cilave, deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, u ka mbetur pa vuajtur nga ky dënim deri në 4 vjet.
d) personat e dënuar meshkuj, të cilët, në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, janë baras ose mbi moshën 60 vjeç.
dh) personat e dënuar femra, të cilat, në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, janë baras ose mbi moshën 50 vjeç.
e) personat e dënuar me burgim, të cilët, në kohën e kryerjes së veprës penale, kanë qenë baras ose nën moshën 18 vjeç.
********************
Kriteret për përfitimin e amnistisë nga ndjekja penale.
1. Përjashtohen nga ndjekja penale të gjitha çështjet penale në hetim, çështjet e pashqyrtuara ose në proces shqyrtimi nga gjykatat, si dhe kallëzimet që ndodhen në këto organe, pavarësisht nga data e regjistrimit të tyre, për veprat penale të kryera deri në datën 30.11.2023, për të cilat Kodi Penal dhe Kodit Penal Ushtarak parashikon një dënim me burgim në maksimum deri në 2 vjet ose çdo lloj dënimi tjetër më të butë, me përjashtim të veprave të parashikuara nga nenet 90, 91, 92, 96, 112/1, në nenet 119, 119/a, 119/b, 120, 121, 122, në paragrafin e parë të nenit 124/b, në nenet 125, 127, 204, 205, 206, 207, në paragrafin e parë të nenit 236, në paragrafin e parë të nenit 238, në paragrafin e parë dhe të tretë të nenit 245/1, në nenin 254, në paragrafin e parë të nenit 257/a, në nenet 269, dhe në nenin 318 të Kodit Penal. 2. Nuk përfitojnë nga ky nen personat, të cilët i janë shmangur drejtësisë. 3. Nuk përfitojnë nga pika 1 e këtij neni, subjektet që kanë detyrimin për të deklaruar sipas ligjit nr. 9049, datë 10.4.2003 “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publik”, si dhe subjektet e posaçme, akuzat penale ndaj të cilëve gjykohen nga Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar sipas përcaktimeve të shkronjës “c” dhe “ç”, të nenit 75/a të Kodit të Procedurës Penale.