Ministrja Shahini: “Rrisim masat parandaluese për braktisjen e shkollës”

440
Sigal

Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë (MASR) Znj. Besa Shahini, së bashku me Drejtoreshën Rajonale për Evropën dhe Azinë Qendrore Znj. Afshan Khan, përfaqësuesin e UNICEF në Shqipëri Roberto De Bernardi dhe kolegë të tjerë nga ministria ishin të pranishëm sot në shkollën 9-vjeçare “Ardian Klosi” në Tiranë ku bashkëbiseduan mbi masat parandaluese për braktisjen e shkollës.

Duke falënderuar përfaqësuesit e UNICEF për kontributin e vazhdueshëm në projektet zhvillimore, Ministrja Shahini theksoi gjatë takimit se tashmë çdo shkollë në Shqipëri merr informacion paraprak të detajuar për gjendjen socio-ekonomike të secilit nxënës.

“Kjo realizohet në mënyrë që të bëhet më herët ndërhyrja e nevojshme në rast se situata në familje i ndikon negativisht në shkollë”, shtoi ajo.

Znj. Shahini nuk la pa nënvizuar rastin e suksesit të mësueseve të shkollës 9-vjeçare “Ardian Klosi”, të cilat kanë arritur në mënyrë të vazhdueshme të kthejnë në ambientet shkollore me dhjetëra nxënës në prag të braktisjes apo pasi kanë lënë shkollën, duke shtuar se “këto janë ndërhyrje që do t’i replikojmë kudo ku ka rrezik braktisjeje”.