Miqtë e deputetit rrëmbejnë me letra fallco truallin e pronarit

386

Ish-vendstrehimet e vitit 1979 të ndërtuar nga
ushtarakët e tankeve dhe xhenjos kthehen në fonderi, hesht Ministria e
Mbrojtjes

Maksim TUFA

 

Dy ish-vendstrehime të kohës së Enverit në periferi të
Elbasanit, të ndërtuara nga ish-reparti ushtarak i tankeve dhe xhenjos në vitin
1979, janë marrë me forcë dhe janë privatizuar me një dosje të fallcifikuar nga
dy miq të një deputeti të Rilindjes. Dy  ish-vendstrehimet,
me një sipërfaqe  prej 1240 metra
katrore, e ndërtuara nga ushtarët dhe oficerët e Krastës, janë kthyer në
fonderi (ose edhe në destinacion tjetër) ku po shkrihen metale me ngjyrë dhe
lloj-lloj materialesh dhe metalesh të tjera misterioze, pa patur asnjë leje
mjedisore, ndërkohë që ARM shprehet se “nuk dimë gjë, nuk kemi informacion, ku
ndodhet , ku gjendet  na e thoni”, kurse
Ministria e Mbrojtjes nuk ka folur një fjalë. Përgjigja e inspektorëve të
mjedisit  në qytetin e Elbasanit, si
gjithmonë e shtirur, e pasinqertë, kurse heshtja e Ministrisë Mbrojtjes e cila
i ka në inventar ato ish-vendstrehime është kompromentuese. Kjo pasi banorët e
asaj zone kanë të paktën qysh nga  muaji
prill  2016, që telefonojnë, shkojnë dhe
japin informacion, dërgojnë letra dhe peticione, dhe marrin prej mjedisorëve të
përgjumur  përgjigje skandaloze “rrini
shikoni punët tuaja hallexhinj”, ose “nuk merremi me shtetin o njerëz”.

 

Korrupsioni i sekserëve të deputetëve

Deri këtu ka katandisur shteti dhe institucionet, deri
këtu ka katandisur niveli i drejtimit të strukturave të kësaj qeverie në rrethe,
të cilët stepen të përballen me miq deputetësh, miq ministrash  për t’i përballur ata dhe penalizuar me
ligjet e këtij vendi. Banorët  pavarsisht
se janë të dëmtuar nga pikëpamja higjenike, natyrore  dhe shëndetsore ndjehen të frikësuar, pasi
sipas tyre “miqtë e deputetit mund edhe të na prishin banesat tona me ndonjë
shkak të sajuar”. Ajo që po ndodh dhe po bëhet ditën me diell me pronat e shqiptarëve
dhe pronat e shtetit, me trojet e kthyera ish-pronarëve, duke u marrë atyre me
forcë dhe me dosje të fallcifikuara gjithçka, është një grabitje e paparë, e
cila po mbush xhepat e qeveritarëve, të ligjvënësve të babëzitur dhe ushtarëve
të tyre. Realisht ato dy ish-vendstrehime, pavarësisht se janë  ndërtuar qysh në vitin 1979 nga ushtarakët e
tankeve dhe xhenjos, nga KKP i janë kthyer me letrat  dhe tapitë që dispononte ish-pronarit XH.LL.
i cili qysh prej vitit 1993 ka paraqitur një mal me dokumenta 94 vjeçare që
vërtetonin se gjyshi i tij ardhur nga Berati kishte blerë me flori atë truall
në periferi të Elbasanit. Në vitin 1939, ajo pronë e ish-pronarit XH.LL. u
kthye në kazerma  nga ushtria fashiste
italiane, e cila asokohe në Elbasan kishte ngritur edhe dy reparte të tjera në
Krastë,  pasi paguan një qera të majme
pronarit , por që u prishën nga barbarët në 1997. Por duke u kthyer tek
“fonderitë” misterioze, ish-pronari Xh.LL. u shpreh se “prej 2 vitesh nuk kisha
vajtur tek prona ime, sepse kam qenë në SHBA tek djemtë dhe kur jam kthyer dhe
jam përballur me grabitjen e pronës, kam shqyer sytë, sepse një pjesë e
truallit  tim ishte bërë pronë me tapi të
rregullt e dy personave të panjohur nga unë, që më pas mësova se ishin miq  të  një
deputeti, kjo ndodh tek ne, ndaj dhe ky vend nuk bëhet”.

 

Hetimi i prokurorisë

 

Duke mos hyrë shumë në detaje pasi grabitja e pronës
tashmë ka vajtur objekt i hetimit nga Prokuroria, mjafton të ndalemi në
heshtjen vrastare të Mjedisit dhe Ministrisë së Mbrojtjes, të cila nuk dihet se
si kanë mundur të firmosin dhe vulosin një grabitje të tillë. Ndërkohë nën
hetim të organeve hetimore, do të jenë edhe hartuesit dhe kopsitësit e dosjes
së fallcifikuar dhe hipotekuar, e cila i ka zhvatur ish-pronarit XH.LL. një
pjesë të mirë nga trualli i tij. Pasi nuk ka mundur të përballet me shtetin dhe
zaptuesit e shtetit, dhe pasi ka depozituar edhe akt-padinë në Prokurori,
ish-pronari XH.LL. prej disa ditësh është nisur drejt  SHBA, atje ku jeton prej disa vitesh bashkë
me familjarët e tij. “Largohem sepse 
tashmë jam bindur se ky vend ka humbur të gjitha shanset të bëhet, sepse
ky vend është mbërthyer nga e keqja, nga të babëziturit, duke u dhënë hapur
leksionin shqiptarëve, ikni se këtu në xhungël, do të mbretërojmë vetëm
ne”.